Si u botua romani në Tiranë. Çështje të kujtesës. Një bashkëpunim me Kadarenë.
Me kalimin e kohës askush nuk është i mbrojtur nga harresa, e cila shkakton humbje të kujtesës. E prirur për të humbur është sidomos fjala e folur. Prandaj dëgjohet shpesh se e folura fluturon, ndërsa fjala e shkruar mbetet.
Jo rastësisht m’u ndërmed kjo temë. Ndoshta secili, në mënyrën e tij, ballafaqohet përgjatë jetës me ronitjen e fshehtë dhe të pandalshme të kujtesës. Kohët e fundit, u ndodha edhe unë para një befasie, që thuajse më kishte dalë nga mendja. Natyrisht, rrëfimet e kësaj natyre nuk përbëjnë vetë Historinë e Letërsisë. Por ato dëshmojnë si është jetuar historia, etapat dhe përditëshmëria e saj, për çka publiku ka gjithnjë interes. Më poshtë po rrëfej një episod të tillë. Është një rast domethënës me një personalitet të njohur gjerësisht. Por, në fillim, ja si e kujton vetë Rexhep Qosja. Dha ai e kujton me shkrim, prandaj mund të citohet fjalë për fjalë:
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“18.8.1987
Gazeta politiko-shoqërore dhe kulturore e Tiranës ‘Drita’, botoi një vështrim të gjatë, në tri faqe të saj, për romanin tim ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’, të shkruar prej prozatorit, pa dyshim shumë të talentuar, Zija Çela. Nuk e njoh autorin e këtij vështrimi, nuk jam parë ndonjëherë me të sado kam qenë shumë herë në Shqipëri para vitit 1981. Vështrimi është shkruar me përkushtim, me dashuri, me kulturë dhe me dhunti kritiko-letrare. Vështrimi e nxit shumë kureshtjen e lexuesit për ta lexuar romanin – ashtu dinë të shkruajnë vetëm kritikët e rrallë. Zija Çela e ngre krijimtarinë time dhe etikën intelektuale. Prej vështrimit shihet se Zija Çela e ka lexuar edhe ‘Morfologjinë e një fushate’. Nuk e di kur dhe se si mund t’ia kthej prozatorit të talentuar Zija Çela këtë përkushtim vëllazëror. Vështrimi i tij dëshmon se veprat e mia kritike, teorike, historiko-letrare, publicistike dhe letrare po bëhen gjithëkombëtare dhe po bëhen kështu gjithëkombëtare se kanë filluar të lexohen dhe, sigurt, do të lexohen gjithnjë e më shumë edhe prej lexuesve në Shqipërinë shtetërore. Nuk jam krijues i vetëkënaqur, jo, në asnjë rast; jam krijues i vetëdijshëm për të metat e krijimtarisë sime por, megjithatë, mund të them se e gjithë vlera dhe rëndësia e veprës sime do të njihen plotësisht dhe do të çmohen drejt, aq sa e meritojnë, vetëm mbasi të njihet edhe ky Ditar, natyrisht, në qoftë se e do fati dhe ruhet e mbërrin një ditë në duart e lexuesve. Por kjo do të ndodhë vonë, ndoshta vetëm pas vdekjes sime.”
Fati deshi më të mirën, ditari “Dëshmitar në kohë historike” mbërriti në duart e lexuesit në të gjallë të autorit. Ai është botuar në VIII vëllime nga “Toena”. Ndërsa citimi i mësipërm i përket Ditar VI, faqe 374. Ky episod ma rigjallëroi kujtesën, duke më dhënë shkak të rrëfej sesi u arrit të botohej në Tiranë romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.
Aso kohe unë punoja në gazetën “Drita”. Vjen një ditë në redaksi Ismail Kadare, i cili e kishte lexuar romanin e Qosjes, botuar në Prishtinë nga “Rilindja”, më 1974. Kishte ardhur me dëshirën e mirë që libri të botohej edhe në Tiranë. Po i ndajmë punët, më tha intimisht, unë po bëj një recension pozitiv për “Naim Frashërin”, ti pastaj kërko të jesh redaktor i romanit. Siç thamë, ashtu bëmë.
