SOT

Bishtazhini edhe më i zbukuruar për fundvitin pandemik

Me shumë drita për të ofruar ngrohtësi për festa. Kjo është pamja e fshatit Bishtazhin të Komunës së Gjakovës.

Dritat u vendosën nga vullnetarët që udhëhiqen nga Franë Prenrecaj bashkë me kishën e fshatit.

Idetë nga 12 vullnetarët kanë filluar qysh prej tetorit, ndërkaq puna intensive që ndonjëherë ka zgjatur edhe pas mesnate është bërë gjatë dy javëve të nëntorit. Risi tjetër e këtij viti kanë qenë edhe ndezja automatike e dritave dhe planifikimi i detajuar i zbukurimeve.

Ka qenë diaspora e fshatit ajo që ka dhuruar para pa iu kërkuar, që të krijojë atmosferë më të mirë në kohë pandemie, thotë famullitari i Kishës së Zonjës Rruzare, Don Lush Sopi.

Derisa afërsisht 60 për qind e Bishtazhinit është në Zvicër, Gjermani, Shtete të Bashkuara e shtete të tjera, ata kanë krijuar një trekëndësh të fortë me rininë e kryesinë e fshatit. Kryetari i fshatit Vitor Prenrecaj thotë se shkaku i këtij zbukurimi ka vizitorë nga vende të ndryshme.

Duke mos bërë promovim të madh në rrjete sociale, vullnetarët dhe banorët e fshatit po përpiqen t’i shmangin grumbullimet e mëdha në mënyrë që të jenë sa më të kujdesshëm ndaj përhapjes së COVID-19.