Këtë 22 shtator, Kohavision shënon vitin e 25-të të themelimit, e një muaj më vonë Meridiana Statovci gazetare në KTV do t’i mbush 25 vjet jetë, e cila tanimë është pjesë e kësaj shtëpie mediatike që është e vjetër sa vetë ajo.
Gazetarja e re mban mend disa nga emisionet e para të KTV-së, e si shikuese e vogël për të ishte ëndërr atë kohë që në një të ardhme të bëhej realitet arritja e punësimit në këtë medium.
“Unë jam edhe më e re se vetë Kohavisoni, kemi një muaj mes lindjes sime dhe të KTV-së, e mbaj mend shumë që nga koha e vjetër, ‘Një foto për moto’ ka qenë një ndër emisionet e mia të preferuara, ‘Fauna jonë’ e shumë të tjera që i kam përcjellë. Për mua ka qenë ëndërr e kamotshme që të punoj këtu, me kalimin e viteve situata ka ndryshuar por ajo çka mbetet është fryma e mirë, stafi i jashtëzakonshëm e gjithçka që krijon KTV për mua është kënaqësi me qenë pjesë e kësaj shkolle”, thotë Statovci.
Ajo tregon për vështirësitë e fillimeve të saj dhe kriteret që duheshin plotësuar për t’u përfshirë në ekipin e madh të KTV-së.
“Punësimi ka qenë i vështirë më herët për shkak kritereve, gazetarët e KTV-së gjithherë kanë qenë top gazetarët e vendit, por kur kam ardhë këtu e kam kuptuar që fryma është shumë më ndryshe sesa ajo që shihet jashtë për shkak seriozitetit që shihet. Stafi ka qenë mikpritës dhe ka qenë lehtë me depërtu sepse pavarësisht politikave editoriale nëse ke diçka në dorë dhe dëshiron ta publikosh ajo nuk të ndalohet”, deklaron Statovci.
Ajo edhe pse ndër më të rejat është pjesë e emisioneve profesionale në kompani.
“Nga gjithë stafi që punoj këtu, në emisonin SOT dhe 038, unë jam më e reja në staf, në shkurt bëj 3 vjet që i jam bashkuar kësaj shtëpie, shumë kënaqësi që jam pjesë e KTV-së, po ia dalim të ruajmë profesionalizimin këtu, edhe pse më duket se kam shumë vite por kjo është shkak komfortit që e ndiej në staf. Përvoja këtu deri më tani ka qenë shumë e mirë, ka pasë edhe vështirësi por gjithsesi kjo është arsyeja kryesore që unë nuk mendoj të ndërroj medium, nëse e bëj këtë atëherë e ndryshoj gjithë profesionin por asnjëherë tërësisht nuk do të heq dorë”, thotë Statovci.
E përderisa Statovci do t’i mbushë 25 vjet jetë, në anën tjetër gazetarja Mimoza Koprani-Muçaj ka aq vjet përvojë pune në KTV. Ajo ishte një ndër të parat që iu bashkua televizionit, madje ende pa nisur transmetimi.
“Përshkrimi i 25 vjetëve pune në KTV është sikur shkon në kinema me shiku një film dhe sado që është i gjatë kur del e kupton se sa shpejt ka ikur filmi, në të ka aksion, dramë, komedi ka raste kur edhe pikëllimi mbizotëron sepse janë 25 vjet punë, një jetë e tërë por megjithatë është një periudhë e jashtëzakonshme, një vend pune me dinamikë dhe je dëshmitar e bashkudhëtar i shumë zhvillimeve që i ka ndodhur vendit, që nga paslufta e deri më tani, një tranzicion i jashtëzakonshëm, bëhesh dëshmitar i ndërtimit të një shteti të ri”, shton ajo.
Koprani-Muçaj thotë se dashuria për profesionin vazhdon ta mbajë ende me energji të mirë në të njëjtin vend pune për tash e 25 vjet.
“Në aspektin profesional padyshim se me përvojë bëhet gjithçka e më e lehtë vjen më natyrshëm, e fillimi për një person që nuk ka pasur kurrë përvojë në gazetari patjetër se ka qenë më vështirë, por në aspekte tjera nuk është se ka ndryshuar por janë probleme tjera, kemi kaluar në tranzicion si shoqëri nga lufta në liri edhe si televizion kemi përjetuar digjitalizimin, sfidat kanë vazhduar por janë ndryshe. Vetëm dashuria për profesionin më mban, nuk kam arritë në një pikë ku unë dua të braktisë gazetarinë dhe të vazhdoj me diçka tjetër, përderisa jam në këtë profesion do të vazhdoj me këtë shtëpi në të cilën kam filluar punën dhe jam bërë kjo që jam”, deklaron Koprani-Muçaj.
Ajo mban mend një nga ngjarjet më të dhimbshme që kishte përjetuar si gazetare në terren, ishte periudha e pasluftës kur familjarët kërkonin përmes rrobave të dashurit e tyre që rezultonin të zhdukur.
“Kur ne filluam në vitin 2000 për shumë të tjerë nuk kishte përfunduar lufta ende ata duheshin të rimëkëmbeshin po ashtu kishin familjarë të zhdukur, por në atë kohë kishte energji të madhe për ta ndërtuar këtë shtet. Një rast që e kujtoj është momenti më i vështirë kur kam shkuar të bëj një kronikë për kufomat e zhvarrosura nga një varrezë masive në Serbi, në një vend ishin ekspozuar rrobat e tyre të nxjerra nga ajo varrezë masive e kurrë nuk e harroj atë aromë e atë pikëllim të familjarëve që me ato rroba mundoheshin të detektonin familjarët e tyre”, thotë Koprani-Muçaj.
Në 25 vjet pune në KTV ka dëshmuar që është televizion që qëllim ka informimin e drejtë dhe të paanshëm.