SOT

Selaca, fshati me bukuri të rrallë që po braktiset nga banorët

Selaca është një fshat me një bukuri të rrallë natyrore e që kujton jetesën e dikurshme të shqiptarëve. Ai gjendet thellë maleve të Shalës së Bajgorës, e mungesa e asfaltit deri më tash ka bërë që shumë banorë t’ia mësyjnë qytetit në kërkim të një jete më të mirë. Ata pak banorë që kanë mbetur aty rrëfehen për jetën në këtë fshat.

Mes maleve të Shalës së Bajgorës, gjendet fshati Selacë i cili ruan ende jetesën e vjetër të shqiptarëve.

Me një bukuri të rrallë natyrore, ky fshat i Mitrovicës ngjall kujtimet e fshatrave të dikurshëm të Kosovës, të bukur e të thjeshtë. 

Sot numri i banorëve është i vogël në këtë fshat. Por, zgjedhja e banorëve për të jetuar këtu, nuk është e rastësishme. Ata e ndiejnë se i përkasin këtij vendi, e nuk mund të jetojnë askund tjetër.

“Unë jam Bajram Murseli i lindur më  05.10.65 në fshatin Selacë jam lind dhe sa të kam ymrin nuk e lëshojë këtë fshat. Është një fshat malor por shumë i bukur dhe këtu jetojmë me shoqen. Këtu ka lind babai, babëgjyshi, katragjyshi, a pe sheh që krejt po e lëshojnë këtë vend. Nuk është jetë vetëm në qytet krejt të rinjtë vetëm në qytet. Përpara kanë jetuar këtu edhe pse ka qenë më vështirë, tani është bërë puna më e lehtë edhe në fshat por që nuk po donë të jetojnë këtu, po donë të jetojnë në qytet, po donë më mirë por unë nuk mundem, për sa të mundem me punuar jo e kur nuk mundem ndoshta edhe më dërgojnë me zor se nuk më pyesin”, deklaron Bajram Murseli, një nga banorët e paktë që ende jeton këtu. 

Ai rrëfen arsyen pse ky fshat u braktis.

“Jemi mbetur gjashtë shtëpi për momentin, verës bëhen herë 10 shtëpi sepse vijnë edhe disa pleq por rregullisht vetëm gjashtë shtëpi. Te vëllai i ka edhe tre djemtë këtu, se shumica kemi mbetur vetëm të moshuar, nga një plak dhe një plakë. Unë këtu jam vetëm me shoqen, kushërinjtë e mi njësoj. Atje lart njëjtë jemi, nga 3-4 anëtarë më së shumti. Po thonë tash pasi është asfaltuar rruga se do të kthehen dhe do të ndërtojnë villa a kthehen a nuk kthehen me nisë nuk ka nisë ende asgjë a unë i mirëpres”, thotë Murseli.

Edhe shkolla e fshatit është mbyllur, dhe për këtë arsye, të rinjtë që krijojnë familje detyrohen të shpërngulen e të jetojnë diku tjetër.

“Pas luftës kemi qenë 32 shtëpi e tash kemi mbetur 6, duke shkuar e duke u pakuar që tre vjet është mbyllë edhe shkolla e prej që është mbyllë shkolla edhe ambulanca tash është më vështirë. Pa asfalt ka qenë më e vështirë, nuk ke pas mundësi të shkosh as në shkollë as në punë e kështu që dolën banorët e katundit. S’ka pas asnjë minibus vetëm me kerre tona se nuk ka asnjë linjë për qarkullim. Ne kush mundemi jetojmë me kerre tona. Jeta në fshat është e mirë, mundësitë janë bë”, deklaron ai.
Fshati njihet për tokën e tij pjellore, por siç thotë Murseli, edhe mjalti vendas është ndër më cilësoret që mund të gjenden. 

