Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Shpalimi i një thesari të rëndësishëm

Leximi i librit të Blerim Luzhës, “Jeta ime dhe bota e artit” qe një nga kënaqësitë që ndjeva në muajin e fundit të vitit 2023, në kohën menjëherë pas publikimit dhe përurimit të tij në Galerinë e Arteve të Kosovës. Si i tillë, mbetet në bibliotekën time si një thesar i rrallë, të cilit me dëshirë do t’i kthehem edhe ndonjëherë tjetër për shfletim e lexim. Me këtë libër piktori Blerim Luzha ka kryer një borxh jo vetëm ndaj jetës së vrullshme të tij, por edhe ndaj dashamirësve të artit figurativ në përgjithësi

Në fund të nëntorit të vitit që shkoi, nëpërmjet telefonit, mora vesh se në Galerinë e Arteve të Kosovës, në mbrëmje, (mendova si rëndom në orën 19:00) po përurohej një libër i piktorit Blerim Luzha, dhe, mendova, sigurisht do të hapej edhe ndonjë ekspozitë e punimeve të tij. Duke e njohur Blerim Luzhën disa dekada më parë nga Galeria e Arteve e Kosovës dhe nga institucionet e tjera të kulturës në të cilat ka punuar, e para së gjithash si piktor i një drejtimi të veçantë piktural (tekstilit), shkova në Galerinë e Arteve të Kosovës, ekspozitat e së cilës kryesisht i kam vizituar që nga fillimi i funksionimit të saj. Meqë mbërrita me vonesë për shkak të informimit të pasaktë për kohën, përurimi i librit kishte mbaruar dhe të pranishmit po e merrnin librin me nënshkrim nga autori. Me ndjenjën e keqardhjes pse nuk isha aty nga fillimi, arrita të marr një ekzemplar të librit dhe të takoj ndonjërin nga miqtë e mi aty. Mora vesh se ekspozitë të punimeve të autorit Luzha nuk kishte dhe dola nga Galeria me librin në dorë, shumë kureshtar ta shfletoja sa më parë, meqë nuk kemi raste të shpeshta të botimeve të këtilla të karakterit monografik, siç e cilëson autori, apo siç më jepet ta cilësoj unë të karakterit autobiografik.

Libri për jetën dhe botën artistike të Blerim Luzhës paraprihet me dy shkrime (recensione) të dy artistëve, miqve të autorit, Rexhep Goçit dhe Esat Miftarit, të cilët përveçse shpalosin vlera të caktuara të librit, nxisin lexuesin për leximin e tij.

Para se të shpalosë jetën e vet dhe rrugën e formimit të vet si artist figurativ, duke përfshirë këtu edhe të dhëna interesante për familjen apo thënë më drejt, për traditën familjare (gjyshin, babanë), Blerim Luzha për opinionin kosovar, posaçërisht për atë artdashës, do të mbetej i njohur si njeri i urtë, artist me vokacion, madje i një drejtimi të rrallë të artit figurativ sidomos te ne, që një pjesë të madhe të jetës dhe të veprimtarisë e ka kaluar në institucione të ndryshme kulturore të Kosovës, ku puna apo kontributi i njeriut, edhe njihet pak, edhe mund të harrohet shpejt. Ndërkaq jeta dhe përvoja e tij ngërthejnë të dhëna shumë interesante për të si njeri dhe si artist, nëpërmjet të cilave mësojmë edhe për rrugën e zhvillimit të artit figurativ te ne, si dhe për rrugën e formimit të disa artistëve tanë të njohur.

Në fillim autori jep disa të dhëna për gjyshin e tij Haxhi Muderriz Murteza Luzha (1859-1920), haxhi, myderriz e drejtor i Medresesë në Gjakovë, besimtar islam, i cili në plan të parë përherë vinte atdheun, për çka disa herë ishte dënuar me burgim, por edhe ishte dekoruar për veprimtarinë e tij nga personalitete të larta, si Sulltan Hamiti II, më 1899, dhe nga Franc Jozefi i Austrisë, më 1917. Frymën e tij patriotike ai e kishte forcuar edhe nga bashkëpunimi e nga takimet që kishte pasur me rilindësit tanë Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Vaso Pashë Shodrani, Jani Vreto e të tjerë në kohën kur ishte për studime në Stamboll. Këtë frymë ai e kishte zhvilluar e forcuar edhe më shumë nga përpjekjet e patriotëve të kohës për çlirimin tonë kombëtar.

