Fshati Brainë i Komunës së Podujevës ndodhet afro 30 kilometra në periferi të qytetit dhe zë një sipërfaqe të madhe në këtë komunë.
Ekipi i emisionit “Sot” përmes rubrikës “Tour” i sjell karakteristikat e këtij fshati.
Nga afro 300 shtëpi sa kishte Braina para periudhës së luftës, sipas banorit Avdyl Halili, tani kanë mbetur vetëm 12 të banuara.
Por, kur flet për veçantitë e fshatit, aty ai i përmend burimet e shumta e të pashtershme të ujit nëpër pjesë të ndryshme të Brainës.
Kroi i parë më i afërt që e kanë banorët e paktë të mbetur në këtë fshat, njihet si “Kroi i Qukës”.
Edhe
Banori i Strazhës shndërron lisin 200-vjeçar në burim uji
“Kroi i Qukës është quajtur çdo herë. Ai ka qenë në pronësi të familjes Halili. Por, nga ky krua janë shërbyer shumë familje këtu, e edhe kalimtarët e rastit”, thotë Halili.
Me të lënë pas këtë krua, rruga drejt gati 1300 metrave lartësi mbidetare, të dërgon te një krua tjetër të quajtur “Kroi i Nizamëve”.
“Ky burim quhet ‘Gurra e Nizamëve’. E kemi shfrytëzuar të gjitha familjet e lagjeve këtu. Është pronë shtetërore, andaj edhe nuk kemi mundur ta rregullojmë këtë hapësirë apo të ndërhyjmë në të”, tregon banori.
Me të arritur pranë të ashtuquajturit “Kroi i Nizamëve”, për të cilin Halili thotë se nuk di për historinë që fshihet pas emrit, ndeshëm bariun me disa krerë lopë.
Edhe
Prevalla me fluks vizitorësh për ujin e famshëm
Blegtoria edhe është veprimtaria kryesore e banorëve rezidentë në Brainë.
Në këtë fshat, shpërngulja masive e popullsisë atje kishte ndodhur gjatë luftës, teksa theksojnë se ata që janë larguar, nuk janë kthyer në vendbanimin e tyre.