Është një sport shumë i veçantë. Shpeshherë di të jetë argëtues dhe me plot emocion.
Për dallim nga sportet e tjera automobilistike, kartingu si aktivitet rekreativo-sportiv ofron shumë mundësi për t’i zhvilluar talentin dhe dëshirën që njerëzit kanë për të vozitur.
Veturat e vogla shërbejnë si mjet për të bërë karting. Secila prej tyre mban emrin e superheronjve dhe personazheve të caktuara, të cilat mund të përshkruajnë edhe karakterin e garuesve të ndryshëm.
E këtyre veturave u nevojitet një pistë si kjo në mënyrë që të arrijnë shpejtësinë e tyre dhe t’i kënaqin personat që janë të interesuar të provojnë emocionet që dhuron gara.
Gjithçka fillon dhe mbaron në vijën e finishit, ku çdo xhiro matet me kohë, përmes këtij sistemi elektronik.
Ambientimi me këtë sport nuk është shumë i vështirë, e sidomos për të rriturit, shumica e të cilëve vozisin vetura pothuajse çdo ditë. E, ndonëse synimi kryesor është që garuesi të përfundojë garën sa më shpejt, kontrolli i veturës në kthesat e ndryshme është mjaft i përshtatshëm dhe mundësitë për aksident janë minimale. Kjo për shkak se pista që ofron “GoKart Prishtina” është e projektuar nga ekspertë të huaj, të cilët kanë ndihmuar pronarët e kësaj qendre në këtë drejtim.
Mes vete njerëzit që vijnë këtu garojnë me pasion për të arritur sa më shpejt cakun, e kjo “përplasje” e tyre prodhon emocione të përcjella me argëtim.
Karting është një aktivitet që mund ta provojë secili, si opsion për t’u argëtuar me shoqëri dhe “GoKart Prishtina” është një vend ideal për të bërë diçka të tillë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.