Me fillimin e uljes së temperaturave në Prishtinë, ka filluar të vërehet edhe ndotja e ajrit.
Matësi në qendër të qytetit tregon se ajri është i pashëndetshëm.
Në këtë pikë, Prishtina është radhitur në vendet e para krahas qyteteve të tjera për ndotje të madhe.
Sipas njohësve ndotja e ajrit është në nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara. Ngrohja me qymyr e dendësia në trafik e bëjnë Prishtinën të pashëndetshme në dimër.
Nuk është vetëm kryeqyteti ku kërkohet që të merren masa. Antigona Dervishaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se disa qytete të tjera kanë nivel të njëjtë të ndotjes.
Për Zeqir Veselajn, njohës i ambientit, bashkë me Prishtinën për ajrin më të ndotur rangohen edhe Fushë-Kosova dhe Obiliqi. Këto vlera, sipas tij, ndikojnë në paraqitje të sëmundjeve në mushkëri.
Secili dimër Kosovën e gjen me temë diskutimi për cilësi jo të mirë të ajrit, por me pak punë nga institucionet, thonë qytetarët.
Shkumbin Shala nga Instituti hidrometeorologjik i Kosovës, që bën monitorimin e ajrit, thotë se edhe ky dimër ka vlera shqetësuese për shëndetin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja e ajrit vret rreth shtatë milionë njerëz në mbarë botën çdo vit. Të dhënat nga kjo organizatë tregojnë se ajri i ndotur është kërcënuesi më i madh i shëndetit, veçanërisht te personat me sëmundje kronike.