Gjelbërimi përbën një pjesë të konsiderueshme të lagjes “Dardania”, që e ka planifikuar arkitekti i parë shqiptar i Kosovës, Bashkim Fehmiu, në vitin 1962. Banorë e pronarët e lokaleve përreth mund të mos e dinë se mbi këto ndërtesa ka drunj. Por ata i ka parë udhëheqësi i ndërtesës numër 1 të ndërtesave të gjelbra mbi “Kurriz”, Ali Maloku.
Dy drunjtë që duket sikur kanë depërtuar në ndërtesë nuk janë të vetmit këtu. Ndërtesat përreth kanë të tillë.
Nga kulmi i rrafshët i kësaj ndërtese shihen edhe drunj në saksi. Por, sipas Malokut drunjtë më të afërt këtu janë rritur pa intervenuar dora e njeriut.
Ai thotë se kjo hapësirë mund të pastrohet e rregullohet nëse bëhet ndonjë organizim i përbashkët me të rinjtë e lagjes.
Sipas profesorit të materialeve ndërtimore, Naser Kabashi, aty duhet bërë një vlerësim për ndikimin e bimëve në konstruksion.
Ngjashëm, Maloku thotë se do t’i konsultojë ekspertët dhe që bashkërisht me banorët ta bëjnë një ndryshim në pjesën e sipërme të ndërtesës.
Gjithsej në ndërtesat e gjelbra e të kuqe në “Dardani” numërohen tetë drunj në kulme.