Jeta e babait, Qamil Luzhës, është e tëra një përpjekje për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare shqiptare, përkatësisht për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të mbetur nën ish-Jugosllavi. Në Shqipëri punon një herë si mësues e pastaj edhe si kryetar komune në disa qytete, ndërkaq në kohën e pushtimit italian dërgohet në Istog. Rruga jetësore e babait të autorit, Qamil Luzhës, është me plot krajata, në Jugosllavi dhe në Shqipëri, ku spikatet stoicizmi i tij të qëndrojë në rrugën që shpinte popullin e tij kah zhvillmi dhe përparimi, para së gjithash nga bashkimi kombëtar, i cili i kishte mbetur peng nga Konferenca e Bujanit, pjesëmarrës dhe nënshkrues i rezolutës së të cilës kishte qenë.

Duke qenë se lind në Shqipëri, Blerim Luzha pati fatin që edhe të pagëzohej me emrin që ia kishte propozuar babait të tij profesor Eqrem Çabej, të cilin atëbotë e kishin fqinj në Tiranë.

Rrëfim i sinqertë e me nostalgji

Rrëfimi i Luzhës për fëmijërinë e tij është i sinqertë, me një notë të theksuar nostalgjike. Ai e kujton fëmijërinë dhe rininë e tij nga një distancë më e madhe kohore, duke veçuar momentet të cilat i kanë ngelur të pashlyeshme e që do të kenë ndikuar edhe në formimin e personalitetit të tij. Është kjo jetë e një fëmije kryesisht pa buzëqeshje, i mbetur herët pa nënë e me baba të internuar, me motrën si mbështetjen më të madhe në ato rrethana po ashtu të larguar. Mirëpo edhe në këto rrethana atë e mban dhe forcon krenaria për rrugën të cilën e ndiqte dhe për punët të cilat i bënte babai i tij. Në këto rrethana ai rritet derisa t’i vijë koha të regjistrohet në shkollën e mesme, ku midis dy talenteve dhe përcaktimeve që kishte, udhëzohet të regjistrohet në shkollën e mesme të artit në Pejë, fushë kjo së cilës do t’i përkushtohet edhe në studime dhe gjatë gjithë jetës. Në shkollën e mesme të artit në Pejë ndeshet në profesorë të mirë, por edhe në asi me ngarkesa nacionaliste serbe, meqë shumë lëndë mësimore zhvillohen në gjuhën serbokroate. Është i paharrueshëm për autorin e këtij libri momenti kur me telegram e njofton babanë e tij se, me gjithë konkurrencën e fortë, kishte arritur ta kalonte provimin pranues për regjistrim në Akademinë e Arteve të Aplikuara në Beograd.

Pjesë interesante e këtij libri është koha e specializimit që Luzha e bën në Paris në Ecole Nationale des Arts Decoratifs, në seksionin e tekstilit. Kjo është periudhë e kalimit nëpër sfida të ndryshme, periudhë e përvojave të mira, e vizitave të shumë galerive të artit dhe e njohjes me krijimtarinë e piktorëve të ndryshëm më në zë. Po ashtu, është periudhë e njohjes edhe me piktorë e artistë tanë, të cilët kishin bërë emër në Paris e në qendra të tjera të Evropës. Është mbresëlënës takimi me shkrimtarin Martin Camaj, por edhe me Ernest Koliqin, takimi dhe shoqërimi me Ibrahim Kodrën, Omer Kaleshin, Valdet Hamidin, Luan Ramën, Abdylkadër Pagarushën etj.

