EXPRESS

“Arti bashkëkohor” si pasqyrë e transformimit

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të martën është promovuar vëllimi i parë i librit “Arti bashkëkohor 1” nga Milot Gusia, profesor i dizajnit e kritik arti. Janë analizat e 40 ekspozitave nëpërmjet të cilave zbërthehet jo vetëm transformimi i artit, por edhe ai shoqëror, politik dhe teknologjik.

Libri “Arti bashkëkohor 1” i dizajnerit dhe kritikut Milot Gusia është një pasqyrë për artin duke përfshirë krijimtarinë e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Ka analizuar reflektimin e artit përballë proceseve të transformimit shoqëror, politik dhe teknologjik e që vazhdon të evoluojë në një fushë të gjerë e dinamike duke thyer kufijtë tradicionalë të shprehjes artistike. 

Milot Gusia ka thënë se libri “Arti bashkëkohor 1” – i përuruar të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës –  është rezultat i shkrimeve të tija publicistike për artin avangardë gjatë periudhës 2021-2023.

“Ajo se çka kam arritur si konkluzion nga ky hulumtim që e kam bërë për tre vjet, duke përfshirë në skena artin vendor dhe ndërkombëtar, kam vërejtur që arti bashkëkohor është duke u transformuar në një fushë të gjerë, e cila është në një evoluim konstant dhe po reflekton te ndryshimet politike,  sociale dhe teknologjike të kohës në të cilën ne po jetojmë. Pra, arti është i ndikuar nga proceset e transformimit social, politik dhe ekonomik në botë dhe kjo është duke u reflektuar tek arti vendorë”, ka deklaruar ai. 

Sipas Gusisë – profesor i dizajnit të integruar në UBT –  ekspozitat janë duke transformuar edhe audiencën dhe vetë publikun e përgjithshëm vendor. 

“Gjithashtu  po spikaten gjithnjë më shumë çështjet politike dhe sociale në art, shumë artistë janë duke përdorur veprat e tyre për të komentuar vizualisht rreth temave të ndjeshme të imigrimit, kujtesës kolektive, racizmit dhe krizave të theksuara të refugjatëve që janë gjithnjë më shumë dominuese në botë“, ka theksuar ai.

Libri hapet me tekstin për ekspozitën e Alban Mujës “Whatever Happens. We Will Be Prepared”, kuruar nga Maria Isserlis e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe që ishte derivat i “Albumit Familjar”, që më 2019 përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie. 

“Arti bashkëkohor” në gati 300 faqe sjell detajet e analizat për ekspozita. Përmbyllet me biografitë e artistëve të përzgjedhur dhe me një përmbledhje të galerive jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri.