Shtojca për Kulturë

Udhërrëfyes për negociata me terroristët

“Talking to Terrorists: How to End Armed Conflicts” (Negociatat me terroristët: si t’u japim fund konflikteve të armatosura) është libri i Jonathan Powellit, botuar më 2014. Organizatat terroriste shpeshherë janë konsideruar si shumë të tmerrshme për t’u biseduar me to – derisa ne e kemi kuptuar se duhet të flasim me to. Ky “udhëzues për negociatorët” tregon sesi dialogu është esencial

Ky është një libër i pazakonshëm dhe me të vërtetë unik. Jonathan Powell shkruan sesi ka kaluar shtatëmbëdhjetë vjetët e fundit duke u marrë me terroristët. Kjo daton që prej takimit të tij të parë me Gerry Adamsin dhe Martin McGuiness në vitin 1997, kur ishte këshilltar i kryeministrit të ri të asaj kohe, Tony Blair, ndonëse ai po ashtu përmend dyshimet që “ne” kishim më herët kundërshtimin e negociatave të John Majorit me IRA-n, pas sulmit me bombë në Canary Wharf më 1996. Por, ai e dokumenton edhe përfshirjen e tij të thellë në kohën kur ai “kishte braktisur qeverinë” më 2007 dhe ishte bindur nga Martin Griffiths, përfaqësues i “Henry Dunant Centre for Humanitarian Dialogue” në Zvicër, që të ndërmjetësojë me terroristët me orar të plotë. Ai përfaqëson David Cameronin në Libi, duke u përfshirë jo bash në negociatat me terroristë, por duke mbështetur ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara.

Powell e përshkruan veten si një praktikues dhe ka vendosur që t’ia kushtojë pjesën e mbetur të jetës së tij punës për ndalimin e konflikteve të armatosura. Ky libër, siç thotë ai, nuk është një studim akademik, por një “udhërrëfyes i dobishëm për negociatorët”. Mesazhi i tij është i qartë: ne duhet patjetër të flasim me terroristët, dhe se nuk ka alternativë tjetër. E mua më duhet ta deklaroj veten praktikues, megjithëse jo për t’i bërë konkurrencë Powellit. Unë mendoj se ishte Pope Paul VI, ai që i quajti diplomatët “specialistë të paqes”. Diplomatët kanë edhe punë tjera për të bërë përveç kësaj, por angazhimet e mia në procesin e ndërtimit të paqes ishin pikat më të larta të karrierës sime. Herën e parë që pashë emrin tim në ballinën e një gazete, isha paraqitur si njeriu që shtrëngoi duart e njollosura me gjakun britanik në Aden, më 1967, dhe jam po aq krenar që veprimi im i fundit si diplomat ishte ndihma për uljen e tensioneve në Egje, mes Greqisë dhe Turqisë më 1996, krizë që ka mundur të përfundojë me përleshje.

Nga eksperienca personale pajtohem me Powellin kur është fjala për nevojën që të bisedohet. Kur m’u desh të ndërprisja raportet me Libinë, pas vrasjes së Yvonne Fletcherit, e kisha pranuar që nuk kishte mënyrë tjetër, sepse nuk mund të flisni me dikë që të pështyn para syve. Por sa më shpejt që përfundon e pështyra dhe fillojnë negociatat, aq më mirë bëhet. Sikur e shpjegon edhe Powell, faza e parapërgatitjeve mund të marrë kohë të gjatë – prandaj filloni që tani. Powell i shmanget çështjes së vështirë të përkufizimit të terrorizmit. Edhe vetë puna që bën ai përqendrohet në “grupet joshtetërore të armatosura që gëzojnë përkrahje të madhe të politikës”, duke përjashtuar kështu të ashtuquajturin terrorizëm shtetëror dhe gjithashtu grupet ekstremiste siç janë “Baarder-Meinhof” apo “November 17”. Ai merret me argumentin që është shfrytëzuar kundër bisedave me terroristë të Dick Cheneyt që thotë “ne nuk negociojmë me djallin, ne e mposhtim atë”, duke hedhur poshtë sistematikisht të gjitha argumentet morale, praktike e politike, derisa e përcakton se “negocimi” nuk mjafton. Duhet edhe përgatitje e kujdesshme, një mesazh të fuqishëm, dhe natyrisht gatishmërinë për të thënë “jo”, pasi që negocimi nuk do të thotë se duhet të pranosh gjithçka.

Një pjesë e madhe e librit të tij pasqyron disa faza të ndryshme të ndërmjetësimit të suksesshëm: sesi të biesh në kontakt me një organizatë klandestine, të ndërtosh një kanal komunikimi në të cilin besojnë të gjitha palët, duke përfshirë edhe qeveritë, e madje edhe të sjellësh një palë të tretë si ndërmjetësuese, e deri te pika kur një marrëveshje shoqërohet me implementim. Powell ofron shembuj praktikë dhe rezultate të suksesshme të përpjekjeve për “të biseduar me terroristët”.

Por një pyetje të cilën nuk e adreson në libër është se cili është personi më i mirë për të filluar procesin: diplomati, spiuni, politikani, akademiku, kleriku apo një njeri i mirë? Organizatat joqeveritare siç është “Henry Dunant Centre of Sant’Egidio”, po ashtu mund t’ia dalin mbanë.

Është mirë të shihet se në libër Powell i jep hapësirë kontributit të Majorit për të arritur paqen në Irlandën Veriore (edhe pse fare pak i kushton rëndësi marrëveshjes anglo-irlandeze të Margaret Thatcherit me Garret FitzGeraldin). Blair gjithashtu i merr meritat e tij në libër. Një kapitull i mrekullueshëm për “artin e negociatave” nis me një përmbledhje për kohën kur Powell u ishte bashkuar shërbimeve diplomatike, pa u trajnuar për negociata, madje pa ndonjë lloj trajnimi sado modest. E kjo ishte edhe eksperienca time. Edhe pse e di në princip që negociata mund të jetë e suksesshme vetëm nëse të gjitha palët kanë interes në suksesin e saj, kjo është diçka që asnjëherë nuk e kam parë të shkruar diku.

Powell, në libër, citon disa shembuj kur është thënë se negociatat me organizatat terroriste konsiderohen si shumë të tmerrshme për t’u negociuar me to- derisa më në fund e kemi kuptuar që duhet të negociojmë me to. Kështu që është ironike që ne sot me Shtetet Islamike jemi në fazën “mos flisni me terroristët”. Cameron e ka përshkruar Republikën Islamike si “organizatë terroriste, ndryshe prej atyre me të cilat jemi përballur më herët…”. Por, në të vërtetë, negocimi do të jetë i nevojshëm për çfarëdo, qoftë edhe me ISIS-in.

Powel aktualisht është duke punuar për Cameronin, kështu që fjalia e tij e fundit në libër është paksa e pacipë, kur thotë: “Çfarë na duhen, janë më shumë liderë politikë të përgatitur që të marrin rrezikun e nevojshëm dhe të aftë që të kujtojnë se çfarë ka ndodhur herën e kaluar”.

Marrë nga “The Guardian”