Shtojca për Kulturë

Vendi i shpellës “Bukuroshja e fjetur” po zgjohet për turizëm

Shteti dikur i rrënuar nga lufta, Kosova, ka shumë bukuri natyrore, përfshirë disa prej shpellave më mahnitëse në Evropë

Në një mëngjes vjeshte në afërsi të fshatit Radac në Grykën e Rugovës në Kosovë, mora rrugën në këmbë nga hoteli ku po qëndroja përgjatë lumit Drini i Bardhë, një habitat për trofta që rrjedh nga maja e Rusolisë e Bjeshkëve të Nemuna gati njëqind milje drejt jugut në Shqipëri.

Ujëvara e lumit, më e madhja e Kosovës, është një spektakël i mrekullueshëm i kaskadave episodike.

Më pas vazhdoj përgjatë një shtegu gati gjysmë-milje derisa arrij te një portë hyrëse të një shpelle.

Një grua e re në të njëzetat qëndronte në një kabinë aty pranë. Emri i saj ishte Melisa Bojku, dhe pasi pranoi dy euro, më dha një helmetë, eci me çelësa në dorë drejt portës dhe së bashku kaluam nëpër një hapësirë të ngushtë për të hyrë në shpellë. Ishte ftohtë dhe kishte lagështi brenda. Disa lakuriqë fluturuan mbi kokat tona.

Një erë myku, por jo mbytëse, mund të nuhatej brenda. Dyshemeja e shpellës ishte e rrëshqitshme, por jo e vështirë për t’u menaxhuar, dhe korridoret e saj gëlqerore të mprehta ishin ndriçuar me drita të gjelbra, verdhë e kuqe. Ishte sikur të futeshe në një katedrale madhështore të një hyjnie të lashtë.

Bojku tha se si shpella e gdhendur prej ujërave, ishte së paku dy milionë vjet e vjetër dhe se pullat e lagura të stalagamitit pranë këmbëve tona ishin sikur foshnja, ndoshta rreth 500 vjet të vjetra, krahasuar me stalakitet që shkëlqenin sipër.

Duke zbritur ngadalë poshtë, ne arritëm të shihnim përfundimisht shtratin e errët të një kanali nëntokësor. Më poshtë nesh, banonte një popullatë e madhe e padukshme insektesh.

Nuk arritëm të vizitonim një dhomë tjetër. Bojku kërkoi falje, tha se në atë dhomë janë mbetjet njerëzore të epokës së Neolitit më tepër se 6 mijë vjet më parë që po ekzaminohen tash nga arkeologët. Një plumb nga Lufta e Parë Botërore është gjetur atje. Mund të ketë gjithashtu dëshmi të ushtarëve nga Lufta e Dytë Botërore, sipas historive vendase, i kishin thënë Bojkut. Kush e di se çfarë mund të dalë në pah gjatë gërmimeve?

Mund të ketë mijëra lakuriqë nate në shpellë që përfaqësojnë tetë lloje të ndryshme të specieve.

“Gjatë ditës, ata relaksohen brenda”, thotë Bojku.

Me një buzëqeshje në fytyrë, paksa e ndrojtur, ajo tregon: “Më pëlqen të vij këtu pasi e përfundoj punën, rreth orës 4 apo 5 pasdite, vetëm të qëndroj e të dëgjoj duke fluturuar përreth. Shoqëria ime mendon se jam pak e çuditshme”.

“Të çmendurit” e shpellave

Shpella “Bukuroshja e fjetur”, siç njihet fenomeni gjeologjik i lashtë i Radacit, u zbulua për herë të parë në vitin 1968 nga arkeologët serbë. Por, nuk do të shfaqej në asnjë hartë të Kosovës, e aq më pak të kthehej në një destinacion turistik që tërheq deri 23 mijë vizitorë të rritur në vit, po të mos ishte angazhimi i Fatos Katallozit, një 57-vjeçari që e mori një nxënëse krejtësisht normale siç është Bojku dhe e trajnoi atë për t’u bërë “e çmendur” pas shpellave.

Katallozi është pothuajse përgjegjësi i vetëm për vendosjen e Kosovës si një prej destinacioneve kryesore në Evropë për eksplorim të shpellave. Historia e tij është shumë e ngjashme me atë të kosovarëve të tjerë që kanë treguar vendosmëri të jashtëzakonshme për rindërtim të vendit të shkatërruar nga lufta e dy dekadave më parë.

