Me biçikletën e tij ka marrë rrugë nga Lipjani për në Prishtinë, e udhëtimet e tilla për Egëzon Barutin tanimë janë të zakonshme.
Veturën rrallë e nxjerr në trafik, thotë se pasioni i tij për biçikleta ka bërë që më shumë ta kursejë kohën, e sidomos në kryeqytet nuk e ka fare merakun e parkingut dhe trafikut të stërngarkuar.
“Jam Egëzon Baruti, vij nga Lipjani jam merakli i biçikletave, jemi një grup shumica aktivë në terren por operojmë edhe në Facebook, kemi mision promovimin e çiklizmit në Kosovë për përdorues por edhe për siguri. Sot kam ardhur nga Lipjani me biçikletë në Prishtinë dhe më lehtë e kam kështu sepse nuk kam problem me parking, në fundjavë organizojmë aktivitete të ndryshme në vend dhe jashtë, kemi qenë në Peshkopi, Milot, Batllavë, Batovc, bëjmë më qindra km, javën e ardhshme kemi në plan të shkojmë në Tetovë, por për të zhvilluar këtë sport mungon infrastruktura”, thotë Baruti.
Sipas tij, rrugët në Kosovë nuk janë fare të përshtatshme për ta zhvilluar këtë sport, e shpeshherë janë të rrezikuar.
“Ne si çiklistë nuk mund ta shfrytëzojmë autostradën, magjistralet janë të ngushta dhe jemi në rrezik nga ana e shoferit, as ata nuk janë fajtorë sepse rrugët janë tejet të ngushta dhe në këtë mënyrë nuk kemi siguri fare në trafik, mungon po ashtu edhe mirëmbajtja e rrugëve, mund të rregullohet kjo çështje me pak kosto vetëm kërkojmë zgjerim rruge që ta shfrytëzojmë edhe ne çiklistët”, deklaron Baruti.
Ai thotë se ky pasion iu krijua si fëmijë kur bënte rrugë të gjata për në Prevallë.
“Pasioni për biçikletë është që nga fëmijëria, unë jam me origjinë nga Prizreni dhe në Prevallë kemi udhëtuar shpesh kemi bërë dhjetëra km gjatë ditës, biçikletën që e kam është e destinuar për rrugë por në vendin tonë meqenëse infrastruktura mungon nganjëherë detyrohem ta marr biçikletën që është për male sepse rrugët janë me gropa”, shton Baruti.
Çiklisti thotë se Lipjani dhe Prizreni janë dy vendet me infrastrukturë pak më të mirë se tjerat për të udhëtuar me biçikletë, me shpresën se edhe të tjerat qytete do të mendojnë edhe për këtë komunitet.
“Si ambient i përshtatshëm për çiklistë është Lipjani është rrugë e drejtë dhe i shfrytëzojmë fshatrat, po ashtu edhe Prizreni ka rrugë të mira dhe ka të dedikuara për çiklistët, Prishtina nuk është në gjendje të mirë janë ndërtuar disa rrugë por ato janë të papërshtatshme edhe gjeografia ndoshta e bën më problematike të zhvillojmë këtë sport”, thekson Baruti.
Ai thotë se rruga më e gjatë që ka bërë deri më tani ka qenë për datëlindjen e të birit, me biçikletë udhëtoi qindra kilometra vetëm për ta uruar atë.
“Rrugën më të gjatë e bëj Lipjan-Prizren, i tregoj nënës që jam nisë e ajo mendon se ndoshta jam me autobus por kur nuk i përgjigjem në telefon e kupton se jam nisur me biçikletë, e deri tani udhëtimin më të gjatë e kam pasë për në Kamenicë kam shkuar për ditëlindjen e djalit që ta befasojë dhe gjithë rrugëtimin e kam bërë me biçikletë”, deklaron Baruti.
Egëzoni thotë se si merakli i biçikletave synim ka të promovohet sa më shumë ky sport në Kosovë, ku përveç kursimit, ndikon edhe në shëndet të mirë te gjithsecili.