Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Matini me video për miqësinë me Besnikun me Sindromën Down

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, kështu nis videoja dedikuar Besnikut.

Gjithçka kishte nisur nga një ese, aty ku Matin Ibrahimi kishte shkruar për shokun e tij më të dashur.

Si nxënës i shkollës “Hello Academy of Education” në Gjilan, ai mori iniciativë për realizimin e një videoje që përcjell mesazhe për përfshirjen në shoqëri të personave me Sindromën Down.

“Arsyeja e vetme që më shtyu ta realizoi këtë video është takimi i parë me Nikun. Prej atëherë, kuptova që Niku është një fëmijë shumë i dashur dhe pastaj lexova edhe për Sindromën Down”, thotë nxënësi Matin Ibrahimi.

Afërsinë dhe dashurinë e ndërsjellë që e kanë nxënësit e kësaj klase e dëshmon grupimi pas orëve të mësimit, duke iu përkushtuar plotësisht haresë së Besnikut.

Edhe Përfshirja e fëmijëve me Sindromen Down në shkollat publike SOT Përfshirja e fëmijëve me Sindromen Down në shkollat publike

Kujdestarja Ernisa Emerllahu, Besnikun e përshkruan si harenë e klasës që prej vitit kur iu bashkua shkollës.

“Besniku është buzëqeshja më e ëmbël e klasës sonë. Është mesazhi më i bukur në jetë ashtu siç e ka edhe shpirtin plot ngjyra”, shprehet kujdestarja, Ernisa Emerllahu.

Është Meli Halili që me entuziazëm e priti nismën e Matinit për realizimin e videos.

“Ka qenë ideja e Matinit për realizimin e videos, ku jemi bërë bashkë dhe e kemi realizuar. Nuk ka qenë diçka e madhe, por secili prej nesh kemi dhënë nga pak dhe ka dal bukur”, ka thënë nxënësja Halili.

Edhe Përmes fotografisë, Xhemail Sllovinja sjell të jetuarit me Down Syndrome në Kosovë SOT Përmes fotografisë, Xhemail Sllovinja sjell të jetuarit me Down Syndrome në Kosovë

Koha e ngrënies është një moment tjetër që e bën bashkë të gjithë klasën në bufenë e shkollës.

Por nuk përfundon me kaq. Aktiviteti i tyre ditor në shkollë mbyllet me sport, një nga fushat më të preferuara të Besnikut.