Pas tridhjetë e sa vjetësh përkushtimi, ata që punuan për tubimin e trashëgimisë shkrimore që la Tahir Kolgjini, vendosën ta botonin atë në një kolanë të veçantë me tetë vëllime me shtëpinë botuese “Logos-A”. Përfundimisht, në bashkëpunim me dorëzuesit e materialeve, botuesi e përmbylli kësisoj një punë tejet të vlefshme. Megjithatë, do shtuar se me gjithë përpjekjet dhe punën e të gjithëve që tubuan veprimtarinë shkrimore të Kolgjinit, ende mund të ketë materiale që mbeten pa u përfshirë në këtë kolanë
Shtëpia botuese “Logos-A” me qendër në Shkup ka vite që nxjerr në dritë veprimtaritë e personaliteteve nga e kaluara jonë dhe më gjerë, duke ua botuar opuset shkrimore. Kolanat e veprave të Sami Frashërit, të Hafiz Ali Korçës, a të Imam Vehbi Ismailit, janë vetëm disa nga kompletet e “Logos-A” që tashmë gjenden nëpër bibliotekat publike e private. Në vazhdën e këtyre botimeve, sivjet lexuesit i ofrohet kompleti i veprave prej shtatë vëllimesh të veprimtarit, studiuesit, publicistit, poetit e historianit Tahir Kolgjini.
Veprat dhe shkrimet e botuara të Tahir Kolgjinit, disa prej të cilave edhe me pseudonime si: Dashamiri, Dyleja, Lok Limthi, L. Thumbi, etj., për arsye të ndryshme ishin shpërndarë gjithandej trojeve shqiptare, por edhe jashtë tyre. Që nga viti 1988, kur Kolgjini ndërroi jetë në Stamboll, familjarë dhe miq të tij u interesuan t’ia mblidhnin të gjithë krijimtarinë, të bindur se një ditë ajo duhej botuar si tërësi.
Pas tridhjetë e sa vitesh përkushtimi, ata që punuan për tubimin e trashëgimisë shkrimore që la Tahir Kolgjini, vendosën ta botonin atë në një kolanë të veçantë me shtëpinë botuese “Logos-A”. Përfundimisht, në bashkëpunim me dorëzuesit e materialeve, botuesi e përmbylli kësisoj një punë tejet të vlefshme. Megjithatë, do shtuar se me gjithë përpjekjet dhe punën e të gjithëve që tubuan veprimtarinë shkrimore të Kolgjinit, ende mund të ketë materiale që mbeten pa u përfshirë në këtë kolanë.
Figurë poliedrike, veprimtar i shumanshëm
Kush ishte Tahir Kolgjini? Ai u lind më 24 prill 1903 në Lusën të Lumës, nga babai Ali dhe nëna Qamile. Mësimet e para i mori në fshatin Lusën nga mulla Ademi me origjinë nga rrethina e Shkupit. Më pas, Kolgjini u detyrua të shpërngulej në Turqi për shkak të luftërave ballkanike. Shkollimin fillor dhe medresenë e lartë i mbaroi në Stamboll.
Në vitin 1924 Kolgjini u kthye në Lumë, dhe fillimisht shërbeu si imam, dhe më vonë deri më 1928 ushtroi detyrën e mësuesit në disa fshatra të zonës. Në vitet 1928-1929 mbajti postin e sekretarit të gjykatave në Himarë dhe në Kukës. Më 1931 ishte kandidat për deputet në Parlamentin e Shqipërisë, ku i kishte fituar votat e nevojshme, por, siç shkruan vetë, për shkak të manipulimeve, kandidatura e tij u zëvendësua. Ky manipulim kishte ndikuar që Kolgjini, që i qe bashkangjitur një partie ilegale të kohës, të dekonspirohej dhe për pasojë të internohej. Nga vitet 1939-1944, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, e më pas nga Gjermania, Tahir Kolgjini mbajti pozita të ndryshme, si kryetar bashkie në Kukës dhe Prizren, si dhe prefekt i Gjirokastrës, Prishtinës dhe Shkodrës, si dhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë. Gjatë udhëheqjes së tij në Prizren dhe në Prishtinë kontribuoi për ngritjen e administratës dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Në vitin 1941, së bashku me hafizin Abdullah Telaku, organizoi Kongresin Mysliman për “vendet e lirueme”, i cili kërkonte që komuniteti mysliman të gëzonte liritë e autonomisë fetare që kishte pasur më herët, pavarësisht dispozitave ligjore të nxjerra nga administrata e kohës italiane, të cilat Kolgjini i quante laike. Në vitin 1944 ai largohet nga Shqipëria për në Austri, që të dilte pastaj në Itali, ku qëndroi disa vjet, për t’u vendosur përfundimisht në Stamboll më 1948.
