Fundviti për shumë qytetarë është edhe kohë e ëmbëlsirave. Çifti që e ka krijuar “Crust n Crumb” i bën ato pa sheqer dhe të shëndetshme. Këtë biznes e kanë hapur kohë më parë, por tash Agnesa Matoshi dhe Kastriot Rama janë bërë edhe me lokal pas mbështetjes së donatorëve të huaj. Ndonëse nuk janë veganë, ushqimet vegane dhe veganizmi është orientimi kryesor i tyre, raporton KOHA.
“Fillimisht e kemi nisur biznesin në rrjete sociale (në Instagram e Facebook). Kemi filluar në vitin 2018, në këtë kohë përafërsisht... Kemi filluar me porosi online, domethënë vetëm me ëmbëlsira të plota. Pastaj duke e parë kërkesën e klientëve se kanë dëshirë të provojnë edhe gjëra të tjera, kemi aplikuar për një grant në Kosova Women for Women në bashkëpunim me GIZ-in Gjerman. E fituam atë grant dhe na mundësoi të zhvillohemi edhe më tutje”, thotë Agnesa Matoshi, bashkëpronare e biznesit të ëmbëlsirave.
Interesimi, sipas saj, është rritur për ëmbëlsirat vegane, sado që ekziston paragjykimi se ato nuk kanë shije të mirë, shpesh te personat që nuk e kanë pasur mundësinë t’i provojnë ato. Agnesa thotë se tashmë Kosova ka komunitet të veganëve.
“Këtu punoj bashkë me Kastriotin. Kastrioti është i fejuari im... Jemi vetëm ne të dy. Ideja ka ardhur sepse është parë nga kërkesat e njerëzve”, thotë ajo.
Agnesa tregon për llojet e ndryshme të ëmbëlsirave, duke i përfshirë ato ku dominon shija e bananes e bajameve.
Ajo e demonstron edhe atë që është një recetë e lehtë e topthave, apo siç njihen gjerësisht në Kosovë “bombica”.
Për ëmbëlsirat nuk i përdorin vezët, qumështin shtazor apo produkte të tjera shtazore. Madje, duke synuar t’i bëjnë sa më të shëndetshme, bëhen pa sheqer. Si ëmbëlsues përdoren hurmet.