SOT

Jeta në fshatin Butovc, prej ku duket krejt Prishtina

Petku që vjeshta ia ka veshur natyrës shumë bukur i rri edhe fshatit Butovc.

Përpos që është njëri ndër fshatrat më të afërta të Prishtinës, Butovci ka një lartësi detare mbi 1000 metra dhe florë e faunë të pasur.

Banorët e këtij fshati me dashuri e përshkruajnë atë derisa shumë nga ta edhe e kanë braktisur.

Ahmet Krasniqi është një nga banorët i cili braktisjen e vendlindjes së tij nuk e ka si opsion.

Krahas vështirësive që mungesa e infrastrukturës i sjell, ai është ndër banorët e paktë rezidentë në njërën nga lagjet e fshatit Butovc.

E Shpat Vjanova nuk ka jetuar asnjëherë në Butovc. Familja e tij është shpërngulur në qytet në kërkim të një jete më të mirë.

Kjo nuk e ka ndaluar atë që ta kultivojë dashurinë për fshatin derisa nuk heziton të tregojë nga vjen.

E vetmja gjë që e ndalon të kthehet është gjendja në të cilën fshati ndodhet. Mungesa e rrugëve e ndriçimit e bën të vështirë qoftë edhe një vizitë aty, e lëre më jetesën.

Mundësia që fshati Butovc të futet në zonë të gjelbër është e hapur, e banorët kanë paqartësi sa i përket kësaj çështjeje.

Ky vendim i ka të dyja anët sipas Vjanovës. Ata e kundërshtuan me protesta dhe shpresojnë që si vendim të mos finalizohet.

Fshati Butovc mbetet cak i shëtitjeve e vizitave të shumta, ku në pikat më të larta të fshatit Prishtina duket si në pëllëmbë të dorës.