SOT

10 emrat më të shpeshtë të foshnjave në Kosovë

Gëzimi i familjes është ardhja e një foshnje në jetë. Shumë kohë më parë trashëgoheshin emrat e paraardhësve, ndërsa së fundmi janë në trend emrat e shkurtër me sa më pak shkronja.

Zyrtari i gjendjes civile në QKUK, Muhamet Ramadani, ka bërë të ditur dhjetë emrat më të shpeshtë me të cilët janë pagëzuar të sapolindurit gjatë vitit 2022 dhe fillimit të vitit 2023. Ata janë: Troi, Dua, Tian, Hana, Ajan, Inara, Bora, Unik, Alea dhe Ajla.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndreja, ka thënë se ndryshe nga vitet paraprake, viti 2022 dhe fillimi i 2023, në Kosovë është rritur numri i lindjeve.

Ai thotë se djemtë prijnë për nga numri i lindjeve.

“Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike gjatë vitit 2021 kanë qenë gjithsej 8 mijë e 744 lindje, prej tyre me prerje cezariane 3 mijë e 217. Shtatzëni gemellare-bineq 202 lindje, treneq kanë qenë 16 lindje, ndërsa katërneq kanë qenë 2 lindje. Në këtë vit kanë lindur 4 mijë e 734 meshkuj, ndërsa të gjinisë femërore 4 mijë 248”

“Në vitin 2022 në këtë klinikë janë kryer gjithsej 8 mijë e 809 lindje, prej tyre me prerje cezariane 3 mijë e 283, me bineq 219 lindje, treneq 20 lindje, ndërsa katërneq në këtë vit nuk kemi pasur asnjë lindje. Gjithsej foshnja të gjinisë mashkullore kanë qenë 4 mijë e 656, ndërsa të gjinisë mashkullore 4 mijë e 412. Ndërsa nga muaji janar deri më sot janë kryer 779 lindje, me prerje cezariane 285, me bineq 18 lindje. Gjithsej meshkuj kanë lindur 396, ndërsa të gjinisë femërore 401”.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga një studim i bërë në vitin 2017, emri më i gjatë në Kosovë është Ismailqemal dhe Mirandolinda, me gjithsej 12 shkronja. Ndërsa emri më i shkurtër Ad dhe Al.

VIDEO: