Shtojca për Kulturë

Artisti që shënoi kohët

“Një artist i vërtetë dhe shumëdimensional nuk mund të ishte ndryshe...”

Rrëfimi i Nimanit, i cili vdiq të enjten në moshën 82-vjeçare është fiks sikurse titulli i autobiografisë së tij, “Nëpër gjemba drejt yjeve”. Me karrierë që përthekon më shumë se gjashtë dekada, Nimani si grafist, kantautor e autor i disa studimeve ka lënë gjurmë e trashëgimi si rrallëkush në artin e Kosovës. Logot, kaligrafia e Deklaratës së Pavarësisë, hitet në muzikë janë vepra që shënojnë kohët

Në ditën e parë të klasës së dytë kur mësuesja do t’i pyeste nxënësit se si i kanë kaluar pushimet verore, një prej tyre do të nxirrte mbi bankë një bllok vizatimesh. Midis punimeve ishte edhe një pikturë me ngjyra pasteli, një peizazh idilik. Shihej një anije me vela të bardha duke lundruar midis detit dhe qiellit të kaltër. Mësuesja asokohe do ta vlerësonte fort talentin e nxënësit. Do ta merrte pikturën bashkë me autorin e saj dhe në klasat fqinje do t’iu tregonte nxënësve se punimi ishte vepër e shokut të tyre, Shyqri Nimani.

Në bllokun e tij në fund të viteve ’40, nxënësi kishte goxha punime. Verën midis klasës së parë dhe të dytë e kishte të ndarë në dy lloj pushimesh: një muaj në ishullin Hvar të Kroacisë dhe një tjetër në fshatin Brod të Dragashit. Këtë “luks” Nimani nuk e kishte përjetuar shkaku i kushteve të mira familjare. Qe krejt e kundërta. Ishte fëmijë bonjak në Shtëpinë e Fëmijëve në “Emin Duraku” në Prizren. Nxënës i shkëlqyeshëm. Historia e tij si fëmijë është prej më të rëndave që fati ia ka caktuar dikujt. E sukseset dhe karriera e Nimanit janë prej atyre që shkëlqejnë fort. Edhe më shumë se ai peizazhi i bregdetit kroat. Rrëfimi i Nimanit, i cili vdiq të enjten në moshën 82-vjeçare është fiks sikurse titulli i autobiografisë së tij, “Nëpër gjemba drejt yjeve”. Me karrierë që përthekon më shumë se gjashtë dekada, Nimani si grafist, kantautor e autor i disa studimeve, ka lënë gjurmë e trashëgimi si rrallëkush në artin e Kosovës. I tillë edhe është përkujtuar pas vdekjes.

“Peshoret tona nuk lejojnë të mashtrohet...”

I lindur më 6 maj 1941, Nimani në ditën e njëjtë por 72 vjet më vonë, do të ulej në karrigen e punës në studion e tij – sipër hapësirës së banimit – në lagjen “Bregu i diellit” në Prishtinë. Kishte vendosur që t’ia niste jetëshkrimit të tij.

“Sot, më 6 maj të vitit 2013 – në Ditën e Shën Gjergjit, unë, Shyqri Ramiz Nimani, me besimin në mbështetjen dhe bekimin e Zotit, po filloj të shkruaj rrëfimin tim biografik sipas parimit moral të mbishkrimit kuptimplotë në latinisht, i cili shtrihet në harkun e gjerë mbi atriumin e ndërtesës doganore të qytetit të Raguzës (Dubrovnikut)”, është fjalia e parë e rrëfimit në vetën e parë. Mbishkrimi që përmend, do t’i ngelej në mendje gjithë jetën.

“Peshoret tona nuk lejojnë të mashtrohet, e as të jesh i mashtruar – si e mas unë mallin, ashtu le të më matë vetë zoti”, është mbishkrimi i doganierit raguzan. E Nimani duke bërë një lloj betimi për jetëshkrimin e tij të sinqertë shkruan se rrëfimin në vetën e parë do ta ketë të sinqertë dhe se si do t’i vlerësojë ndodhitë “ashtu më vlerësoftë i Madhi Zot”. Si njeri që ka shëtitur goxha dhe ka pasur kureshtje të madhe për të hulumtuar ndodhi e jetë personalitetesh, shpesh kishte hamendësuar se përse njerëzit që kanë lënë gjurmë të mëdha nuk e kanë shkruar një autobiografi. Vetë ia kishte mësyrë një gjëje të tillë. Pos rrëfimit edhe dizajnin e ka bërë vetë, sikurse për krejt librat e tjerë.

