Fshatit, që shumë banorë e kishin braktisur dikur, tash ka filluar që t’i kthehet harmonia jetësore. Banorët e fshatit Marec kanë filluar të kthehen dhe shumë prej tyre bëjnë jetë të dyanshme, mes qytetit dhe këtij fshati.
Jeta në këtë fshat ka filluar shumë herët, dhe tash dëshmi për të parët e këtij fshati janë dokumentet të cilat ruhen me fanatizëm në zyrën e bashkësisë lokale, dokumente këto që shënojnë historinë e këtij vendi.
Objekte të vjetra që janë ende pjesë e këtij fshati, janë gjithashtu karakteristika dalluese për historinë qindravjeçare. Ato gjatë viteve u përdorën për qëllime dhe nevoja të ndryshme. Sot, ani pse nuk përdoren, vazhdojnë të qëndrojnë në mesin e këtyre banorëve të cilët kanë shumë nostalgji për to dhe për shërbimet që i kryenin atje.
Ani pse banorët e dikurshëm kanë marrë rrugën dhe po kthehen në vendlindjen e tyre, Mareci nuk është një fshat pa probleme. Infrastruktura dhe probleme me nevoja të tjera esenciale për jetën janë ato me të cilat përballen banorët e këtij fshati. Pikërisht për këto na tregon vetë zyrtari i gjendjes civile në këtë fshat, Zymer Haxholli, i cili përveç punës, këtu e zhvillon edhe jetën.
E ndër të tjerët që po bëjnë jetë mes fshatit dhe qytetit është edhe Selatin Vitia. Në Marec ka ngritur një fermë me 56 lopë. Ato gjatë pjesës më të madhe të ditës i mban në arat dhe fushat e këtij fshati, dhe me anë të resurseve natyrore të tyre, produktet që ata prodhojnë janë plotësisht të shëndetshme dhe origjinale. Kjo është jeta që atij i pëlqen, gjithsesi njëra ndër arsyet që ai detyrohet të bëjë jetën mes dy vendeve janë kushtet jo shumë të mira të këtij vendi.
Të ngritura me gurë, drurë dhe baltë, pjesë e këtij fshati janë shumë objekte të ndërtuara shumë moti dhe që ende funksionojnë. Kroi më i njohur i këtij fshati është pikërisht ky, uji i të cilit përdoret akoma për pije, qoftë nga vizitorët dhe qoftë nga banorët që kanë shtëpi afër tyre.
Edhe
Familja Haxholli, familje ofiqarësh në fshatin Marec
Me qejf, pos të rriturve, në këtë fshat marrin rrugë për tu kthyer edhe fëmijët. Kjo për shkak se natyra e këtij fshati i dhuron atyre një mundësi të paparë për të bërë aktivitete dhe për tu ushqyer shëndetshëm.
Kështu, ani pse jo në kushtet më të mira, natyra e mrekullueshme e këtij fshati u bë përsëri shtëpia e shumë prej njerëzve që para pak kohe jetonin larg tij. Historia e këtij fshati tash po jeton mes njerëzve që rikthimin e kanë gjetur si zgjidhjen për të jetuar një jetë të qetë.