Merret me mend se midis Tiranës dhe Prishtinës së atëhershme kishte dallime të hatashme në fushën e botimeve, atje publikoheshin tërë autorët përendimorë që këtej anatemoheshin si “dekandentë”. Akademik Rexhep Qosja, i shquar në fushën e Letrave, përveç të tjerave ishte tepër kurajoz në mbrotje të interesave të Kosovës dhe çështjes kombëtare. Intervistat që i jepte shtypit të huaj dhe që krijonin jehonë ndërkombëtare, i botonim herë pas here në “Drita”.
Autori e kishte cilësuar gjininë letrare të atij libri nëpërmjet një propozimi hipotetik: “Trembëdhjetë tregime që mund të bënin një roman”. Pa hyrë ende në përmbajtje, që këtu fillonte ballafaqimi me kritikën tonë letrare skematike. Ama, tepër skematike e agresive, e ideologjizuar deri në mbingopje dhe në mbytje të lirisë së artit. (E si qenka e mundur, ku e thotë estetika marksiste-leniniste dhe metoda e realizmit socialist se trembëdhjetë tregime mund të bëkan një roman?! Një vër në ujë mund të bëjnë!..) Romani i Qosjes, duke dhënë tablonë e asaj kohe në një qytet konvencional, gjithë tehun e drejtonte te Danjolli i Sherkës, shërbëtori i pushtuesve të huaj, sytë e të cilit e përgjonin deri në atë shkallë, sa Xhezairit të Xhikës (protagonistit) prej tyre mund t’i vinte vdekja. E desha këtë vepër që në leximin e parë dhe ia vlente përballja me kritikën zyrtare.
Si redaktor tashmë nuk kujtoj hollësira, me përjashtim të pak rreshtave që m’u desh t’i hiqja. Një plumb depërton nga dritarja në studion e protagonistit, i bie fotos së Mao Ce Dunit në mur dhe e rrëzon përtokë. Mbasi hoqa këto rreshta, shpresova se e “shpëtova” krejt veprën, të cilën e dorëzova në “Naim Frashëri”. Kështu, me gjasë, të dy nisiatorët e fjetëm mendjen.
Mirëpo prit e prit, botimi kërkund! Takohemi përsëri. Ismaili kishte mësuar (atij nuk i shpëtonin pa i marrë vesh “pëshpëshet” e kryeqytetit) se, pasi e kishte lexuar, nëndrejtori i shtëpisë botuese e kishte futur dorëshkrimin në sirtar, duke qenë kundër. Mua më mbetej të trokisja menjëherë tek ai si redaktor i librit. Çfarë leximi të mbrapshtë i kishte bërë! Masakra niste nga fillimi e deri në fund. (Për shembull, duhej hequr krejtësisht “Trashja”, tregimi kapitull me të cilin niste libri.) Por kundërshtimi kryesor rrokte krejt veprën. Sipas nëndrejtorit, romani nuk mund të botohej se ishte kundër (!) inteligjencies kosovare.
E pashë se me argumente nuk hante pykë dhe, siç e shestuam me Ismailin, duhej të provonim ndonjë ndërhyrje diku lart. Por kujt t’i drejtoheshim?
Këtë ndërhyrje e bëra te Mehmet Karakushi, i cili mbulonte kulturën në Komitetin Qendror. Karakushi ishte nga një fshat diku afër Qafës së Prushit, në kufi me Kosovën. Ne ishim dëgjuar gjatë viteve që kisha punuar si mësues në Has, madje njerëzit e së shoqes (Pogajt) i kisha njohur nga afër në Krumë. Dhe ky burrë i njerëzishëm, pavarësisht nga posti partiak dhe linja politike që mbronte, në mirëdashje dhe në mirëbesim ia hapi rrugën botimit me një telefonatë. Po si, si do të botohej libri, i dhunuar dhe i përçudnuar? Jo, përkundrazi, pa u prekur versioni i plotë që kisha paraqitur në redaksi.
Pastaj gjërat i çuam deri në fund. Unë bëra shkrimin në “Drita”. Dhe në dosjet e mia e gjeta këto ditë (2018 v.j.). Mban titullin “Në emër të dashurisë ndaj njeriut, të vendlindjes dhe të së bukurës”. Është botuar më 26 korrik 1987, në faqet 6, 7 e 10 të gazetës. Për hir të së vërtetës, në atë kohë nuk e kisha lexuar “Morfologjinë e një fushate”. Atëherë dhe sot, unë e pëlqej debatin e ideve mes kolegëve, por në kufirin që përjashton mëritë, gjendjet inatçore dhe fyerjet ndaj njëri-tjetrit. Megjithatë, për ta mbrojtur botimin e romanit në Tiranë, ndër të tjera, i dilja para atyre kritikave që kishte “depozituar” zyrtari i shtëpisë botuese dhe që mund të gjenin mbështetjen e militantëve të kalemit.
Sidoqoftë, “fundi i lumtur” nuk mbaron me kaq. Ismaili e çoi përpara “synimin strategjik”, atë njerëzorin si kolegu për kolegun, por sidomos pikësynimin atdhetar. Ai e rekomandoi në Francë dhe romani u botua atje. Kritika franceze e mirëpriti dhe pati mjaft shkrime. Merret me mend, duke folur për autorin nga Prishtina, doemos përmendej Kosova. Në atë kohë, Prof. Remzi Pernaska bëri një përmbledhje nga shtypi francez, duke i sjellë citimet e vlerësimeve bashkë me emrat që kishin nënshkruar. Ne i dhamë vend menjëherë në gazetë. Më kujtohet se profesori, s’di përse, në atë faqe alla-franceze kishte përfshirë edhe një vlerësim nga shkrimi im.
Mbas dymijëshit i kam bërë një vizitë në shtëpi Rexhep Qosjes. Me kafen përpara, kemi shkëmbyer mendime, jemi pajtuar dhe, për çeshtje të caktuara, kemi pasur opinione të kundërta. Por mbaj mend se i zoti i shtëpisë më ka dhuruar libra, pastaj më ka përcjellë deri te dera e oborrit, ku jemi ndarë miqësisht.
Nuk jam i sigurt sa vite kaluan pastaj, kur u “takuam” përsëri në panairin e librit në Shkup. Botuesja jonë, zonja Irena Toçi, kishte vënë në stendën e “Toenës” dy posterat tanë. Si të mos mjaftonin emrat, ajo ishte kujdesur që secilit t’i shkruhej edhe “Nderi i Kombit”. Kishim ndjekur çdonjëri rrugën e vet dhe, së fundmi, ja një pikë ku bashkoheshin shtigjet. Ishim ballë për ballë, në atë mënyrë që shiheshim sy më sy dhe më dukej sikur po i flisnim njëri-tjetrit. Atëherë nuk e dija, por tash më lejohet të përfytyroj sikur Rexhep Qosja diç më murmuriste për pengun e tij të vjetër: “Nuk e di, Zija Çela, kur dhe si mund të ta kthej atë përkushtimin tënd vëllazëror.” Ndërsa unë, për ta qetësuar, pëshpërisja gjithashtu: “Të falënderoj për mirënjohjen, Rexhep i dashtun, veçse rri pa merak. Mua më është dashur të shprehem me vakt, madje ta përsëris herë-herë: Kur kam mundësi të bëj një të mirë, nuk e kryej me shpresën që të më kthehet, por me bindjen që të bëhem vetë më i mirë.”
Kështu pra, me kalimin e kohës kujtesa pëson humbje, madje rrezikon të shpërbëhet dalëngadalë. Ditarët dhe memoristika në përgjithësi e regjistron. Ne që e jetuam gjatë një pjesë të historisë së letërsisë, ia vlen të dëshmohemi me shkrim. E shkruara mbetet. Dhe mbetet sidomos kur objektivitetit nuk i vijnë tronditje prej syve të njëri-tjetrit.
Ky shkrim është botuar për herë të parë në Koha.net në prill të vitit 2018. Botohet në nderim të akademik Rexhep Qosjes.