Veprimtarinë nuk e ndali asnjëherë dhe me gjithë potencialin iu përkushtua çështjes shqiptare, në dy forma: hapi shoqata të miqësisë shqiptaro-turke, e përmes tyre afroi shqiptarët që jetonin e vepronin në Turqi dhe në vendet e tjera, me qëllim që të bashkërendonte veprimtarinë e tyre në dobi të çështjes shqiptare; publikoi libra e shkrime nga fusha e historisë, letërsisë, gjuhësisë, folklorit, e me radhë, me çka afirmoi kulturën shqiptare dhe vetëdijesoi opinionin shqiptar e të huaj mbi ato që ndodhnin me shqiptarët në gjithë trojet e tyre.
Vepra e Tahir Kolgjinit, pjesa dërrmuese e të cilës është e përmbledhur këtu, është shkruar jo vetëm jashtë konturave të pushteteve të kohës tek ne, por madje shkon ndesh me to. Më një fjalë, për problematikat e kohës, qofshin ato politike, shoqërore, gjuhësore a kulturore, Kolgjini nuk e ndoqi vijën zyrtare të interpretimit, e as nuk ngurroi ta shprehte mendimin ndryshe, si në rastin e qëndrimit që shprehu ndaj Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë më 1972, duke parashikuar problemet sociolinguistike që imponimi i toskërishtes si gjuhë “e njesuar” do të kishte në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Kolgjini la edhe një studim mbi leksikun e poetit Gjergj Fishta, në kohën kur vetë Fishta në vendin e tij të lindjes, në Shqipëri, ishte i anatemuar. Mbi të gjitha, Kolgjini është i pari studiues në mesin e shqiptarëve që personalitetin e Esat Pashë Toptanit e shikoi jashtë linjës zyrtare të historiografisë shqiptare.
Vepra në tetë vëllime
Vëllimi i parë “Studime gjuhësore I”, përfshin veprën “Shpalime rreth Lahutës”, fjalor fjalësh e shprehjesh nga “Lahuta e Malcís”, vepër e poetit të mirënjohur Gjergj Fishta. Fjalori nga një anë ndihmon zbërthimin e fondit leksikor të “Lahutës” nga lexuesi i rëndomtë, por edhe ofron ndihmesë për ta shkruar më mirë shqipen. Tahir Kolgjini vëren se Fjalori i Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1954) kishte lënë pa përfshirë pjesën dërrmuese të fjalëve të bukura që kish përdorë Fishta në veprën e tij, prandaj me të drejtë sugjeron që ato të përfshihen në Fjalorin e Shqipes.
Vëllimi i dytë “Studime gjuhësore II” mbledh shkrime që trajtojnë problematika të ndryshme të gjuhës shqipe, me theks të veçantë te gjuha e njësuar. Në këtë vëllim, përveç shpalimeve në lidhje me orientalizmat e përdorur në veprën “Lahuta e Malcís”, përmblidhen edhe shkrime për gjuhën zyrtare të shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme, për gjuhën e njësuar dhe shkencën e saj, për drejtshkrimin e shqipes, si dhe për shkrimtarët. Këto shkrime janë botuar fillimisht në revistat “Shejzat”, “Lajmtari i të Mërguemit” dhe “Koha e jonë”, gjatë harkut kohor 1961-1984.
