“Secili prej nesh duhet të lërë diçka, sikur gjeneratat e para që na kanë lënë vlerat e jashtëzakonshme, të cilat shpesh dimë t’i ruajmë, por shpesh nuk dimë të sillemi mirë. Prandaj, duhet të kemi shumë kujdes për trashëgiminë dhe njerëzit që i meritojnë e janë në panteonin kombëtar shqiptar të cilët për shumë gjenerata me radhë nuk mund t’ua kthejmë borxhin që kemi ndaj tyre”, kishte thënë Shyqri Nimani në rrëfimin e tij në “ProX” të Kohavisionit, në shkurtin e sivjetmë. Ishte i prerë kur konstatonte se “populli e do të bukurën”, e shumë vepra të tilla maestroja ia la këtij populli
“Ja bashkëkohaniku juaj Shyqriu e ka bërë këtë vizatim”, do t’u thoshte nxënësve të klasës së dytë në Prizren, mësuesja Shpresa Fehmiu, e bija e mësuesit Ibrahim Fehmiu, një nga tetë anëtarët e familjes së shquar, motra e të madhit Bekim Fehmiu. Shyqriu ishte Shyqri Nimani. Me një kujtim si ky, grafisti i shquar në shkurtin e sivjetmë në emisionin “ProX” në Kohavision, do të gjente fillin e lidhjes së tij me artin. Pjesa tjetër është histori. Atë ditë, pesë muaj më parë, tek po vinte drejt studiove të KTV-së, profesori në shpalosjen e kujtimeve do të ketë vendosur të mos flasë për jetën “nëpër gjemba” por për rrugëtimin “drejt yjeve”. “Nëpër gjemba drejt yjeve” është titulli edhe i koncertit me këngët e tij prej opusit prej njëqind sosh i mbajtur në dhjetorin e vitit 2021, njashtu sikurse edhe biografia e tij e botuar më 2016.
“Kam lindur në qytetin e bukur, të vjetër, mbretëror në Shkodër, edhe pse familjen e kam nga Kosova, nga Gjakova, por meqë prindërit e mi kanë jetuar një kohë atje, unë kam lindur në Shkodër. Pastaj jemi kthyer përsëri në Kosovë dhe ka filluar jeta ime”, do të niste rrëfimin Nimani. Nuk do të fliste gjatë për atë kohë. Për “gjembat” jo se jo. Do të fliste për artin, të bukurën. Dhe për disa kthesa në jetën e tij, e në historinë e përbashkët.
“Kur isha në Prizren, atëherë u regjistrova në klasën e parë të shkollës fillore dhe aty pas një viti pasi kishim kryer klasën e parë dhe na kishin dërguar në det. Kur u ktheva nga deti, kur filloi klasa e dytë e shkollës fillore, e tregova një vizatim, ishte një peizazh nga bregdeti, ishte një anije me vela”, do të rrëfente ai. Tek shpaloste detaje, micëronte sytë sikur atë pikturë ta kishte krejt të freskët në kujtesë.
“Më mirë të them ishte një barkë e vogël me velat e saj, mandej disa palma dhe diku në prapavijë dukej edhe një pjesë e bregdetit, në qiell diellin. Ia tregoj mësueses. Mësuesja ime ishte një personalitet shumë i madh, mësuesja Shpresa, një nga tetë anëtaret e familjes së Ibrahim Fehmiut, motra e Bekim Fehmiut. Aty ajo mori vizatimin, i pëlqeu shumë, ua tregoi fëmijëve të klasës, mandej më mori për dore dhe shkuam edhe në disa klasë të tjera të vitit të dytë, ua tregonte: ‘Ja bashkëkohaniku juaj Shyqriu e ka bërë këtë vizatim’. Ishte pikturë në fakt”.
Kjo do t’i linte përshtypje jashtëzakonisht të madhe aq sa vite e vite më pas, kur ishte hyrë në vitin e 82-të të jetës, do të konstatonte se ishte mësuesja ajo që e ka zbuluar talentin e tij për artet figurative.
Edhe
Gjilani i jep lamtumirën e fundit gazetarit Nexhmedin Ymeri
Kapitujt si këto, maestroja do t’i sillte si sekuenca para gazetares Forca Jashari.
