Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Rabit Rexhepi – njeriu të cilin edhe armiqtë e respektonin

Vlerësim për librin e autorëve prof.dr. Nuhi Rexhepi dhe Xhafer Xhaferi, “Rabit Rexhepi - Gjurmë jete”

Libri i autorëve prof. dr. Nuhi Rexhepi dhe Xhafer Xhaferi, “Rabit Rexhepi - Gjurmë jete” i kushtohet intelektualit dhe politikanit Rabit Rexhepi, jeta dhe veprimtaria publike e të cilit përfshin periudhën më dinamike dhe kyç në historinë më të re të Kosovës. Rrjedhimisht nga e kaluara individuale e tij mund të nxirren përfundime të përgjithshme mbi historinë kolektive të shqiptarëve gjatë pothuaj gjithë periudhës 50-vjeçare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Kështu ai lindi në Mbretërinë Jugosllave, në të cilën mohohej qenia kombëtare shqiptare, ndërkohë fëmijërinë e kaloi në kufi të një shteti shqiptar në mbrojtje të Italisë fashiste dhe Gjermanisë, në të cilën ndonëse përsëri të pushtuar, shqiptarët këtej kufirit të Shqipërisë politike të vitit 1913 ndienin një frymëmarrje lirie, me shkolla dhe administratë në gjuhën shqipe. Produkt i kësaj ishte krijimi i një brezi të ri shqiptarësh të arsimuar, të cilët edukimin arsimor e shpallën armën kryesore për emancipimin kulturor, kombëtar dhe politik të shqiptarëve, sidomos të atyre në Kosovë.

Prandaj edhe pse në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, lëvizja komuniste në Jugosllavi do të zhvlerësonte vendimet e Konferencës së Bujanit për bashkimin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit me shtetin amë, duke bërë kështu shkeljen e parimeve për të cilat luftonte, ata përsëri nuk e ndalnin dot sistemin arsimor në gjuhën shqipe të vendosur në Kosovë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Si produkt i kësaj ishte edhe hapja e shkollave të reja në të gjithë ish-zonën okupuese bullgare, ndër të cilat ishte edhe fshati i Pogragjës, aty ku filloi rrugëtimi arsimor, intelektual e politik i Rabit Rexhepit. Ëndrra e tij ashtu sikur e shumë të rinjve të asaj gjenerate ishte të bëhej mësues, objektiv që arrin të jetësojë me përfundimin e Shkollës Normale në Prishtinë dhe angazhimin si mësues dhe drejtor shkolle në Pogragjë, në fshatin e lindjes së tij. Veprimtaria e tij e suksesshme në fushën e arsimit u kurorëzua në vitet ‘60 edhe me caktimin e tij si përgjegjës për arsim dhe kulturë në Komunën e Gjilanit, mu në vitet kur gjuha shqipe tashmë ishte bërë edhe gjuhë zyrtare në administratë.

Angazhimi politik si detyrë dhe obligim

Ai angazhimin e tij politik e shihte jo si mundësi për përfitime personale, por detyrë dhe obligim që t’u shërbente më së miri interesave të përgjithshme e sidomos kombit të tij. Duhet thënë se përfshirja e tij në jetën publike dhe politike në Kosovën e viteve ‘50 dhe ‘60 bëhej në kohën kur pushtetin faktik në Kosovë e kishin kuadrot serbo-malazeze, që me përbuzje shqiptarët i quanin “shiptari” dhe gjuhën shqipe “shiptarski jezik” dhe me arsyetime të ndryshme përndiqnin çdo intelektual shqiptar. Pra, ishte kjo kohë kur puna e ndershme, besimi në vlerat e deklaruara të komunizmit, pengoheshin haptazi dhe fshehurazi nga organet e sigurimit shtetëror deri në masën që jo vetëm bëhej presion në ato pak kuadro shqiptare që të bëheshin bashkëpunëtorë të tyre, por ekzistonte edhe rreziku i burgosjes së tyre.

