Dikur ishte qendër e rëndësishme e tregtisë në Prishtinë.
Bëhet fjalë për çarshinë e Prishtinës së Vjetër, e cila kishte funksione të shumta deri në vitet 1950-60-të, kur ishte shkatërruar.
Ky shesh, që sot njihet me emrin “Adem Jashari”, dikur kishte pamje krejt tjetër për shkak të çarshisë, e cila kishte rreth 300 dyqane. Për t’ua kthyer në kujtesë po atë pamje apo edhe për të kuptuar nëse qytetarët e dinë se si funksiononte kjo hapësirë, flasim me ta, e gjithashtu njihemi edhe me projektin e menduar për rikthimin e çarshisë në kryeqytet.
Është përmendorja e “Vëllazërim Bashkimit” ajo që u ndërtua me t’u shkatërruar Çarshia e Prishtinës, e cila qëndron edhe sot në mes të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.
Se çarshia i jepte pamje të bukur dikur Prishtinës, shprehen disa nga qytetarët që e kujtojnë prezencën e funksionin e saj.
Kishte edhe hulumtime dedikuar arkitekturës së çarshisë, siç ishte edhe ai nga Organizata “Trashëgimia pa kufij” shpjegimet rreth së cilës i jep arkitekti Nol Binakaj.
Me monumente të shumta kulturore, vjetërsia e qytetit të Prishtinës mund të vërehet në çdo cep të saj, ani pse një pjesë e tyre janë shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore.