Vepra “Ulurima e ujkut” e Ag Apollonit tash flet edhe në gjuhën malazeze.
Botuar me titullin “Vučji urlik”, është përuruar të premten mbrëma në librarinë e leximoren e sapohapur në kryeqytetin e Malit të Zi, si botim i Entit për Tekste dhe Mjete Mësimore të Podgoricës.
Siç raporton portali CDM, shkrimtari Dimitrov Popoviq, fillimisht e ka njoftuar publikun me biografinë e pasur letrare të Apollonit, teksa ka theksuar se veprat e tij “karakterizohen me një dimension dramatik, trajtim filozofik dhe raport kritik ndaj historisë, politikës e shoqërisë”.
“Veprat e tij janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, italisht, çekisht, maqedonisht e serbisht. Është fitues i disa çmimeve kombëtare për punime beletristike e shkencore. Më 2013, botoi romanin ‘Ulurima e ujkut’, në të cilin nëpërmjet formës postmoderne bashkon dhimbjen me zemërim. Autori s’e kursen askënd, i kritikon të gjithë – familjen e vet, shoqërinë, kombin, botën, zotin”, citohet të ketë thënë Popoviq.
Bilana Miranoviq nga Enti për Arsim, ka thënë se “Ulurima e ujkut” është botuar në edicionin “Urat” të Entit për Tekste Mësimore, në të cilin edicion botohen vepra autorësh me renome të letërsisë botërore për fëmijë, të rinj dhe të rritur, me ndërmjetësim të përkthyesve më të mirë nga Mali i Zi dhe rajoni. Romanin në gjuhën malazeze e ka përkthyer Danilo Brajoviq.
Apolloni, sipas CDM-së, ka sqaruar se romani “Ulurima e ujkut” në njëfarë forme shpreh revoltën ndaj politikës dhe situatës politike. Por është më shumë se sa revoltë politike. Është realiteti i pasluftës, citohet të ketë thënë Apolloni. Romani paraqet përzierje zhanresh: prej poezisë te brikolazhi, intervistat skenike deri te drama.
Edhe
“Një fije shprese, një fije shkrepëse” – ura letrare e Ag Apollonit me lexuesin slloven
“Me një rrugëtim simbolik në ferrin e Dantes, në të cilin takohet me vuajtjet e shoqërisë dhe pafuqisë politike në Kosovë, autori merr qëndrim rigoroz ndaj gjërave. Aludon në pafuqinë politike në Kosovën e në Ballkanin e sotëm, në problemet e sistemit arsimor e të shëndetësisë, ekstremizmin fetar në rritje sikurse edhe te varfëria... Duke përdorur probleme lokale, trajton universalet. Paralelisht dhe fort hapur, në stilin e Bukovskit, përshkruan marrëdhëniet dashurore e seksuale dhe shkallë të ndryshme të kotësisë së tyre. Vepra është përshkruar me melankoli i zemërim, shoqëruar me dozë humori referencash prej veprave të tjera, në pop-muzikë, pikturë, film e teatër”, ka përshkruar CDM.
Sipas po këtij portali, promovimi është organizuar në kuadër të programit shtesë të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Podgoricë.