“Meqë mbarova tetëvjeçaren regjistrova klasën e mesme të arteve aplikative në Pejë. Aty mësimi ka qenë për pesë vjet, profesorët i kemi pasur jashtëzakonisht të mirë, kanë qenë, merre me mend, në atë kohë me fakultet të kryer dhe prej tyre kemi mësuar shumë. Pasi e përfundova shkollën e mesme të arteve në Pejë – një qytet i bukur, sikurse edhe Prizreni e Shkodra, qytete të lashta shqiptare me bukuri gjeografike – shkova në Beograd dhe u regjistrova në Universitetin e Arteve, i cili përbëhej prej katër fakulteteve, pra Fakulteti i Arteve Figurative, i Arteve Aplikative, i Artit Muzikor dhe i Artit Dramatik”, kishte kujtuar Nimani.
Aty do të studionte për pesë vjet, do të regjistrohej në magjistraturë. “Mendoj se jam magjistri i parë i fushës së dizajnit në ish-Jugosllavi. Pastaj u ktheva, konkurrova në bursën e shtetit japonez dhe qëndrova në Japoni për dy vjet”, kishte kujtuar ai. Japonia është një periudhë me peshë në krijimtarinë e tij. E përmendte shpesh.
“Së pari gjashtë muaj në Osaka, në një kurs shumë intensiv të gjuhës japoneze dhe mandej kalova në Tokio ku m’u desh të qëndroja edhe një vit e gjysmë për një hulumtim artistik, pasi që veç e kisha përfunduar magjistraturën”, kishte thënë Nimani.
Atje do të ndiqte programe të ndryshme do të vizitonte “kryesisht tre ishujt e mëdhenj të shtetit, prej katër sa ishin kryesorë”. Do të hulumtonte në ato qytete të bukura si Nara, Kyoto, qytete me traditë, kryeqytete në periudha të ndryshme të historisë japoneze.
“Kur kalova në Akademinë e Arteve në Beograd, e kisha kryer shkollën e arteve në Pejë, e kishim mësuar vizatimin, pikturën, domethënë artin klasik, realistik, analitik, dhe kjo ishte gjë shumë e mirë. Edhe pse quhej ‘Shkolla e Mesme e Arteve të Aplikuara’ në atë kohë, ne kishim mësuar edhe kaligrafinë, bukurshkrimin, kishim mësuar edhe disa teknika të cilat janë pak a shumë të vështira, por janë të bukura. Prandaj pas vitit të parë dhe të dytë në Akademinë e Arteve në Beograd, atëherë duhej të zgjidhnim mes 12 seksioneve. Unë shkova në seksionin e dizajnit grafik, sepse më pëlqente, sepse në Kosovë nuk kishte dizajn grafik”, kishte kujtuar ai.
Shyqri Nimani ishte i prerë për trashëgiminë e shqiptarëve në art. Të bukurën e gjente kudo.
“Nga tradita e kemi artin e aplikuar të jashtëzakonshëm, pra tekstili, filigrani, qeramika, këto janë tradita të jashtëzakonshme që kanë pasur qytetet shqiptare, jo vetëm gjatë Perandorisë Osmane, por edhe më herët, prej kohës së ilirëve. Emri i artit sot është dizajni, sepse gjendet në çdo pore të veprimtarisë së njeriut, edhe në çdo hapësirë”, kishte thënë ai. “Gjithçka është e dizajnuar, asgjë nuk ka dalë nga vetë natyra”.
Në Japoni prej vitit 1976 deri më 1978 kishte shkuar me synime të qarta.
“Kam dashur të thith më shumë nga tradita e dituria e tyre, nga historia e arti japonez dhe këtë seri të punimeve kam dashur ta krijoj thua se jam japoneze. Prandaj e kam veshur ‘kimonon’ japoneze, kam marrë shkopinjtë e ushqimit japonez, gjithçka. Pata hapur ekspozitën, njerëzit kërkonin t’i blinin punimet, mandej edhe ambasadori i Jugosllavisë që ka qenë atje – ka qenë një kroat, një burrë shumë i mirë, kemi qenë miq – pati kërkuar t’ia dhuroja, mua m’u dhimbs ajo dhe i thashë se do t’ia jap. Punimet i kam në Kosovë dhe i kam shfaqur në shtatë shtete të botës”, kishte thënë ai kur kishte folur edhe për një muze të tijin. Edhe për ditët kur nuk do të ishte më fizikisht.
“Ato një ditë do të jenë ose në muzeun tim, kur të kaloj unë në botën tjetër, ia lë familjes sime, djemve, vajzave të mia, nipave. Kam dy vajza, dy djem, të gjithë janë të doktoruar, kam tetë mbesa e nipa, kështu që krejt ato mbesin trashëgimi në familjen time dhe natyrisht për popullin shqiptar”, kishte thënë Nimani. Ai veproi sipas një parimi të cilin s’e shkelte kurrë.