“Për bletë vendi është i mirë, mjalti e Selacës jo se jam i këtij katundi por është më e mira në Kosovë. Kanë qenë disa studente dhe ka pasur të mbrojë temën e diplomës në Itali, ajo ka kërkuar ta blejë me pare por ne ja kemi jep falas. Mjalti i Selacës ka dalë më e mira e kam certifikatën prej Italisë se këtu nuk ka helm. Kam pas bletë shumë, kam shitë shumë mjaltë deri në 1200 kilogramë i kam gjet dhe kurrë në treg s’kam dalë dhe kur është bo një muaj është shitur. Kanë të gjithë bletë por unë i kam myshterinjtë e mi”, thekson ai.

Megjithatë, ai ankohet se shteti nuk i ka ofruar asnjë lloj përkrahjeje, sidomos pas dëmeve që ka pësuar kur, një vit më parë, i vdiqën të gjitha bletët.

“Vjet e kam pas një problem me bletë dhe arsyen nuk po e di. 192 copa i kam pas brenda dhe brenda një muaji kanë vdekur. Kanë qenë me i marrë mostrat dhe më kanë thënë se bletë të vdekura si paguaj, a unë me to kam mbetur gjallë. Unë prej shtetit vetëm subvencione që i marrin të gjithë se asnjëherë nuk kam përftuar asgjë. Të gjitha i kam bërë me djersë timen. Tepër pak më kanë ndihmuar. Me kast po na shpërngulin. Ministria duhet me i jep përparësi katundarit e me i ndihmua se letrat që po duhet me i rregullua janë tepër të shumta për të aplikuar për diçka. Unë nuk kam kohë me shkuar e me i ndjekë letrat po na bëjnë kriter të mos mundemi të aplikojmë. I kisha bë apel të na ndihmojnë që të mos e lëshojnë fshatarët jetën e tyre e jo të mos na ndihmojnë e ta lëshojmë vendin”, deklaron Murseli.

Ai shpreson sivjet do të mundësohet edhe mbjellja e tokës, e cila ka qenë e pamundur për vite me radhë për shkak të mungesës së asfaltit.

“Unë i kam edhe disa lopë. Jam pensionist i TMK-së i parakohshëm. I marr 190 euro por ato nuk na dalin. Të gjitha i kam kryer me bujqësi, me shkolla me fakultete. Kam punuar gjithmonë vet. Toka është e mirë por prej pas luftës nuk e kemi mbjellë. Kombaja nuk ka ardhur për shkak të rrugës tash po shpresojmë që do ja nisë dikush me punuar këtë tokë se çka të qitësh këtu bëhet, është tokë me bereqet. Kallamboqi, fasulja, çka do. Ne gjithmonë jemi marr me bujqësi. Ambulanca është mbyllë se pak banorë. E patën bë vinte doktori njëherë në javë mirëpo nuk e vizitonim shpesh e kanë pa të nevojshme ta mbyllnin. Unë për vete nuk kam shkua asnjëherë falënderoj Zotin se nuk kam pas nevojë deri tani të shkojë. E sa i përket fshatit këtu gjithmonë ka qenë fshat me trima. Ahmet Selaci ka qenë këtu, ka qenë major me gradë këtu. Këtu përpara i kanë thënë Shqipëria e vogël. Ka qenë Imer Selaci, Mursel Igrishta, fshati shumë i mirë por na kanë lënë pas dore pushtetarët tonë prej pas luftës. Për çdo vjet thoshin  se do e asfaltojnë deri vjet”.

Për punët e fshatit, Murselit i ndihmon shumë gruaja e tij, Fatmirja. Ajo thotë se asnjëherë nuk e ka menduar ta lërë këtë vend për të jetuar në qytet.

Por ajo që i mungon më së shumti janë shoqet që dikur i kishte këtu, e që tani jetojnë në vende të tjera.

Selaca është ndër fshatrat që po përpiqet t’i rezistojë braktisjes së plotë, falë banorëve të moshuar që, me krenari, vazhdojnë ta ruajnë vendin e tyre.