Shtojca për Kulturë

Romani grafik – armë në luftë e kohë të jashtëzakonshme

“Në llogoret e Ukrainës – ditar i luftës 2022-2025” me autor Ruslan Pikhota

“Në llogoret e Ukrainës – ditar i luftës 2022-2025” me autor Ruslan Pikhota ka qenë njëra temë e konferencës së mbajtur të shtunën në mesditë në kuadër të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GranFest”

Historitë e rezistencës e ato që trajtojnë problematika e ngjarje nga jeta e përditshme, janë kapitulli që ka hapur edicioni i sivjetmë i festivalit ndërkombëtar i romanit grafik “GranFest”. Sapo është hapur e në diskutimet e para për të në ditën e dytë, romani grafik është dëshmuar edhe si instrument motivues në kohëra të jashtëzakonshme. Ushtaraku ukrainas Ruslan Pikhota ka ardhur edhe me librin e tij në shqip “Në llogoret e Ukrainës – ditar i luftës 2022-2025” e Enrique Flores si karikaturist në prestigjiozen spanjolle “El Pais”, ka sjellë përvojën e tij si përkthyes i fjalëve nëpërmjet imazhit. Për herë të parë “GranFesti” sivjet ka ndarë edhe çmimin për rezidencë në Francë e të cilin e ka marrë Liza Dervishaj

Ndryshe prej festivaleve që organizohen në kryeqytet është “GranFesti” për aq kohë sa i dedikohet një disipline specifike: romanit grafik. Si tradicionalisht, edhe sivjet me edicionin e gjashtë ka mbledhur artistë vendorë e ndërkombëtarë për të shpalosur rrëfime kreative që vijnë të ilustruara me imazhe. 

Historitë e rezistencës e ato që trajtojnë problematika e ngjarje nga jeta e përditshme, janë një kapitull. Sapo është hapur e në diskutimet e para për të në ditën e dytë, romani grafik është dëshmuar edhe si instrument motivues në kohëra të jashtëzakonshme.

“Në llogoret e Ukrainës – ditar i luftës 2022-2025” me autor Ruslan Pikhota ka qenë njëra temë e konferencës së mbajtur të shtunën në mesditë në kuadër të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GranFest”. Punimi i karikaturave në anën tjetër ka sjellë tjetër rrëfim. Pikhota, bashkë me Enrique Flores, karikaturist në gazetën prestigjioze spanjolle “El Pais” kanë shpalosur perspektivën e depërtimit të mesazhit nëpërmjet imazhit dhe ndikimin e tij.

Enrique Flores si karikaturist në prestigjiozen spanjolle “El Pais” ka punuar për rreth tri dekada dhe aty ka realizuar afro tre mijë vepra. Para të pranishmëve ka shpjeguar procesin

Me armë e laps në llogoret e Ukrainës

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është shpalosur arti i ukrainasit Pikhota i cili në të 50-tat e tij i është bashkuar ushtrisë si vullnetar kur krisi lufta në vitin 2022. Ai vizaton dhe rrëfen jetën e përditshme në zona të luftës, në qytetet e çliruara, ilustron edhe luftimet dhe reagimet e të dyja palëve: ukrainasve dhe rusëve.

Aktualisht është komandant togu dhe ka 23 ushtarë. Siç ka treguar, kjo është hera e dytë që është larguar nga vendi i tij prej se lufta ka filluar: fillimisht kur i ishte dhënë një pushim dyjavësh dhe tani kur merr pjesë në festival. Në konferencë ka treguar se nga viti 1989 e deri në vitin 2001 ka kryer shërbimin ushtarak në Rusi. Tani lufton kundër tyre. Si rrjedhojë, ka thënë se e kishte idenë se si do të luftoheshin nga armiku dhe sesi do të mbroheshin. 

Ka rrëfyer edhe sesi kishte nisur të vizatonte në periudhën kur luftimet po zhvilloheshin. 

“Për dy apo tre muaj nuk kam pasur laps me dorë dhe më 6 maj 2022 ishte dita që shënohet si Dita e Këmbësorisë te ne dhe komandanti kërkoi të punojmë një afishe, një poster në nder të kësaj dite të veçantë. Unë isha marrë më parë me vizatime, por nuk është se e kisha në mendje. Fillova të punoj pa reshtur që atëherë dhe bashkëluftëtarët e mi më thanë fjalë të mira, i ndanë ato me familjarët e tyre dhe kjo më obligoi që të vazhdoj”, ka treguar Pikhota. 

