Jo shumë larg Komunës së Vitisë gjendet fshati Remnik. I vendosur mes shpateve e me një pamje mahnitëse, ky fshat kaloi nëpër shumë sfida gjatë luftërave që janë zhvilluar në vend.
Misin Ibrahimi, 84-vjeçar, i ka të freskëta në kujtesë kohët kur gjatë okupimeve banorët e Remnikut dëboheshin nga vendlindja e detyroheshin që ta linin atë.
Me mendje e zemër në Remnik, kur situata në vend e rajon qetësohej, ata ktheheshin, rrëfen Ibrahimi.
E lufta e fundit në vend i gjeti banorët e Remnikut të bashkuar e gati për t’iu dalë në ndihmë jo vetëm bashkëfshatarëve, por edhe qytetarëve anembanë vendit.
Madje edhe shumë refugjatë gjetën strehim ne Remnik.
Xhamia e fshatit, që në atë kohë nuk i kishte as dy vjet që ishte ndërtuar, shërbeu si ambulancë me emrin “Nëna Terezë”.
Mijëra qytetarë morën trajtime mjekësore aty gjatë viteve ‘98 e ‘99. Tash ambulanca e fshatit mban emrin e njëjtë e është zhvendosur vetëm pak metra më larg.
Secilën herë që me dhunë u përzunë nga vendlindja e tyre, ata gjetën një mënyrë për t’u kthyer e tash në liri të rinjtë po e braktisin me vetëdëshirë Remnikun, tregon Ibrahimi.
Një pjesë e madhe e tyre kanë marrë rrugën e mërgimit në kërkim të një jete më të mirë, por vendin ku kanë lindur e janë rritur nuk po e harrojnë.
Me ndihmë në forma të ndryshme ata që janë në mërgim po japin kontribut për Remnikun. E sipas 84-vjeçarit, ata janë shtylla kryesore e këtij fshati.
Tash një pjesë e madhe e banorëve rezidentë po merren me blegtori, marrë parasysh kullosat e bollshme që ka Remniku.