Që nga çlirimi Prishtina u përball me sfida të mëdha në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Shumë objekte historike, si xhamitë, hamamet dhe shtëpitë tradicionale, ishin dëmtuar gjatë luftës. Megjithatë, disa prej këtyre monumenteve kanë mbijetuar dhe vazhdojnë të jenë dëshmi të pasurisë kulturore të qytetit
Më 11 qershor 1999, Prishtina dhe rrethi i saj u çliruan nga forcat serbe, një ngjarje historike që pasoi më shumë se dy muaj bombardime intensive nga NATO-ja. Operacioni ajror, i nisur më 24 mars 1999, ishte një ndërhyrje vendimtare për të ndalur dhunën dhe spastrimin etnik kundër shqiptarëve në Kosovë.
Edhe pse atë kohë ishte vetëm 30 vjeç, Emin Sallahu mban të freskëta kujtimet e asaj periudhe. Historia e trashëgimisë kulturore të Prishtinës nuk i është e trashëguar vetëm nga librat, por edhe nga përvoja e tij si ushtar i UÇK-së.
Në mes tymit të luftës dhe gëzimit të çlirimit, ai mori urdhër t’i ruante objektet historike të qytetit nga keqbërësit.
Sot, 26 vjet më vonë, Sallahu qëndron para të njëjtit objekt, tani si historian dhe ekspert në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
“Fatmirësisht kam pasur fatin me qenë pjesë e luftës dhe e kam përjetuar bashkë me luftëtarë dhe qytetarë çlirimin e Prishtinës. Është një ndjesi e cila me pak fjalë është vështirë të përshkruhet sepse është një ngjarje e rëndësishme. Familja ime atë kohë ka qenë jashtë Prishtinës, në Maqedoni. Ka qenë shumë e veçantë kthimi i popullatës në mënyrë masive, kjo ka qenë njëra nga gëzimet shumë të mëdha sepse përpos ardhjes së lirisë ishte edhe fillimi i një jete të re. Uroj ditën e çlirimit dhe presim që Prishtina të përparojë, ashtu siç e kanë pasur dëshirë të parët tanë e të rënët për liri. Jem me fat që po e gëzojmë këtë liri. Ditët e parë të çlirimit në Prishtinë kanë qenë shumë interesante, njerëzit kanë pasur dëshirë të madhe të kthehen në shtëpitë e tyre. Unë si pjesëtar i UÇK-së, ka ardhur komanda që t’i mbrojmë objektet e vjetra nga keqbërësit. Unë fillimisht e kam mbrojtur këtë objekt, ku edhe sot punoj këtu”, thekson ai.
Me gjithë ndikimet e urbanizmit dhe politikat e së shkuarës, historiani thekson se trashëgimia kulturore e Prishtinës ende jeton në lagjet “Tophane”, “Dodona” dhe në qendrën e vjetër. Të gjitha këto monumente tani janë nën mbrojtje institucionale.
“Objekti që është prapa nesh është Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Është një objekt i shekullit XIX, përafërsisht 200-vjeçar. Edhe ky ‘dudi’-pema që jem ndër të është 200-vjeçar. Traditë ka qenë se shtëpitë e banimit paralel kanë pasur të mbjella edhe ndonjë pemë. Qyteti i Prishtinës fatkeqësisht nga urbanizmi, objektet e vjetra të veta janë tkurrur, e të cilat dikur e kanë karakterizuar Prishtinën. Në vitet ‘50, institucionet e atëhershme i kanë shkatërruar disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore në kryeqytet. Ka qenë një nismë ta shkathojmë të vjetrën dhe të ndërtojmë objekte të reja. Në këtë kohë janë dëmtuar një pjesë e madhe e objekteve të reja, por një pjesë tjetër ende jeton në qytetin e Prishtinës. Objektet e tilla janë nga Xhamia e Çarshisë, shatërvani, Xhamia e Jashar Pashës, Kulla e Sahatit, hamami në afërsi të Xhamisë së Madhe. Kompleksi i shtëpive të Emin Gjikut, apo Muzeu Etnologjik”, shton Sallahu.
Sot, 11 qershori shënohet si Dita e Çlirimit të Prishtinës, një ditë për të nderuar sakrificën e atyre që luftuan për liri dhe pavarësi, dhe për të kujtuar me respekt historinë dhe trashëgiminë që e karakterizon këtë qytet.