Rabit Rexhepi me qëndrimin e tij parimor dhe të matur arriti që të shmangte si propozimet që të bëhej bashkëpunëtor i tyre ashtu edhe kërkesat e këtyre organeve që kinse ai si pjesë e pushtetit e kishte obligim bashkëpunimin me ta. Ndërkohë në Plenumin e Brioneve, më 1966, pësoi humbje rryma centraliste dhe nacional-komuniste serbe, duke u hapur rrugë elitës politike shqiptare në Kosovë, respektivisht individëve me ndikim, sikur ishin në nivel qendror Fadil Hoxha, Veli Deva, Mahmut Bakalli etj., si dhe atyre në nivel komunal, si Rabit Rexhepi etj., që të shfrytëzojnë mundësitë që pushtetin ta shfrytëzojnë për të avancuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe të risin si numrin e shkollave në gjuhën shqipe ashtu edhe numrin e të punësuarve shqiptarë. Natyrisht, në këtë proces kishin ndikuar si shteti shqiptar me propagandën e pandarë dhe ushqimin e ndenjës atdhetare te shqiptarët këndej kufirit, por edhe lobi kroato-slloven, respektivisht Tito dhe Kardeli.

Rrjedhimisht demonstratat në Kosovë të vitit 1968 dhe kërkesat për herë të parë për statusin e republikës, edhe pse publikisht nga organet shtetërore u dënuan, ato i shërbyen elitës politike në Kosovë si material për të dëshmuar pakënaqësinë e madhe të shqiptarëve me pozitën e tyre. Prandaj, nuk është rastësi që në prag të këtyre demonstratave Tito dhe Kardeli, më 20 mars 1967, në takimin me përfaqësuesit e RS të Serbisë do të bisedonin lidhur me mundësinë që Kosova të fitonte statusin e republikës. Ndonëse elita serbe ishte kategorikisht kundër një mundësie të tillë, ata nuk mund të ndalonin procesin e afirmimit kulturor, kombëtar e politik të shqiptarëve në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, ashtu sikur shumë herë e përsëriste edhe Rabit Rexhepi.

Ideja për mëvetësinë e Kosovës apo të “Shqipërisë tjetër”

Në mendësinë politike të kësaj elite shqiptare, ku bënte pjesë edhe Rabit Rexhepi, ishte besimi që me rrugë legale, me punë dhe përkushtim mund të trasohej rruga për përparimin kolektiv të shqiptarëve. Prandaj nuk habit fakti se në vitet ’70, në mesin e popullsisë shqiptare në Kosovë ishte ngulitur ideja për mëvetësinë e Kosovës apo të “Shqipërisë tjetër”, sikur e quante shtypi amerikan dhe që si subjekt politik ishte në rrugë për t’u shkëputur edhe formalisht nga RS e Serbisë. Këtë e dëshmonte edhe Rabit Rexhepi, i cili si deputet në Kuvendin e RS të Serbisë theksonte se ligjet që i miratonte ky kuvend vlenin vetëm për Serbinë e ngushtë, pa krahinat autonome të Kosovës dhe të Vojvodinës.

Në anën tjetër, ai ashtu sikur edhe një pjesë e strukturave udhëheqëse shqiptare në Kosovë, atdhetarët e tjerë, të cilët ishin për forma të tjera të veprimit, asnjëherë nuk i gjykonte e aq më pak t’i lajmëronte në organet e sigurimit. Prandaj, autorët e librit me të drejtë sjellin shembuj të ish-të burgosurve ose të përndjekurve të cilëve Rabit Rexhepi u ka ndihmuar për aq sa lejonin rrethanat e kohës. Përgatitja e tij e lartë intelektuale dhe politike nuk kishte si mos t’u binte në sy strukturave të larta politike të Kosovës, ndër ta edhe Fadil Hoxhës, i cili e angazhoi si shef të kabinetit të tij në Komitetin Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, për të vazhduar punën po në Komitetin Qendror si sekretar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërnacionale. Gjatë punës së tij në Beograd, Rabit Rexhepi pa për së afërmi funksionimin e sistemit politik të vendosur me Kushtetutën e vitit 1974, si dhe faktin se serbët vazhdonin të kishin një perceptim të gabuar dhe plot urrejtje mbi shqiptarët si një popull të një niveli më të ulët në krahasim me ta.