Për ironi, i është dashur të flasë në gjuhën ruse, atë të pushtuesit, pasi në Prishtinë nuk u gjend një përkthyes i gjuhëve ukrainisht-shqip. 

Ceremonia e hapjes është shënuar edhe me ekspozitën në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Aty janë veprat e artistëve Jeroen Janssen, Ula Rugeviciute Rugyte, të “Nonetaori”, të Rina Krasniqit, të Murat Ahmetit, si dhe të Enrique Flores e të Ruslan Pikhotas

Me përkthim të Gazmend Bërlajollit, “GranFest” është kujdesur që botimi i parë i librit “Nga llogoret e Ukrainës” të jetë në gjuhën shqipe. Versioni fillestar i librit, në gjuhën angleze, është publikuar në platformën “Amazon”. 
Autori i librit ka treguar se vizatimet e tij ishin shpërndarë shumë në kohë lufte dhe shfrytëzoheshin si mjet i mesazheve frymëzuese e fuqizuese për popullin ukrainas. Nuk ishin veç njerëzit, por edhe institucionet shtetërore. 
“…pastaj Ministria e Mbrojtjes filloi t’i publikojë vizatimet e mia dhe t’i vendosë ato në ‘Facebook’ dhe kjo ishte shumë e vlefshme për mua. Punonjësit shtetërorë madje i printonin ato dhe i vendosnin në zyrat e tyre. 
Ukrainasi Rusland Pikhota ka thënë se krejt qëllimi i punës së tij ka qenë të tregohet një pjesë e historisë së luftës në Ukrainë. 

“Të flas për përpjekjet tona, për luftën, vështirësitë. Dhe vizatoja shumë që t’u tregoja të tjerëve, gjithë botës, se çfarë po ndodhte në luftën tonë. Prandaj është shumë me rëndësi për mua që ta përpiloj këtë në anglisht dhe kam bërë përpjekje maksimale për ta shpërndarë sa më shumë. Sidomos që ushtarët e lodhur nga lufta të mos harrojnë se bota nuk i ka harruar dhe se ne duhet ta mbështetim këtë”, është shprehur ai në konferencën e organizuar nga “GranFest” në kuadër të programit të edicionit të gjashtë të festivalit. 

Një rrëfim i ngjashëm qe botuar në edicionin e kaluar të Festivalit. Romani grafik “Palestina” i Mohammad Saba’aneh kishte për qëllim edukimin e rezistencës nëpërmjet artit. Duke ndërtuar një tregim vizual, ai synonte ta vetëdijesonte audiencën në raport me realitetin e jetës së popullit palestinez.

Në konferencën e së shtunës janë shfaqur edhe imazhet e përmbajtjes së romanit grafik “Në llogoret e Ukrainës”. Njëri rrëfim është ai i deminimit në kushte shtëpie nga të moshuarat e njërit prej qyteteve të sulmuara. 

“Rusët kanë përdorur një taktikë të hedhjes së minave bashkë me artileri. Kanë qenë mina anti-këmbësori dhe ato i hidhnin nga ajri. Rreth qytetit Isium, të gjitha fushat, fshatrat, rrugët, ishin të mbuluara me mina të tilla. Në një prej fshatrave i thirrën deminuesit për t’i larguar ato. Ata erdhën dhe nuk mund të gjenin asnjë minë dhe po i pyesnin gratë e moshuara se ku janë minat. Ato thanë: janë aty, në shportë, i kemi mbledhur të gjitha për ju. Pra gjyshet, vetë kishin krijuar një vegël për t’i nxjerrë minat dhe t’i mblidhnin në kovë. Aty kuptova se populli ynë është i pamposhtur”, ka qenë shpjegimi i Pikhovas për historinë e këtij tregimi.

Punimet e Ruslan Pikhotas në ekspozitën e “GranFestit”

Përkthyesi i fjalëve në “El Pais” 

Pjesa tjetër e konferencës i është kushtuar vizatimit në kontekstin informativ. Enrique Flores si karikaturist në prestigjiozen spanjolle “El Pais” ka punuar për rreth tri dekada dhe aty ka realizuar afro tre mijë vepra. Para të pranishmëve ka shpjeguar procesin. 

“Nuk është se e zgjedh temën, nuk është se bëj ilustrime që publikohen më vete, kanë kontekst më vete. Unë pranoj një artikull, ta zëmë, për një krizë politike në Argjentinë. E lexoj atë dhe më duhet ta shndërroj në vizatim, të shndërroj fjalën në imazhe. Përdor imazhe vizuale. Më shumë kaloj kohë duke menduar sesa duke vizatuar”, ka thënë Flores. 

