Për shumë të rinj që synim e kanë avancimin në artin muzikor, destinacioni i parë është shkolla e muzikës.
Ajo “Prenk Jakova” në Prishtinë çdo shtator i hap dyert për nxënës të shumtë që ta fillojnë rrugëtimin në këtë fushë.
Ky vit shënon edhe 72-vjetorin e themelimit të kësaj shkolle nga e cila kanë dalë fytyra të njohura në skenën e muzikës në Kosovë.
Pavarësisht kësaj, stafi dhe nxënësit e shkollës “Prenk Jakova” ballafaqohen çdoherë me mungesën e një objekti që i plotëson kushtet për të qenë shkollë e muzikës.
Ndër vite janë transferuar nëpër objekte të ndryshme, gjë që paraqet problem në zhvillimin e mësimit të mirëfilltë, tregon drejtoresha Jeta Dida-Bujari.
Objekti ku së fundmi është vendosur Shkolla e Muzikës është ai i shkollës së mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”.
Përshtatja në hapësirën e re është e vështirë për ta, meqenëse klasat e mëdha është dashur të ndaheshin.
Kjo u bë me anë të materialeve të holla, gjë që e pengon mbajtjen e lëndëve teorike nga tingujt e instrumenteve dhe anasjelltas.
Kërkesa që kjo shkollë ta ketë objektin e saj është paraqitur shpeshherë tek institucionet, tregon drejtoresha.
E, edhe nxënësit e shohin si më se të nevojshme dhe urgjente këtë nevojë.
Notat e para në piano të vegjëlve ua mëson Njomëza Kastrati.
Gjatë orëve të pianos ajo i dëgjon kolegët në klasën tjetër sikur të ishin aty.
Kjo ua vështirëson mësimin pianistëve të vegjël.
Krahas gjithë kësaj, sukseset e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” nuk janë të pakta.
Me aktivitete, koncerte e recitale e mbushin secilin vit shkollor.