“Kur më vjen libri i shtypur nga Italia e marr në dorë, i marr erë dhe nis ta shfletoj, nuk ka ndjenjë më të mirë...”, do të rrëfente ai para ekipit të KOHË-s në ditën e tretë të marsit të sivjetmë pas një interviste për kaligrafimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Është autor i disa monografive. E ajo për jetën e tij, shpesh edhe mund të ngjajë me një roman. Por në rastin e tij, janë rrëfime të jetuara.

I lindur në Shkodër në një familje gjakovare, Nimani do të mbeste jetim nga babai në moshën trevjeçare. I ati, Ramiz Nimani do të vdiste nga tuberkulozi në vitin 1944. Sipas vetë rrëfimit të Nimanit, e ëma do të ngelej e ve me dy fëmijët, 3 dhe 1 vjeç pa kurrfarë mbështetjeje financiare. Do të martohej e më pas do të zhvendosej në Shqipëri. Në këtë rast, vëllezërit do të ndaheshin. Shyqri Nimani do të mbeste te xhaxhallarët, prej të cilëve më i njohuri ishte pushtetari i kohës, Xhavit Nimani. E Genci do të shkonte në Shqipëri me të ëmën. Atë do ta takonte pas më 1972 në Tiranë. Xhaxhallarët nuk do ta mbanin gjatë. Si nxënës të klasës së parë në një mëngjes të hershem, me veturën zyrtare të xhaxhait, Xhavitit do ta nisnin për në Prizren. Derisa gjatë ditës po luante në ambientet e jetimores, në mbrëmje do ta merrte vesh se bëhej fjalë për një kapitull të ri në jetë.

“Vetëm në mbrëmje, kur një grua me uniformë të bardhë më dërgoi në një dhomë me disa shtretër ku flinin disa fëmijë – unë disi e kuptova se fati im po ma shpaloste rrugëtimin tim të ndërlikuar. Pasi që gruaja me uniformë të bardhë më mbuloi me çarçaf dhe më uroi natë të mirë, e fiku dritën dhe u largua. Unë vetëm qava si një bonjak i braktisur tërësisht derisa në fund më zuri gjumi”, do të kujtonte Nimani derisa po rrëfehej në vetën e parë për autobiografinë e tij. Rrëfimi i tij edhe i mëvonshëm shpërfaq se të afërmit e të atit të tij nuk do t’i gjendeshin në situata kyçe. Por Nimani do t’ia dilte që të shkonte në Shkollën e Mesme të Artit në Pejë e më pas drejt Akademisë së Arteve Aplikative në Beograd ku më 1967 do të diplomonte në seksionin e përgatitjes së librit. Po në këtë Akademi do të ndiqte edhe studimet pasuniversitare.

Nimani tashmë kishte nisur të bëhej emër. Punonte si dizajner për Teatrin Popullor të Beogradit. Më pas do të ftohej të angazhohej në Shkollën e Pedagogjike në Prishtinë e kur Krahina e asokohshme e ish-Jugosllavisë u bë me Universitet, Nimani deri në pensionim do të ishte profesor i Fakultetit të Artit e për disa vjet edhe dekan. Në dekadën e parë të Galerisë së Arteve, tash galeria Kombëtare e Kosovës qe drejtor i saj. Historia e tij krijuese prek fusha të ndryshme. Në dizajn vulosi logot e disa prej institucioneve kryesore në vend si Universitetit të Prishtinës, “KosovaFilmit”, teatrit “Dodona” e shumë të tjerave. Pas luftës punoi edhe logon e Policisë së Kosovës.

Muzika në fillim të karrierës si dashuri konstante

Qysh në fillet e karrierës u bë i njohur edhe si zë unik në muzikë. Si kantautor, gjatë viteve ’60, ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar do të realizonte rreth 100 këngë në Radiotelevizionin e Prishtinës, teksa do të botonte tri albume me Jazz Orkestrën e Radiotelevizionit të Beogradit. Këngët si “Adriatiku”, “Ilirjana” dhe “Adriana”, të kënduara nga Nimani, dikur ishin në top-listat muzikore të ish-Jugosllavisë.

Ky kapitull i artit të tij do të rikthehej në skenë me koncertin “Nëpër gjemba drejt yjeve”, në dhjetor të vitit 2021, në 80-vjetorin e karrierës së Nimanit.

“Krejt këngët ua kam kushtuar femrave për arsye se në atë kohë ka pasur shumë emra joshqiptarë dhe ka qenë jashtëzakonisht edhe irrituese. Prandaj unë kam kënduar për Adrianën, Ilirjanën, Teutën, Zanën e të tjera. Gruaja shqiptare gjatë historisë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Femra shqiptare e ka krijuar kombin shqiptar”, do të thoshte ai gjatë koncertit të organizuar në 80-të vjetorin e lindjes.

Kompozitori e profesori universitar, Valton Beqiri, ka thënë se ka pasur nderin që të bashkëpunojë me profesorin Shyqri Nimani dhe ta kuptojë edhe më shumë arsyen pse e admironte aq shumë muzikën.

