SOT

Fatosat e pandemisë, të gëzuar për klasën e parë

Muaji që fëmijët i gëzohen shumë është ai i shtatorit.

Këtë vit, edhe pse më vonë se zakonisht, shumë vogëlushë janë ulur në banka për ta filluar klasën e parë.

Ata në shkollën “Nazim Gafurri” në Prishtinë tashmë janë njoftuar me mësuesen dhe me shokët e shoqet e klasës.

Me abetaret mbi banka e të gatshëm për mësim, këtë orë po e mësojnë kalendarin e ditëlindjes, ku edhe po i vendosin datat e lindjes së tyre.

Edhe pse nuk ka kaluar shumë kohë prej kur ka filluar mësimi, nuk po ngurojnë ta shprehin gëzimin e të tregojnë për lëndën e tyre të preferuar.

Edhe mësuesja Xhejlane Grajqevci shprehet e gëzuar që mësimi ka filluar me pjesëmarrje fizike dhe e ka mundësinë që t’i njohë nxënësit e saj nga afër.

Marrë parasysh rrethanat me pandeminë, ajo tregon që kujdesi është i shtuar. Nxënësit tashmë i dinë masat mbrojtëse kundër përhapjes së virusit.

E befasuar me kureshtjen që nxënësit e klasës së saj e kanë, ajo vjen e përgatitur secilën ditë me përgjigje për pyetjet e shumta që ata i kanë.

Kjo është një dukuri pozitive, sipas mësueses, sepse ku ka kureshtje, ka edhe dëshirë për të mësuar gjëra të reja, e që për fatosat do të jenë të shumta.

Ani pse nuk ka kaluar një muaj i plotë qëkur viti i ri shkollor ka filluar, një orë në klasën e mësueses Xhejlane zhvillohet me aktivitete të ndryshme e shpeshherë edhe me shpjegime vizuale nëpërmjet projektorit.

Kjo ka ardhur me të gjitha ndryshimet që i koha i sjellë edhe në mësimdhënie. Nxënësit po e mirëpresin duke shprehur interesim e duke qenë të përfshirë.

Me përshëndetje po e përfundojnë mësimin për këtë ditë me gëzim për ta vazhduar me zell rrugën e dijes.