Megjithëse shpellat e njohura botërisht përfshijnë edhe ato prej akulli (siç është gjiganti Eisreisenwelt në Werfen të Austrisë) dhe të tjera nga llava vullkanike (si Cueva de los Verdes në Ishujt Kanarinë) shumica prej tyre janë prej guri gëlqeror poroz.

Rajoni i Ballkanit, me afro 70 për qind të tokës së tij të përbërë nga gurë gëlqerorë, për rrjedhojë ka shumë shpella. Më e famshmja prej tyre, që gjithashtu është edhe më e madhja në Evropë: shpella Postojna rreth 15 milje e gjatë, që gjendet në Slloveni. Ajo u zbulua 200 vjet më parë dhe ka tërhequr mbi 38 milionë vizitorë gjatë viteve. Shpellat në Rumani përfshijnë disa më të thella se Postojna, ndërsa një pjesë e madhe e eksplorimeve të fundit u është kushtuar shpellave në Shqipëri e Bullgari.

Image
Stalaktitet në Shpellën e Gadimes. E zbuluar më 1966, është njëra prej shpellave të pakta nën menaxhim të shtetit (Foto: Bujar Gashi)

Ndonëse Kosova për nga madhësia është afërsisht sa Connecticut, për adhuruesit e natyrës është një parajsë e vogël e maleve muskulore dhe e rrugëve ujore vezulluese. Bota ka qenë e ngadalshme për të kuptuar këtë. Si shteti më i ri në Ballkan, për të mos përmendur edhe më i varfri dhe që nuk është njohur nga fqinji, Serbia, Kosova e shkatërruar nga lufta nuk e ka pasur të lehtë ta shesë veten si një vend turistik. Vendit i mungon një Ministri e Turizmit. Ka vetëm dy parqe nacionale që janë pothuajse plotësisht pa personel.

Industria e pazhvilluar e turizmit e Kosovës për këtë është më shumë e mbështetur nga iniciativa e protagonistëve vendas, si Katallozi.

Kam takuar Katallozin në biznesin e tij, “Outdoor Kosova”, i cili ndodhet në qytetin e lashtë tregtar të arit dhe argjendit, në Pejë. Qyteti ishte rrafshuar thuajse tërësisht nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 dhe më pas u rindërtua. Pjesa e jashtme e zyrës së Katallozit ende mban shenja të luftës.

Katallozi më çoi te xhipi i tij, që ishte i mbushur me pajisje të ndryshme dredha-dredha. Dolëm në veriperëndim, jashtë trafikut të qytetit dhe 20 minuta të tjerë për në Grykën e Rugovës, duke u zhytur në një varg pyjor që ishte elektrizues me gjethe vjeshte, ujëvara që derdheshin nga çdo fasadë malore që dukej.

“Si një fëmijë malësor, isha gjithmonë kurioz për shpellat”, tregoi Katallozi, ndërsa po udhëtonim me veturë. “Por nuk mund të ecësh në një pa ndriçim special”.

Ai rikujton se ishte në një piknik me familje në Radac, te vendi i njohur për fluturat, dhelprat e lulet, dhe natyrisht për ujëvarat madhështore.

Ai thotë se aty fshatarët që shisnin mjaltë vendore dhe arra e çuan familjen Katallozi në shpellë. E kujton ende ajrin e ftohtë që vinte nga hyrja e ngushtë. Nuk hynë brenda, por djaloshi tha se një ditë do ta bëjë këtë.

Image
Hyrja për në Shpellën e Mbretëreshës ofron një pamje të Grykës së Rugovës. Për të arritur te kjo shpellë, speleologët duhet të ngjiten nëpër via-ferrata deri tek ura tibetiane (Foto: Bujar Gashi)

Kaluan vite, gjatë të cilave Katallozi shërbeu në ushtrinë jugosllave dhe më pas ndoqi studimet në Kosovë, derisa zyrtarët serbë ndaluan mësimin në gjuhën shqipe, që ishte e ndaluar nën regjimin e Milosheviqit. Katallozi u zhvendos në Londër gjatë luftës, ku punoi si inxhinier në mirëmbajtjen e hekurudhës. U kthye në vitin 2002 për të parë Pejën ende të rrënuar. Kosova nuk kishte nga të shkonte pos lart. Por, Katallozi zbriti poshtë.

Në vitin 2005, ai dhe disa shokë formuan një klub speleologjik në Kosovë. E bëri mision për të vizituar shpella në çdo shtet që vizitoi në Evropë, nga Greqia deri në Luksemburg. Duke e bërë këtë, Katallozi e rikujtoi shpellën e rinisë së tij dhe ujëvarën joshëse pranë saj. Ai u kthye tek ajo, u zvarrit për të hyrë brenda, mbajti një llambë dhe u mahnit nga ajo që pa.