Ndërtimi dhe financimi i institucioneve kulturore e arsimore

Me t’u kthyer në Kosovë punën e vazhdoi si anëtar i Kryesisë së Sindikatave të Kosovës dhe kryetar i Komisionit për Arsim e Kulturë, ku dha kontribut sidomos në financimin dhe realizimin e projekteve të ndryshme kinematografike dhe të teatrit. Duhet thënë se buxheti i Kosovës vetëm pjesërisht mbulonte shpenzimet e Kosovës, gjë që ishte pak e njohur nga opinioni publik në Kosovë me përjashtim të një grupi të vogël të politikëbërësve të iluminuar vendorë, në mesin e të cilëve ishte edhe Rabit Rexhepi. Kështu buxheti i KSA të Kosovës për vitin 1981 ishte rreth 340 milionë dollarë, nga të cilat të ardhura vetjake të Kosovës ishin rreth 84 milionë dollarë ose 25 %, kurse pjesa tjetër prej 256 milionë dollarë ose 75 % vinte nga dy vijat buxhetore të federatës. Vija e parë e financimit ishte “Fondi për zhvillimin e republikave më pak të zhvilluara dhe të Krahinës Autonome të Kosovës” dhe burimi i dytë nga buxheti federativ, i cili mbështetej në nenin 258 të Kushtetutës së vitit 1974 të RSFJ-së, sipas së cilës në rast se republikat ose krahinat nuk kishin mundësi të financonin veprimtaritë e institucioneve shoqërore, si: arsimin, kujdesin shoqëror, sigurimin pensional etj., atëherë federata siguronte të ardhurat e nevojshme për financimin e këtyre institucioneve. Ndërkohë Kosova ishte pjesëmarrëse e barabartë edhe në shpërndarjen e kredive ndërkombëtare që i merrte Jugosllavia.

Se sa ka kontribuar elita kosovare, ndër ta edhe Rabit Rexhepi, në ndërtimin dhe financimin e institucioneve kulturore e arsimore të Kosovës, përkundër kundërshtive dhe pengesave në federatë, dëshmon edhe fakti se Eduard Kardeli, në vitin 1978, me rastin e takimit me delegacionin e RS të Bosnjë-Hercegovinës do të deklaronte se ankesat dhe kërkesat e përsëritura të udhëheqjes së Kosovës për të ndarë më shumë mjete për Krahinën po shkaktonin pakënaqësinë e republikave të tjera me Kosovën. Rrjedhimisht frustrimi i tyre me Kosovën dhe urrejtja e serbëve dhe Serbisë kundër shqiptarëve u manifestua hapur pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, të cilat njëkohësisht polarizuan edhe shoqërinë e brishtë shqiptare duke e dobësuar edhe ashtu kohezionin e saj të dobët. Edhe në këto rrethana aspak të lehta për shqiptarët si tërësi dhe në veçanti për Kosovën si entitet autonom, Rabit Rexhepi u përpoq që në cilësinë e anëtarit të Pleqësisë së Universitetit të Kosovës të riemëruar më vonë si Universitet i Prishtinës të mbronte kuadrin shkencor dhe arsimor nga sulmet e nacionalistëve serbë e malazezë. Ai shumë mirë e kuptoi se nacionalizmi serb po shfrytëzonte si shkas demonstratat e ’81-shit për të dalë haptazi me programin për krijimin e Serbisë së Madhe.

Tri fazat e historisë së re të Kosovës

Prandaj Rabit Rexhepi shumë herë përsëriste se serbët hapën çështjen e shpërnguljes së serbëve duke ia veshur atributin e dhunës që gjoja shqiptarët e përdornin kundër tyre për realizimin e qëllimit irredentist të Kosovës etnikisht të pastër.

Dhe së dyti, strukturat nacionaliste serbe hapën çështjen e dhunimeve të femrave serbe nga ana e shqiptarëve dhe e ngritën në nivel të një dukurie masive me qëllim të nxitjes së sentimentit kolektiv të popullit serb, i cili do të kërkonte në mënyrë unanime përdorimin e dhunës nga ana e forcave represive të Serbisë kundër shqiptarëve dhe krijimin e kushteve për heqjen e autonomisë së Kosovës. Nisur nga përvoja e tij e gjatë politike ai do të përshkruante historinë më të re të Kosovës “si periudhë nëpër të cilën ajo kaloi nëpër tri faza të dallueshme njëra nga tjetra. Faza e parë, simbolikisht të shprehemi, ishte fara e parë, e dyta mbjellja dhe vjelja e begatë e fryteve dhe e treta faza e breshrit, që u përpoq ta zhbënte çdo arritje qëkur u formua Universiteti i Prishtinës.” Ndërsa se çka po përgatitej kundër shqiptarëve dhe Kosovës, Rabit Rexhepit do t’ia konfirmonte në vitin 1988 një intelektual serb nga Beogradi, i cili theksonte se ata janë të vetëdijshëm për gënjeshtrat lidhur me kinse “dhunimet monoetnike” dhe me keqardhje do t’i thoshte: “Mos qofsha nën lëkurën tuaj çka po ju përgatitet.” Ky pra ishte Rabit Rexhepi, njeriu, të cilin edhe armiqtë e respektonin.

Artikuj të ngjashëm