Vëllimi i tretë përmban botimet e Tahir Kolgjinit nga fusha e letërsisë – poezi, poema dhe tregime. Poezitë dhe tregimet qenë botuar në revistat “Shejzat”, “Lajmtari i të Mërguemit” dhe “Koha e Jonë” gjatë viteve 1975-1984. Një poezi është gjetur në dorëshkrim dhe botohet këtu për herë të parë. Ndërsa, poema “Po vajtojmë Gjon Gjinin” qe botuar fillimisht në formë libri në Stamboll më 1978.
Vëllimi i katërt përmbledh studime nga fusha e historisë sonë kombëtare. Studimi i parë në këtë vëllim është “Esat Pashë Toptani dhe akuzat q’i bâhen”, botuar fillimisht në Stamboll më 1977.
Vëllimi i pestë, përmban veprat: “Të vërtetat shqiptare dhe greke” e “Luma dhe luftnat e saja”, të botuara në Stamboll më 1968.
Vëllimi i gjashtë tubon shkrime, fjalime, portrete, polemika, me një fjalë publicistikën e Tahir Kolgjinit gjatë viteve 1958-1986, të botuar në “L’Albanie Libre”, “Shêjzat”, “Shqipnija e Lirë”, “Dielli”, “Lajmtari i të Mërguemit” dhe “Koha e Jonë”.
Vëllimi i shtatë mbledh gjithçka që është gjetur nga letërkëmbimet e Tahir Kolgjinit me personalitetet shqiptare të kohës dhe disa familjarë të tij, si: Mustafa Kruja, Ekrem Vlora, Xhafer Deva, Bashkim Merlika, Rifat Kolgjini, Zyber Peposhi, Zenel Peposhi e Haxhi Gashi. Një pjesë e letërkëmbimeve të botuara këtu janë shkruar në gjuhën shqipe, kurse të tjerat në gjuhën osmane. Këto të fundit janë përkthyer në gjuhën shqipe, si dhe janë transkriptuar në gjuhën e sotme turke. Këto letërkëmbime, që përfshijnë harkun kohor 1948-1987, trajtojnë aspekte politike e albanologjike kryesisht, por edhe familjare. Fatkeqësisht, arkiva e tij me letra nuk është gjetur. Në këtë volum janë përmbledhur vetëm letrat që kanë ruajtur të tjerët.
Vëllimi i tetë përmbledh dokumente të përzgjedhura nga studiuesi Hasan Bello në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, të cilat pasqyrojnë detyrat dhe veprimtarinë e Tahir Kolgjinit në vitet 1942-1944. Janë të përzgjedhura sepse, siç na vë në dijeni përgatitësi i këtij vëllimi, studiuesi Hasan Bello, në këtë arkiv ruhen me mijëra dokumente që lidhen me personalitetin e Tahir Kolgjinit dhe që mbajnë nënshkrimin e tij. Nga ky vëllim i kolanës lexuesi do të mësojë mjaft për personalitetin dhe qëndrimet politike të Tahir Kolgjinit, nisur nga pozicionet që ai mbante dhe vendimet që merrte aso kohe. Ky vëllim i fundit vjen edhe me një set fotografish, të mbledhura nga miqtë e familjarët, e që portretizojnë edhe rrugëtimin jetësor të Kolgjinit.
Me gjithë veprimtarinë e begatë të Tahir Kolgjinit, përpiluesit e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, të botuar në tri vëllime më 2008-2009 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nuk e panë të arsyeshme t’ia ndanin një zë enciklopedik. Në anën tjetër, me gjithë të metat që mund t’i ketë Fjalori Enciklopedik i Kosovës, i botuar në vitin 2018 nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Tahir Kolgjinin e jep si zë më vete.
Për fund, në qoftë se Tahir Kolgjini e filloi veprimtarinë nga rajoni i Lumës historike, duke i shërbyer atdheut deri sa ndërroi jetë, sot veprimtaria shkrimore e tij vjen e përmbledhur nga Shkupi, prej ku shpërndahet gjithandej hapësirës shqiptare dhe me gjerë. Me ribotimin e veprimtarisë së tij në një kolanë, “Logos-A” po i bën edhe një shërbim kulturës shqiptare, duke mundësuar që vepra e një njeriu të vyer të penës, siç ishte Tahir Kolgjini, të vijë nëpër bibliotekat shqiptare dhe më gjerë.