“Secili prej nesh duhet të lërë diçka, sikur gjeneratat e para që na kanë lënë vlerat e jashtëzakonshme, të cilat shpesh dimë t’i ruajmë, por shpesh nuk dimë të sillemi mirë. Prandaj duhet të kemi shumë kujdes për trashëgiminë dhe njerëzit që i meritojnë e janë në panteonin kombëtar shqiptar të cilët për shumë gjenerata me radhë nuk mund t’ua kthejmë borxhin që kemi ndaj tyre”, kishte thënë ai në “ProX”.
Edhe
Kënga e kujtimi për Nexhmije Pagarushën edhe me perlat e epokës së saj
Në Beograd s’i kishin munguar ofertat për punë. “Më kanë ofruar të punoj, të ma jepnin një banësë, një atelie, sikurse janë dy-tre shokë tanë shqiptarë që kanë mbetur atje, por kanë pësuar shumë para vitit ’99. Sado që kanë qenë të mirë dhe i kanë ndihmuar kulturës së tyre. Një nga ta është edhe Bekim Fehmiu, është edhe Mateo Rudiqi, një dizajner shumë i mirë. Unë nuk kam dashur, kam thënë: ‘Jo, Kosova m’i ka dhënë bursat, Kosova më ka rritur, Kosova më ka shkolluar dhe unë do t’ia kthej krejt atë çfarë di më së mirë”, kishte thënë prerazi. Edhe në Japoni gati të njëjtat oferta, kushte të jashtëzakonshme jete.
“Por asgjë nuk më ka tërhequr. Unë jam kënaqur me përparimet e tyre, gjithmonë kam menduar se kur do t’i bëjë Kosova këto përparime, kur do t’i bëjë Shqipëria e shqiptarët e Maqedonisë, apo rajoneve të tjera ku i kemi shqiptarët. Kur erdha në Prishtinë nuk ka pasur universitet, erdha me vetëm një valixhe librash. Libri më pëlqen shumë. Edhe sot e kësaj dite mburrem me bibliotekën që e kam. Është një proverb latin, thotë: ‘Nëse keni një shtëpi të mirë, keni një kopsht dhe keni një bibliotekë të pasur, atëherë keni çdo gjë që ju duhet në jetë”, kishte thënë ai.
Në Kosovë do të kthehej më 1968 a 69. Shpejt do të niste themelimi i Universitetit të Prishtinës që mban për logo veprën e tij.
“Sot kemi gjithë këto fakultete, gjithë këto përparime, por nuk mund të kuptoj. Unë jam kthyer në Prishtinë kur nuk kemi pasur asgjë, me një valixhe libra, e sot rinia jonë ka shumë të mira, natyrisht i duhet punësimi. Ka qenë aspirata e madhe për universitet, sepse universiteti të hap sytë, të dërgon më së miri drejt arritjes së lirisë”, kishte thënë Nimani, teksa do të ndalej një grimë tek ajo periudhë e hovshme për shqiptarët.
“E dini çfarë pati thënë një akademik serb? ‘Ne ua marrim armën, por ua japi armën atomike’. Pas çlirimit Rankoviqi, një kasap po sikurse Millosheviqi atë kohë, gjetëm pretekstin se po i mbledhim armët që shqiptarëve t’u bëjmë presion të largohen prej Kosove. E kishte fjalën se pasi u lejuam të hapim Universitetin, ua dhamë armën atomike, dhe ai ka pasur të drejtë”, kishte thënë ai. Do të kujtonte veçmas periudhën pas vitit 1974. “Pra me themelimin e Universitetin, filluan të ndërtohen institucionet, të gjitha, pra Teatri, Instituti Albanologjik e të tjera, dhe themeluam edhe Galerinë e Arteve. Ndoshta nuk ishim shumë në Galeri, por shumë ishin kthyer, ishin rreth 20, po flas të gjeneratës time dhe pak më të vjetër se unë të cilët tash nuk janë të gjallë, por i kanë lënë veprat e tyre, ka qenë Gjelosh Gjokaj, Muslim Mulliqi, Engjëll Berisha e disa të tjerë. Të gjithë kanë qenë me fakultete në metropolet e Jugosllavisë e Evropës dhe kanë pasur mundësi të sjellin artin profesional në Kosovë”, kishte thënë ai. Ai do të zgjidhej drejtori i parë i Galerisë së Arteve të Kosovës, më 1979 dhe ky institucion të cilin e udhëhoqi për një dekadë do të lidhjes me emrin e tij.
