Dita për të nis qysh në orët e hershme të mëngjesit.
përgatitur maksimalisht, Avdyl Tullari, gjuetar prej kohësh, niset drejt maleve të Radashecit të Prishtinës për gjah.
Nën shoqërinë e dy qenve të tij, Tullari na mëson se si duhet ta ndjekim rrugën e gjahut e më pas ta zëmë atë.
në Kosovë nuk zhvillohet gjueti e kontrolluar, gjuetarët dhe përfaqësuesit e të drejtave të kafshëve pohojnë se keqbërësit po e dëmtojnë faunën, ku ata apelojnë që kjo dukuri të zhduket sa më shpejt.
Avdyl Tullari, gjuetar në rrethinën e Prishtinës, ka thënë se për të dalë në gjah duhet përgatitje me pajisje adekuate të gjuetisë, si dhe ekip shoqërues.
“Pajisna me rroba, pushkë, bukë, GPS, qen dhe leje të gjuetisë. Ndoshta gjahtojmë deri në 12 orë, ndoshta jo. Ditët e vikendit janë ditë që dalim më shpesh. Dal edhe me ekip 5-6 veta nuk është e lejueshme me dalë vetë në gjueti”.
Për të derri i egër është gjahu më i shtrenjtë dhe që e sfidon më së shumti gjatë gjuetisë. Ndërsa për lepurin thotë se nuk e gjuan pasi që është dëmtuar nga të papërgjegjshmit.
“Derri i egër është më i vështiri për me e gju. Është sport i shtrenjtë shumë, duhet me investu shumë, pa zagar të mirë nuk gjahtohet derri. Kur kam qenë më i ri kam pasë dëshirë lepurin me e gjahtu, por në mungesë të tyre jemi duke e ruajtur. E kanë dëmtuar gjahtarët e pandërgjegjshëm, derrin e egër e gjuaj ma shumë”.
Gjuetari Avdyl Tullari tregon se ka hasur edhe në kafshë të rralla gjatë gjuetisë, por nuk i ka dëmtuar. Siç thekson ai, këto specie të rralla duhet ruajtur.
“Kam taku gjah që më herët s’i kam pa kurrë, kam hasur në rrëqebull - është në mungesë, por unë e kam pa, ai është si mace e egër. Nuk e kam dëmtuar. Kom taku ujq, nuk e kam gjuajtur ujkun. Jemi të betuar në gjah mos me lan kafshë të plagosura në mal pasi që infektohen edhe kafshët e tjera. Gjahun e egër e dërgojmë tek Federata. Kërkoj që të lejohet gjuetia sepse kemi investuar shumë”.
Për dëmtimin e faunës tregon edhe Enver Hyseni, sekretar i Federatës së Gjahtarëve të Kosovës, i cili apelon tek institucionet relevante për rregullimin e ligjeve për gjueti.
“Ligji për armët në Ministrinë e Brendshme neve në njëfarë mënyre na ka penguar për arsye se armët të cilat janë të dedikuara për gjueti i kanë paraparë në dy drejtime, në armë për gjueti dhe për shenjëtari, ku e kanë bërë një numër të lejeve ku gjahtarët që i posedojnë armët me vijaska, pa vijaska i marrin dhe i shfrytëzojnë me leje të shenjëtarisë, kjo do të thotë që atë armë e shfrytëzon edhe për gjueti”.
Hyseni thekson se sipas Rregullores, jo çdo kush mund të praktikojë gjuetinë.
“Personi fillimit duhet të lajmërohet në një shoqatë që e ka në regjion pastaj duhet të vendoset në cilësi të praktikantit dhe duhet të kryejë kursin prej 12 muajve. Pas 12 muajve e fiton të drejtën me hy në provimin e gjuetisë dhe pas kësaj i jepet e drejta për vazhdimin ose blerjen e armëve të gjuetisë. Të gjithë ata që nuk janë të pajisur me leje të gjuetisë janë ilegalë”.
Gjuetia në vend nuk menaxhohet e as nuk mbikëqyret nga askush. Gjahu kontrabandohet në vendet fqinje si Shqipëri dhe Mal të Zi pa pengesën e institucioneve, thotë Enver Hyseni, sekretar i Federatës së Gjahtarëve të Kosovës.
