Bukuritë natyrore që gëzon e bëjnë fshatin Jezerc një ndër destinacionet më të vizituara në thuajse të katër stinët e vitit.
Fshati që zë një hapësirë të madhe gjeografike dikur ishte i populluar, por sikurse shumë fshatra në vend edhe prej tij ka migrime banorësh, raporton KOHA.
Përtej peizazhit të bukur që ofron natyra e Jezercit është mulliri qindravjeçar ai që e bën edhe më të veçantë këtë fshat.
Prej afro një shekulli, mulliri me ujë i kësaj ane është në pronësi të familjes Baliu, traditë e bartur brez pas brezi, por kujdes të shtuar atij i kushton 85-vjecari Azem Baliu.
Të freskëta i ka kujtimet që prej moshës 15-vjeçare, kur kishte nisur punën në këtë mulli.
Edhe
Vilat malore të Jezercit, destinacion për festat e fundvitit
E, derisa mullinjtë e tjerë në vend u dominuan nga pritjet me radhë të gjata për bluarjen e miellit në ditët e pandemisë, 85-vjeçari thotë se në mullirin e tij nuk pati ndonjë ndryshim.
Ngjitja në pjesët më të larta të Jezercit të çon drejt të ashtuquajturave “Livadhet e kishës”, një tjetër pamje mahnitëse e këtij fshati të Ferizajt.
Është Bardha Goga fotografja e cila nuk lë rast pa i bërë vizitë kësaj pike atraktive, e shoqëruar përherë nga aparati i saj.
Për tërheqje ndaj vizitorëve, në pikat më të larta të fshatit turistik janë ndërtuar vila e restorante.
Njëri nga ta, pos shërbimeve, ofron pamje panoramike të Jezercit, atë të cilën Ledi Shëngjergji thotë se e duan më së shumti.
Edhe
Jezerci nga oda në vila, si një atraksion turistik
Kjo është vetëm një pjesë e bukurive të Jezercit.
Eksplorimin e pikave më të thella të tij e paraqesin më së miri shkrepjet nga objektivi i aparateve, mes të cilave janë fotot e realizuara nga Arben Llapashtica.