Duke punuar në Bashkësinë Krahinore të Kulturës dhe duke pasur detyrë aty bashkëpunimin ndërkombëtar në kulturë, e duke bashkëpunuar në këto punë me Ukshin Hotin si sekretar (ministër) i Sekretariatit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të KSA të Kosovës, Luzha ka pasur fatin të njihet dhe të krijojë miqësi me piktorë të shumtë, si Abdurrahim Buza, Sali Shijaku, Odhise Paskali, Fatmir Haxhiu, Sadik Kaceli, Zef Shoshi, Shaban Haderi, Kristaq Rama, Ismail Lulani, Fuad Dushku, Muntaz Dhrami, Zamir Mati, Zef Shoshi, Ramazan Shpati e të tjerë. Posaçërisht është mbresëlënës edhe shoqërimi që iu bën artistëve nga Shqipëria me rastin e vizitave të tyre në Kosovë, si Çesk Zadesë, Avni Mulës, Fehim Ibrahimit, Vaçe Zelës, Shqipe Zanit e të tjerëve.

Të gjitha këto rrëfime jepen në mënyrë të thjeshtë, shkurt, si kujtime të paharrueshme të autorit dhe krijojnë një njohje të rrethanave në kohë më të hershme dhe përshtypje të mira te lexuesi.

Është veçmas me interes në këtë libër shkrimi i piktorit dhe autorit të shumë publikimeve për artin, Luan Ramës, për Blerim Luzhën, i cili realizohet nëpërmjet një interviste me të në hapjen e ekspozitës së tij me rastin e 85-vjetorit të lindjes. Në këtë intervistë shpaloset shkurtimisht pothuajse e gjithë jeta e piktorit Blerim Luzha, me theks në rolin e qytetit të dritave dhe të artit botëror, Parisit, në zhvillimin e tij.

Libri – shembull që duhet ndjekur

Në këtë libër autori ka përfshirë edhe fotografi të prindërve, fotografi të çasteve të rëndësishme nga jeta e tij dhe fotografi të ndryshme familjare, por edhe fotografi të artistëve të njohur me të cilët u takua gjatë shkollimit universitar dhe gjatë punës së tij, të cilat librin e bëjnë më tërheqës dhe më domethënës për lexuesin. Këtu përfshihen edhe reproduksione të punimeve të disa artistëve të njohur, si dhe fotografi të pikturave të veta të zgjedhura, të cilat bëhen edhe më tërheqëse dhe më me domethënie falë shënimeve që jepen për to.

Nga rrëfimi del portreti i personazhit rrëfimtar, nëpërmjet të cilit mësohet jo vetëm për jetën e tij, por edhe për rrugën e vështirë nëpër të cilën kanë kaluar disa artistë tanë të hershëm drejt zhvillimit dhe avancimit të tyre profesional e intelektual.

Leximi i librit të Blerim Luzhës më qe një nga kënaqësitë që ndjeva në muajin e fundit të vitit 2023, në kohën menjëherë pas publikimit dhe përurimit të tij në Galerinë e Arteve të Kosovës. Si i tillë, mbetet në bibliotekën time si një thesar i rrallë, të cilit me dëshirë do t’i kthehem edhe ndonjëherë tjetër për shfletim e lexim.

Me këtë libër piktori Blerim Luzha ka kryer një borxh jo vetëm ndaj jetës së vrullshme të tij, por edhe ndaj dashamirësve të artit figurativ në përgjithësi. Siç e thotë në parathënie të këtij libri Rexhep Goçi, “Blerim Luzha e ka thurë një pëlhurë me dritëhije jetësore që nga fëmijëria, djalëria, burrëria e deri te mosha e thyer e tij”. Ndërkaq autori i recensionit tjetër në hyrje të librit, Esat Myftari, shkruan se “do të ishte mëkat që ky thesar i pafund të tretet bashkë me ekzistencën e tyne trupore”.

Libri përmbyllet me disa vlerësime të kritikëve të artit, të bëra kryesisht me rastin e ekspozitave të piktorit Blerim Luzha. Ndër emrat që shkruajë për të po përmendim: Fuad Dushkun, Vehap Shitën, Niko Thanon, Katarina Adanja, Desa Tomiq-Gjuroviq, Mirosllav Mushiq, Shyqri Nimani, Rexhep Goçi, Arsim Kajtazi etj. Urojmë të ndiqet kjo rrugë edhe nga artistë, shkencëtarë e intelektualë tanë të tjerë të hershëm, të cilët kanë çfarë të tregojnë për jetën e tyre e nëpërmjet saj edhe për rrugën e bërë nëpër gjemba (Sh. Nimani) për zhvillimin dhe përparimin e tyre arsimor e kulturor.

 

Artikuj të ngjashëm