SOT

Komunikimi përmes ngjyrave

Gjithçka e shpreh në pikturë.

Ky është Imer Ajeti nga fshati Drobesh i Vitisë, i cili nuk mund të flasë e as të dëgjojë, por që përmes brushës mund të tregojë shumëçka.

Gjatë shkollimit të tij, mësoi se ngjyrosja në pikturë ishte ajo që donte ta bënte më së shumti.

“Shkollën e kam kryer në Prizren, babi ka qenë i interesuar që unë ta kem një shkollë adekuate për shurdhmemecë. Aty kam pasur shoqëri të madhe dhe nuk jam ndie vetëm, ka pasur drejtime dhe aktivitete të shumta, e më së shumti më ka tërhequr arti. Madje, edhe profesorët më kanë thënë se jam shumë i mirë në art”, thotë Ajeti.

Nga natyra inspirohet për veprat që do t’i krijojë në pëlhurë, ndërsa ateliea brenda shtëpisë është hapësira ku më së shumti kalon kohë.

“Në këtë vend vij, qëndroj deri në 3 orë, pastaj dal në natyrë dhe inspirohem. Kur kam porosi qëndroj dhe përkushtohem më shumë. Por, më pëlqen shumë natyra se aty inspirohem shumë”, thotë ai.

Ajeti tregon se talentin e tij, tashmë e ka trashëguar edhe vajza e tij e vogël, Ertina.

“Si fëmijë e kam dashur artin, tani vajza e vogël e ka trashëguar këtë talent, qëndron shumë me mua dhe tani ka vazhduar shkollimin për art, jam shumë krenar me të dhe do ta përkrahi gjithnjë”, thotë ai.

Ai tregon që gjendja e tij nuk ka qenë pengesë në zgjedhjen e tij.

“Asnjëherë nuk e kam pasur pengesë gjendjen time, të gjithë më kanë respektuar, nuk jam i vetmi shurdhmemec. Të tjerët nganjëherë e kanë të vështirë të komunikojnë me mua, por i kuptoj”, shton ai.

Muralet janë ato që më së shumti i ka në qejf.

E kërkesat më të mëdha vijnë nga mërgimtarët.

“Kam shumë piktura dhe kërkesa për to, mërgimtarët janë ata që i pëlqejnë më së shumti. Piktura në mur më pëlqen shumë, sepse atje ke mundësi me paraqit talentin. Tani shkaku i pandemisë ka më pak kërkesa. Dua të kem çdo herë e më shumë punë që me zhvillu edhe më tej talentin. Më japin dhurata, por edhe unë shpesh dhuroj brusha si dhuratë. Por, mendoj ta zgjeroj edhe më tej atelienë”, shton në fund ai.

Ajeti në shumë gara është shpërblyer për punën e tij artistike, madje ka pranuar mirënjohje edhe nga Komuna e Vitisë.