Elza Ramadani, udhëheqëse e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, ka shtuar se gjuetia duhet të bëhet vetëm në zonat që janë të caktuara me ligj dhe në sasi të caktuar.
“Ne si organizatë jemi taku edhe me drejtorin e Drejtorisë së Pyjeve në MBPZHR, i kemi marrë të gjitha dokumentacionet, shpallje të sezoneve të gjuetisë dhe mbylljes së tyre, ku e kemi vërejtur se ka pasur keqpërdorime nga gjuetarët ilegalë. Mbrojtja e kafshëve të egra nuk është se ato janë kafshë të tilla, por janë edhe shumë të rëndësishme për ekosistemin e një vendi, kështu që ne ju bëjmë thirrje institucioneve të vendit të merren seriozisht me mbrojtjen e kafshëve të egra, gjuetia të zvogëlohet shumë ose të bëhet hulumtim i gjuetarëve”.
Ajo thotë se institucionet nuk po arrijnë të vënë në zbatim një ndalim të gjuetisë, tashmë në fuqi prej disa vjetësh, duke lënë të pambrojtura një numër speciesh të rrezikuara.
“Ne nuk kemi asnjë numër serioz institucional që tregon sa kafshë të egra i kemi të identifikuara dhe të cilat nuk është dashtë me i prek e me i vra. Gjuetarët në Kosovë nuk janë shumë të organizuar, sepse nuk shohim asnjë kampanjë vetëdijesimi që bëjnë ose se si merren me këtë çështje, edhe pse janë disa të licencuar për gjueti, prapë nuk janë transparentë ndaj qytetarëve”.
Për të edhe Ligji i gjuetisë has në ngatërresa dhe i bën thirrje për një diskutim në lidhje me këtë çështje.
“Sa i përket bazës ligjore të mbrojtjes së kafshëve të egra kemi gjetur edhe disa diskrepanca të akteve nënligjore dhe ligjore dhe ne si organizatë do të tentojmë që ta kontaktojmë edhe Ministrinë e Bujqësisë që të merret me këtë çështje në mënyrë që t’i strukturojmë si akte ligjore dhe të jepet më shumë llogari sa i përket gjuetisë, vrasjes së kafshëve të egra në Kosovë”.
Tahir Ahmeti, drejtor i Departamentit të Pylltarisë në MBPZHR, ka theksuar se menaxhimi i qëndrueshëm i faunës se egër dhe zbatimi i ligjit në shumicën e rasteve sfidohet nga gjuetia ilegale, mungesa e ujit dhe çrregullimet klimatike.
Të gjitha të dhënat dhe raportet nga terreni konstatojnë se ka zvogëlim të shumicës së llojeve të kafshëve të egra që atakohen nga gjuetia ilegale, përfshirë edhe ato përherë të mbrojtura me ligj e sidomos dhia e egër , kaprolli dhe ariu. Shumica absolute e vendgjuetive në vendin tonë janë të varfra me kafshë të egra, pra niveli i popullimit është larg nën optimumin biologjik që ofrojnë kushtet mjedisore si : klima, mbulushmëria e terrenit me vegjetacion, kushtet orografike, uji i disponueshëm, kualiteti i ushqimit, qetësia dhe madhësia e habitatit etj.
Edhe përkundër një varg masash të ndërmarra nga MBPZHR-ja, MMPH-ja, komunat, OJQ-të për ta menaxhuar qëndrueshëm këtë sektor, rezultatet janë larg atyre të pritura. Përgjegjësia e MBPZHR-së është në hartimin e politikave , strategjive sektoriale, programeve, hartimin e legjislacionit dhe inspektimi.
Ligji Nr. 02/L-53 për gjuetinë rregullon menaxhimin e qëndrueshëm, kultivimin, mbrojtjen, gjuetinë dhe shfrytëzimin e faunës së egër si pasuri natyrore me interes të përgjithshëm që gëzojnë mbrojtje të veçantë.
Nga 1 korriku deri më 14 shkurt është periudha ku mund të praktikohet gjuetia në vend.