SOT

Mërgimtarët paguajnë bashkëfshatarin që mirëmban Llashticën

Llashtica është fshat piktoresk i Komunës së Gjilanit që ka afërsisht 2.300 banorë. Si në shumë fshatra të tjerë nëpër Kosovë shumica e tyre merren me bujqësi e blegtori. Por, diku 40 për qind e llashticasve janë në vende të ndryshme të diasporës, si Zvicra, Gjermania, Shtetet e Bashkuara e Kanadaja. Ka dy vjet që ata kanë themeluar Shoqatën “Llashtica Vendlindja ime” duke dhënë kontribute për ndërtim të shtëpive e mirëmbajtje të fshatit.

Në pastrimin dhe mirëmbajtjen e pjesëve të ndryshme është përfshirë për herë të parë para dy vjetësh Fadil Rexhepi. Kjo tashmë për të është punë me orar të rregullt që mbështetet nga shoqata në diasporë.

Në mot të ftohtë e të nxehtë ai e bën këtë punë, ndërsa shton se edhe fshatrat e tjera do të duhet ta angazhonin një punëtor të pastrimit e mirëmbajtjes.

Komente të mira për punën e tij ka edhe drejtori i shkollës “Esat Berisha”, Nehat Shabani. Sipas tij, puna e Rexhepit ka bërë që shumë më shumë banorë të fshatit të vetëdijesohen për rëndësinë e pastërtisë.

Ai thotë se shoqata e bashkëfshatarëve të diasporës janë shtyllë e fortë që i ndihmon fshatit.

Ndërkaq, Fadil Rexhepi e sheh këtë fshat si më të pastrin, të paktën për Komunën e Gjilanit.