“Fillova prej zeros aty, e morëm hapësirën ku ka qenë Boro Ramizi, ka qenë një hapësirë shumë e bukur, në qendër të qytetit, ka pasur vizita të jashtëzakonshme”, kishte kujtuar ai para një konstatimi të prerë: “Populli e do të bukurën, kur edhe e krijon atë”.
Gjatë asaj dekada fondi i Galerisë do të pasurohej me rreth 500 vepra të artistëve kosovarë. “Gjithashtu kam menduar t’i sjell edhe artistët shqiptarë që jetojnë në Evropë, i kemi akomoduar, u kemi bërë ekspozitën, katalogun me ngjyra në tri gjuhë. Pastaj filluam të botojmë monografi e të tjera dhe kështu filluam të tregojmë nivelin tonë dhe se ne jemi të talentuar, vetëm se na duhet mundësia të shprehemi. Edhe studimet që kemi kryer në Beograd, të gjithë kanë thënë se studentët më të mirë janë nga Kosova”, kishte thënë Nimani.
Pavarësinë e Kosovës, e natyrshme, kaligrafi i Deklaratës së Pavarësisë në Pergamenë, do ta quante kulmim të aspiratës së popullit shqiptar.
“Kanë kaluar shumë gjenerata të cilat prej pushtimit të vitit 1912 e 1913 kur janë bërë masakra të mëdha dhe krejt kohën është bërë terror të largohen nga Kosova. Kanë sjellë me dhjetëra mijëra kolonë nga Mali i Zi e Serbia, të cilët kanë qenë me vetitë më të këqija për t’u bërë zullum shqiptarëve që të largohen. Erdhi kjo ditë dhe ka qenë kënaqësi shumë e madhe edhe për mua sikur për të gjithë shqiptarët jo vetëm në Kosovë. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme”, kishte thënë ai. Për të ajo që është më e bukura, është se erdhi në një moment kur krejt populli shqiptar ishte i angazhuar. Ishin ato dhjetë vjetët kur i treguan botës se ky popull e meriton ta fitojë lirinë.
17 shkurti i vitit 2008 qe festë për shqiptarët. Ditë pune për Shyqri Nimanit. Ditë e jashtëzakonshme pune. Historike.
“Mua më ftuan të punoj, unë kërkova të kem një javë ditë kohë. Këto deklarata i punova në pergamenë, por teksti nuk duhet të jetë shumë i gjatë. Më së shumti, e kam shkruar në fletë A4 dhe e kam menduar për një javë ta kaligrafoj me shkronja të bukura kaligrafike, t’i bëj me ilustrime nga flora, fauna. Por krejt ajo nuk ndodhi ashtu”, do ta rikthente atë kohë Nimani. “Kur më ftuan kisha kohë vetëm 18 orë diku. Kur shkova, ma dhanë teksti në tri faqe A4, u befasova. Nuk kisha mundësi të thosha se nuk mund ta kryej, por duhej ta kryeja patjetër sepse kishte ardhur koha dhe unë duhej ta gjeja mënyrën se si t’u adaprohesha rrethanave që nuk janë optimale, por janë minimale. Krijimtaria nuk do kohë, vepra lind sikur dardha kur piqet, vetë bie. Duhej patjetër ta merrja”, kishte thënë ai. Atëkohë shefi i protokollit në Kryeministri, Abedin Qupeva do të thoshte se atë natë qe vonë. Ishte 16 shkurti i 2008-s.
“’Do ta bëjmë një kontratë që jo vetëm ju si autor, por edhe Qeveria, të jemi bashkautorë’. Unë i thashë: Abedin nuk mund të mendoj për këtë, nuk më intereson kjo. Ç’është e vërteta unë kurrë nuk e kam bërë kontratën dhe kurrë nuk kam kërkuar mjete deri më sot që të më paguajnë për atë, sepse thotë fjala e madhe amerikane: ‘Ti mos kërko çfarë duhet kombi të të japë, por pyet çfarë duhet ti t’i japësh kombit. Sa më shumë që ne bashkohemi, i jepemi kombit, rezultati është aq më i madh”, kishte thënë Nimani.
Edhe Çka po zgjedhim të studiojmëArtisti Shyqri Nimani i dha shumë kombit. Thesarin e artit që mban emrin e tij.
Ky tekst bazohet në rrëfimin e profesor Shyqri Nimanit për emisionin “ProX” me Forca Jasharin, transmetuar në Kohavision më 19 shkurt 2023