Për punën që bën, e ka konsideruar veten si përkthyes vizual. 

“Mundohem që të mos i shtyj përpara opinionet e mia në vizatim, por që ta përkthej artikullin në fjalë në vizatim. Ndonjëherë më duhet të bëj ilustrim edhe për një artikull që nuk pajtohem, sepse edhe unë kam qëndrimet e mia politike, por konsideroj se kjo është pjesë e punës sime. Unë jam përkthyes vizual”, është shprehur ai. 

Në kuadër të edicionit të gjashtë të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GranFest”, është zhvilluar edhe konferenca me artistët “Catel & Bocquet”, moderuar nga Bruno Genini, në Bibliotekën Kombëtare.

Çmimi i shpresës për gjeneratë të re në Kosovë

Po aty, të premten mbrëma është bërë edhe hapja zyrtare e festivalit e për të parën herë është ndarë edhe një çmim që për shpërblim ka pjesëmarrjen në një rezidencë njëmujore në Francë.
Artistja e re, Liza Dervishaj, e ka marrë këtë çmim. 

“Për herë të parë në gjashtë edicionet e festivalit kemi shpallur një fituese e cila do të mbajë një rezidencë njëmujore në Francë. Liza Dervishaj, një artiste e re por me shumë potencial, e ngjall shpresën që në Kosovë ende kemi njerëz që e duan romanin grafik dhe se në të ardhmen mund të kemi artistë që do të jenë në të njëjtin nivel me artistët që kanë ardhur këtë vit në Festival”, ka thënë drejtoresha e festivalit “GranFest”, Ensara Haliti.

Punimet e Enrique Flores në ekspozitën e “GranFestit”

Ceremonia e hapjes është shënuar edhe me ekspozitën në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Aty janë veprat e artistëve Jeroen Janssen, Ula Rugeviciute Rugyte, të “Nonetaori”, të Rina Krasniqit, të Murat Ahmetit, si dhe të Enrique Flores e të Ruslan Pikhotas. 

Të shtunën është shfaqur filmi “Superhjemp” nga Lucien Czuga ndërsa edicioni është mbyllur me ngjarjen tradicionale, me sesion nënshkrimesh në librarinë “Dukagjini” nga autorët që kanë promovuar në festival librat e tyre të përkthyer në shqip. E këta kanë qenë “Catel & Bocquet” dhe Ruslan Pikhota. 
Rreth 12 artistë kanë qenë pjesë e festivalit sipas drejtoreshës Haliti e cila ka thënë se në kuadër të programit të tij sjell edhe ngjarje të tjera vartëse të edicionit të sivjetmë.

“Këtë vit kemi pasur rreth 12 artistë nga Franca, Belgjika, Spanja dhe, përveç të ftuarve që janë artistë të romanit grafik, kemi pasur edhe gazetarët. Njëri prej tyre ka qenë prej gazetës më të madhe në Spanjë, ‘El Pais’ dhe tjetri ka qenë prej gazetës më të madhe në Belgjikë, ‘Le soir’. Gjithashtu ka pasur edhe tri punëtori që janë organizuar me nxënës të shkollave të mesme e fillore si dhe një masterklasë”, ka shpjeguar ajo. 

Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik e nisi rrugëtimin e tij për herë të parë më 2019 themeluar prej mjeshtrit të këtij zanati, Gani Jakupit. Nisi me idenë për të ringjallur artin e komikeve, por njëherësh duke refuzuar idenë e krijuar nga të rinjtë se librat komikë janë përshtatje e kinematografisë me superheronj apo të tilla si mangat japoneze.

Duke dashur t’i shmangej një gjëje të tillë, “GranFest” vendosi të përdorte emërtimin “roman grafik”, duke refuzuar fjalën komik si anglicizëm ose termin libër vizatimor, që zakonisht lidhet me fëmijët.
Sikurse shumica e organizimeve, “GranFest” nuk arriti të mbahej në 2020-n, por u rikthye në tetorin e vitit 2021, me temën “Gratë dhe romani grafik”, kur krahas ngjarjeve të tjera u përuruan edhe botimet në shqip të romaneve grafike “Anmiku n’gji” i Lili Sohn dhe “M’u desh me ta thanë” i Aude Mermilliod.