Komuna e Pejës u pajtua ta lërë Katallozin që ta përdorte shpellën e saj si destinacion turistik. Hartoi një propozim për të ngritur ura metalike, e për pajisje ndriçimi. Në tetor të vitit 2016, një agjenci zvicerane që investon në agrikulturë në Kosovë dhe në programe të turizmit dha një grant të vogël, me kusht që të punësojë të paktën tre punonjës lokalë, së paku një nga të punësuarit duhet të jetë grua. Katallozi punësoi shtatë, përfshirë Melisa Bojkun.

Ai e hapi shpellën për vizitorët një vit më vonë, në prill, me një emërtim të ri – “çfarë do të vizitonit më përpara, Shpellën e Radacit apo Shpellën e Bukuroshes së Fjetur?” – pyet Katallozi.

Botët e fshehura

Katallozi thotë se çdo shpellë është ndryshe siç është ndryshe çdo trup i njeriut. Ato kanë histori të veten, morfologjinë, klimën dhe dimensionin.

Në Grykën e Rugovës, ne zbritëm në kompleksin më të madh nëntokësor të vendit: Shpellën e Grykës së Rugovës, një vend impozant me kunja gëlqerore, e me tavane të larta, e me katër liqene nëntokësore që ende nuk janë shpalosur plotësisht.

Për të eksploruar atë duhet gjysmë dite, e po ashtu edhe të kesh forcën e nevojshme.

Katallozi dhe klubi i tij janë kujdestarët e vërtetë të shpellës, kanë në posedim çelësat e vetëm të hyrjes.

“Është si një labirint dhe pa një ciceron njeriu humb”, tha ai, duke mos pasur nevojë të shtjellohej më tej.

Më lehtë për t’u eksploruar janë katër shpella në fshatin Kusari, që janë të arritshme nga një shteg pyjor.

Të mbuluara nën gjethe të dendura, katër shpellat e Kusarit janë më pak të shquara për veçoritë gjeologjike të tyre, sesa për vijat e errëta të zjarrit përgjatë mureve, që tregon se njerëzit dikur jetonin brenda. Katallozi ka zbuluar një sërë eshtrash të gjitarëve të lashtë.

Vendasit – duke përfshirë barinjtë që i treguan Katallozit për shpellat e Kusarit – vazhdojnë të flasin për to si të ishin të shenjta.

Me ndihmën e kryetarit të Kusarit, Katallozi mblodhi fonde për të ndërtuar shkallët e po ashtu mbajtëset në të gjithë rrjetin e shpellave. Për këtë, Katallozi është edhe përgjegjës për hapjen e Shpellës së Grykës së Rugovës për vizitorët, pasi shpenzoi vite me ekipe nga Sllovakia dhe Italia duke hartuar thellësitë e saj.

Si me shpellën “Bukuroshja e fjetur”, ato janë ekspozita të drejtpërdrejta natyrore – një kontrast i qartë me Shpellën e Gadimes, që është e mermerit, dhe që nuk gjendet shumë larg kryeqendrës Prishtinës, me një portë prej xhami, me restorantin dhe rrëmujën e përditshme nga nxënësit e shkollave.

E ardhmja e çdo shteti, përfshirë edhe e Kosovës, varet pjesërisht edhe nga tendenca se si e trajton të kaluarën.

Sot, pejani Katallozi vazhdon t’i eksplorojë malet perëndimore të Kosovës, me sytë e tij në gatishmëri për të gjetur shenja uji që dalin nga gurë gëlqerorë.

“Janë kudo atje lart”, tha Fatos Katallozi, ndërsa po udhëtonim nëpër malin Pashtrik përgjatë kufirit shqiptar. “Do të doja të eksploroja këtu, por nuk është e sigurt”.

Beteja njëmujore e vitit 1999 në Pashtrik, shpjegon Katallozi, ishte ajo ku UÇK-ja e ndihmuar nga sulmet ajrore të NATO-s më në fund theu ushtrinë serbe, duke i detyruar të dorëzoheshin ushtarët serbë. Mali mbetet i mbushur me bomba të NATO-s. Për tash, së paku, historia e fundit e Kosovës ka bërë që historia e lashtë e saj ende të jetë e paarritshme.

Marrë nga “National Geographic”. Përktheu: Shkumbin Sekiraça