Ishte vetëm 38 vjeçare kur zbuloi se vuante nga sëmundja e kancerit të gjirit. Lindita Hyseni-Pervetica është gruaja e hekurt, e cila betejat më të vështira në jetë i ktheu në fitore.
Vite më parë, në një ditë krejt të zakonshme, ajo e kuptoi se diçka nuk shkonte me trupin e saj dhe vendosi të shkonte për një konsultë të thjeshtë me mjekun e familjes, nga ku nisi edhe rrugëtimi i saj i vështirë për t’u përballur me sëmundjen.
Prishtinasja tregoi se në gjithë rrugëtimin e saj mbështetje e kishte familjen.
Linda në muajin për ndërgjegjësim për kancer të gjirit, thotë se gratë dhe burrat që diagnostikohen me këtë sëmundje duhet të gjejnë forcë për të luftuar.
Onkologia Vildana Goga-Çmega thotë se shumica e rasteve trajtohen me kimioterapi, ndërsa ka të tjerë që u nënshtrohen radioterapisë.
Kontrollet paraprake kanë bërë që 50% e rasteve të prekura me kancer të gjirit këtë vit janë zbuluar në stade të hershme.
Për mbështetjen e këtyre personave “Renesanca” – shoqata e grave në përkrahje të luftës kundër kancerit të gjirit u themelua në vitin 2017 në Prizren. Kjo shoqatë mbështet personat e atakuar nga kanceri i gjirit, ku si mision ka mbështetjen e tyre psikologjike, emocionale, sociale dhe ekonomike.
Udhëheqësja e kësaj shoqate, Violeta Pirana, na ka treguar se në bashkëpunim me donatorë të jashtëm kanë siguruar për gratë 376 paruka, 179 proteza eksternale, 212 brusa, 104 kapela apo shalle dhe 26 mbajtëse të parukave. “Renesanca” i ka furnizuar të gjitha pacientet e këtyre rasteve nga tërë Kosova.
Tetori, si muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, mbështet dhe informon gratë të prekura me ketë sëmundje derisa ofrohen mamografi falas nëpër institucione publike shëndetësore.