I gjithë orientimi i tij varet nga prekja.
Edhe pse e humbi plotësisht shikimin kur ishte në moshë të re, kjo nuk e pengoi Daut Hoxhën që të punojë duke bërë që të mos varet nga askush.
Dikur ëndërronte të studionte për fizioterapeut, por kjo gjë iu pamundësua.
Më vonë rrjedha e zgjedhjes së profesionin mori drejtim tjetër.
Ai në Ferizaj njihet për aftësitë e tij si zdrukthëtar.
Para se të fillojë punën atij i pëlqen ta ndezë radion, e me muzikë të shoqërohet gjatë tërë ditës, transmeton Koha.
Dauti flet për fillimet që kishte në zdrukthëtari, duke thënë se asnjëherë nuk e kishte problem të merrte përsipër punët e rrezikshme që kjo veprimtari di t’i sjellë, kjo për shkak që kishte të bënte me mjete të mprehta.
Puna rreth 20-vjecare prej zdrukthëtari thotë se fatmirësisht kaloi pa asnjë incident.
Ai e njeh mjaft mirë secilin cep në punëtori dhe nuk e ka fare problem ta gjejë vetë secilin mjet që i nevojitet për punë.
Sipas tij, në mungesë shikimit, shqisa e dëgjimit dhe ajo e prekjes iu zhvilluan edhe më tej.
Ai thotë se të gjithë klientët i njeh në momentin kur ua prek dorën, e edhe kur ua dëgjon zërin.
Përkundër gjithë vullnetit që ka për punë, ka diçka që shpesh herë e mërzit atë.
Ai është diskriminimi që jo rrallë u bëhet personave me nevoja të veçanta nga institucionet e shtetit, por edhe nga vetë disa qytetarë.
Një pasion tjetër që ka Dauti është kujdesi ndaj pëllumbave e shpezëve të tjerë, të cilët i mban në oborrin e shtëpisë së tij, e më të cilët e kalon një pjesë të mirë të kohës.