Qëkur ishte i vogël e ndjeu dashurinë për sportin e futbollit.
Është ky Rinor Shabani, tash 16-vjeçar, e të njëjtin mendim e mban për këtë sport edhe tash.
Çdoherë duke u trajnuar e duke treguar suksese nëpër klube të ndryshme të futbollit, pjesë e të cilave ka qenë ndër vite.
“Futbollin kam nisur ta luaj që në moshën 6-vjeçare me shokët e lagjes. Futbolli për mua e ka një domethënie të madhe, kur luaj futboll ndihem më së miri”, ka thënë Shabani.
Në moshën 16-vjeçare Shabani e ka shënuar një sukses të madh sa i përket futbollit. Ai tashmë është pjesë e ekipit të Prishtinës me të cilin e ka nënshkruar kontratën profesionale.
Ai që më parë ka qenë pjesë e klubit “Rilindja”, te ekipi i Prishtinës do ta ketë pozitën e sulmuesit anësor.
Në mesin e ndjenjave të mira që ky sukses i ka sjellë, Rinori po e mban edhe ndjenjën e përgjegjësisë e po përgatitet që të sjellë sa më shumë gola për klubin e tij të ri.
E atij afër po i qëndron djali i axhës, Malsor Shabani, i cili qëkur e vërejti talentin e Rinorit vendosi që ta përkrahte.
“Pjesë e rrugëtimit të Rinorit si futbollist jam bërë që në moshën 14- vjeçare. Në lojën e parë që e kam përcjellë e kam parë që është diçka i jashtëzakonshëm dhe kështu kam vendosur t’i qëndroj afër çdoherë”, u shpreh Malsor Shabani.
Lajmi për kontratën me klubin e “Prishtinës” ishte i gëzueshëm edhe për të dhe mezi kishte pritur t'ia kumtonte Rinorit.
Përpos ushtrimeve të shumta, Rinori i liston edhe të tjera gjëra që e kanë rolin e rëndësishëm sa i përket avancimit në futboll.
Aspiratat mbeten të mëdha e synimet i ka tek klubet ndërkombëtare.
Pjesën më të madhe të kohës po e kalon duke i kryer ushtrimet në mënyrë që të jetë gati për lojën debutuese, për ekipin futbollistik të Prishtinës.