Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Shaqir Hotit i jepet lamtumira si bard i muzikës burimore

Inovator në mjeshtërinë e prodhimit të instrumenteve kryesisht frymore, shtëpinë e tij do ta shndërronte në një muze unik të muzikës. “Në këtë atelie veç një instrument me ma marrë dikush, menjëherë e di. Janë një mijë copa, e është vështirë të dallohet kur mungon një, por mua ma vëren syri”, do të thoshte Hoti në një bisedë për KOHËN në nëntorin e vitit 2014, kur shpalosi një tjetër seri instrumentesh krijuara prej tij

Sikurse në ditën kur u dha lajmi për vdekjen e tij, edhe të dielën kur është varrosur, Shaqir Hoti është përshkruar si emblemë e muzikës shqipe.

Familjarë, bashkëpunëtorë e miq të Hotit, paraditen e së dielës kanë bërë homazhe para fotografisë së tij në ballë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kanë nderuar figurën e muzikantit të pashoq që vdiq të shtunën në moshën 85-vjeçare. Hoti është varrosur pasditen e së dielës në fshatin e tij të lindjes, Rogovë të Hasit.

Shaqir Hoti ishte i lindur më 1936, në fshatin Rogovë të Hasit. Që në moshën 6-vjeçare luajti me instrumentet aerofone si fyej, kavalle, bishtnica, pipëza e të tjera.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje e të mesmen e muzikës në Prizren, në flaut. Një kohë punoi në fshatin e lindjes, duke kontribuuar në organizimin e jetës kulturore. Më pas u angazhua në Orkestrën Popullore të Radio Prishtinës si flautist i parë. Mori pjesë në festivale me karakter vendor dhe ndërkombëtar me instrumente frymore.

Mbetet e veçantë paraqitja në Berlinin Perëndimor më 1969, në një festival ndërkombëtar ku me këngën “Baresha”, të interpretuar nga Nexhmije Pagarusha, fituan çmimin e parë.

Edhe Shaqir Hoti – emblema e muzikës shqipe Shtojca për Kulturë Shaqir Hoti – emblema e muzikës shqipe

Pasi ka bërë homazhe pranë fotografisë së Hotit, këngëtari Ilir Shaqiri i cili ka bashkëpunuar me Bacën Shaqë në disa projekte muzikore, ka shkruar disa fjali në Librin e zisë.

“Mësuesi më i mirë për muzikantët profesionistë është folklori, ndërsa mësuesi ynë ishte Baca Shaqë që na e mësoj folklorin nga rrënja”, ka shkruar ai. Sipas Shaqirit, Baca Shaqë ishte i pashoq sa i përket muzikës burimore shqipe.

“I përjetshëm kujtimi për bardin e muzikës burimore shqiptare, Bacën Shaqë – Shaqir Hotin”, ka shkruar ai.

Inovator në mjeshtërinë e prodhimit të instrumenteve kryesisht frymore, shtëpinë e tij do ta shndërronte në një muze unik të muzikës. “Në këtë atelie veç një instrument me ma marrë dikush menjëherë e di. Janë një mijë copa, e është vështirë të dallohet kur mungon një, por mua ma vëren syri”, do të thoshte Hoti në një bisedë për KOHËN në nëntorin e vitit 2014, kur shpalosi një tjetër seri instrumentesh krijuara prej tij.

U bë veçmas i njohur për riprodhimin e okarinës, instrumentin neolitik të gjetur në Runik, e që bashkë me 1243 artefakte vazhdon të mbahet në Serbi.

Si maestro të muzikës e njohën të gjithë Bacën Shaqë. Ka pak muzikantë vendorë zhanresh të ndryshme që s’kanë bashkëpunuar me të.

Edhe “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” zbërthen figurën krijuese të Shaqir Hotit Kulturë “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” zbërthen figurën krijuese të Shaqir Hotit

“I papërsëritshëm”, ka shkruar në Librin e zisë kompozitori Valton Beqiri. Homazhe për Hotin ka bërë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Ai ka shkruar se vdekja e Hotit është humbje dhe pikëllim i madh për të gjithë komunitetit e muzikës, të trashëgimisë kulturore dhe popullin.

“Baca Shaqë ishte artist i veçantë, por edhe njeri me virtyte të larta. Punoi shumë për kulturën e popullit të tij. Ka lënë pas një koleksion të papërsëritshëm veprash të cilat do të vazhdojnë të frymëzojnë gjenerata artistësh e aktivistësh kulturorë”, ka shkruar ai midis të tjerash në Librin e zisë.

Rrugëtimi i Shaqir Hotit në muzikë është sikurse paralelja e trupit dhe hijes gjatë ecjes. Nuk kishte instrument frymor të cilin nuk e punonte dhe nuk luante në të.

Pas përfundimit të shkollimit të mesëm në Shkollën e Muzikës në Prizren (1961-1965) vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Vitet e tij si student lidhen edhe me periudhën kur zhvillimi i kulturës muzikore në Kosovë merr një mori hovesh sa i përket themelimit të institucioneve edukativo-arsimore, por edhe atyre performuese, pjesë e të cilave shumë shpejt do të bëhej edhe ai. Në vitin 1969, menjëherë pas përfundimit të shkollimit të mesëm, si rezultat i mungesës së kuadrove profesionale, ai filloi profesionin pedagogjik si mësues i arsimit muzikor në vendin e tij të lindjes.

Moment i rëndësishëm për karrierën e tij do të jetë takimi me kompozitorin e etnomuzikologun Lorenc Antoni (1909-1991), i cili e ftoi Shaqir Hotin t’i bashkëngjitej Orkestrës Popullore të Radio Prishtinës. Nga viti 1967 e deri në vitin 1989 ai do të bëhej pjesë e kësaj orkestre duke interpretuar në instrumentin e flautit dhe në instrumente frymore burimore, si njëri nga interpretuesit më të rëndësishëm të këtij institucioni. Më 1972 në Prishtinë, Hoti themeloi ansamblin folklorik “Azem Bejta”, i cili u shndërrua ndër ansamblet më të njohura në vend.

Edhe Shaqir Hoti – personaliteti më i rëndësishëm i ruajtjes së traditës muzikore Kulturë Shaqir Hoti – personaliteti më i rëndësishëm i ruajtjes së traditës muzikore

Në vitin 1984 mori pozicionin e drejtuesit të Orkestrës Popullore të Radio Prishtinës dhe në këtë pozitë do të qëndrojë deri në fund të viteve ‘80. Për veprimtarinë e tij si performues e krijues ai është laureat i shumë çmimeve, duke filluar nga ai i pari për këngën “Ah Hyrije”, të cilin e mori në festivalin ”Akordet e Kosovës”, më pas në po të njëjtin festival u shpërblye me Çmimin e tretë për këngën “Vasha e hënës” më 1978. Nga vitet ’60 deri në vitet ’90, së bashku me ansamblin e tij e në bashkëpunim me performues të njohur vendorë, realizoi turne koncertale në Evropë e SHBA.