SOT

3 galeritë e shpellës së Radacit me shumë bukuri

Jo fort larg Ujëvarës së Drinit gjendet Shpella e Radacit. Emrin artistik e mban “Bukuroshja e Fjetur” ngase për shumë kohë pasi u zbulua nuk ishte e qasshme për vizitorë, - Qëndroi e fjetur deri në vitin 2016.

Brenda saj fshihet një botë krejtësisht ndryshe. Stalaktitet dhe stalagmitet janë gjurmët që rrjedha e ujit i ka lënë ndër shekuj.

Ato kanë marrë forma të ndryshme, e nuk të lënë t’i heqësh sytë deri sa e gjen se si çfarë duken.

Tunele, kanale, galeri e salla të gdhendura nga natyra i japin Shpellës së Radacit një pamje madhështore, e të shton dëshirën për ta eksploruar.

3 galeri gjenden brenda saj. Dy nga të cilat mund t’i vizitojë secili. Njëra ndër këto të 3-ja mbetet më e veçanta. Është galeria e liqeneve, të cilën për ta vizituar, përpos që duhet një rezervim, hyn në punë edhe përvoja në aktivitete më ekstreme.

90 metra nën 2 galeritë e para ndodhet ajo e liqeneve, e rruga deri aty ka shumë kanale e tunele. Kalimi i secilit prej tyre të shpërblen me një pamje mahnitëse të ujit si kristal të liqenit të parë. Të tjerët më tutje janë të qasshëm vetëm me anë të pajisjeve zhytëse.

Që nga viti 2016, ky atraksion u bë cak i shumë turistëve, si nga vendi ashtu edhe të huaj. Alpa Bojku, tash 20-vjeçare, qëkur i kishte 13 vjet u trajnua si udhërrëfyese. E tash, që nga prilli e deri në tetor ajo ua rrëfen rrugën të gjithë atyre që e vizitojnë këtë shpellë.

Banorë të zakonshëm të së cilës janë edhe lakuriqët me qëndrimin e tyre misterioz në gurët gëlqerorë. E që nuk paraqesin asnjë rrezik për njerëzit, rrëfen Bojku për emisionin “Sot”.

Korriku e gushti janë muajt gjatë së cilëve ka më së shumti vizitorë që shkojnë të gjejnë freski në Shpellën e Radacit, e cila e mban temperaturën konstante prej 4 gradësh Celsius.