SOT

Talenti i Fatjonës për vizatim

Ishte në shkollë fillore kur e vërejti talentin e saj në art figurativ. Fatjona Hajdari nga fshati Shqiponjë i Komunës së Gjakovës tash është 17 vjeçe dhe shumicën e kohës së saj e kalon duke vizatuar.

Ajo e gjen inspirimin në ngjarjet aktuale, fytyra të famshme të skenës së artit në Kosovë e në gjërat që ia përmbushin ditët e saj, raporton KOHA.

Kur Fatjona ishte në shkollë të mesme, aty u mbajt një ekspozitë me punime artistike të nxënësve dhe ajo e zuri vendin e parë. Gjë që e zuri në befasi meqenëse ajo kishte marrë pjesë aty për ta shprehur talentin dhe pasionin e saj për artin pa e menduar pjesën e garës fare.

Po në atë ditë, arsimtarët i vlerësuan lart punimet e saj, e kjo i dha shumë motiv për të vazhduar më tutje.

Fatjona, me shumë pasion flet për punimet e saj artistike, sepse vizatimi nuk është e vetmja teknikë që ajo e përdor për të shprehur talentin e saj. Ajo gjithnjë gjen një mënyrë për ta treguar kreativitetin që ka.

Ajo krahas kësaj ka gjetur një mënyrë ta ndajë talentin e saj me të tjerët, përveç në rrjetet sociale, Fatjona gjithashtu bën vizatime të personalizuara, për t’i shitur.

Ajo e ka për synim që në të ardhmen të vazhdojë studimet për art dhe ta njohin të gjithë për talentin e saj.