“Përveç kulturës së gjerë muzikore dhe talentit jo vetëm si interpret i hiteve botërore, por edhe si krijues i shumë këngëve si ‘Adriatiku’, ‘Iliriana’ e të tjera, muzika e përmbushte shpirtërisht dhe emocionalisht, si dashuri konstante të cilën e mbante në zemër. Në fakt, një artist i vërtetë dhe shumëdimensional nuk mund të ishte ndryshe”, ka thënë ai.

“Dizajni grafik në radhën e të arriturave kulmore”

Për punën e tij në dizajn grafik, Nimani do të merrte dhjetëra çmime duke filluar prej vitit 1969 me Shpërblimin për grafikë në Galerinë e Armatës Popullore të Jugosllavisë në Beograd. Numëron 14 ekspozita personale, prej Prishtinë deri në Neë York e Tokio.

Kolegu i tij në Fakultetin e Arteve, dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj, ka thënë se Nimani ishte një personalitet i veçantë i brezit themeltar të artit dhe kulturës moderne të Kosovës. Pos artist dhe intelektual me dije enciklopedike, sipas Hysajt, ai ishte edhe njeri me kauzë që tërë jetën e tij e shfrytëzoi për të realizuar projekte që Kosovës i mundësonin një stad më të lartë kulturor. “Krijoi dhe zhvilloi institucione kulturore si Galerinë e Arteve të Kosovës, të cilën e ngriti në nivelin e galerive prestigjioze të rajonit. Ishte një prej themeluesve dhe udhëheqësve të Fakultetit të Arteve, krijoi Degën e Dizajnit Grafik duke e bërë atë më të mirën në rajon. I bëri me identitet vizual – logo – shumë institucione të rëndësishme të Kosovës”, ka thënë Hysaj. Sipas tij, Nimani bëri me libra shkollorë që nga nxënësit e mësimit fillor e deri te studentët.

“Më e rëndësishmja, kaligrafoi Deklaratën e Pavarësisë të Republikës së Kosovës, duke e përjetësuar kështu emrin e vet për aq kohe sa ky vend do të jetë i pavarur”, ka thënë Hysaj.

Veprat e tij janë vlerësuar gjithandej.

“Shikuar nga aspekti morfologjik-analitik, do të thosha se ku është një veprim mjeshtëror me metaforën, i cili fatlumësisht (figurativisht i arsyeshëm dhe bindës) i tejkalon edhe kohët edhe varësinë e përkrahjes së shembujve dhe të mostrave të traditës”, do të shkruante kritiku kroat, Vlado Buzhançiq.

Sipas kritikut Tonko Maroeviq, sintezën e vërtetë të talentit të vet të shumënduarshëm dhe të dhuntive të llojllojshme, Nimani padyshim e ka realizuar në ciklin “Motivet japoneze”.

“Këtu është arritur ndërlidhja më fatlume mes prirjes ndaj shenjës dhe ideogramit dhe tendencës ndaj artikulimit të qartë dhe të modulacionit të sipërfaqes. Thënë ndryshe, ndjeshmëria e theksuar gjenetike, është mishëruar me shenjat diskrete ikonike dhe me struktura e fuqishme kaligrafike”, vlerësonte ai.

Nimani për dy vjet ishte bursist i qeverisë së Japonisë dhe në këtë qëndrim rezidencial kishte studiuar kulturën japoneze. Cikli i tij i veprave “Motivet japoneze” do të linte përshtypje gjithandej ish-Jugosllavisë.

“Dizajni grafik i Shqyri Nimanit hyn në radhën e të arriturave kulmore të kësaj fushe të shprehjes figurative, andaj ekspozita personale e këtij artisti dhe pedagogu prishtinas në galerinë ‘Forum’ në Zagreb njëlloj magjepsës edhe për publikun zagrebas edhe kolegët e këtushëm dizajnerë”, do të shkruante kritiku Josip Shkunca, në të përditshmen “Vjesnik” më 22 qershor 1984.

Përtej krijimtarisë artistike, ai është shquar edhe si drejtues i institucioneve të artit. Prej themelimit më 1979, për një dekadë qe në krye të Galerisë së Arteve. Megjithëse institucion i ri, Galeria shpejt do të njihej përtej ish-Jugosllavisë. Nimani do të ftonte artistë të ndryshëm të ish-Jugosllavisë për të ekspozuar me kushtin që edhe galeritë e vendeve të tyre të ekspozonin artistë shqiptarë. Në atë kohë, secilit artist që ekspozonte në Galeri i bliheshin nga dy vepra. Kësisoj, Kosova nisi të kishte fondin e saj të veprave të artit.

Nimani sidomos ishte fokusuar shumë në gjurmimin e kulturës shqiptare. Është autor i monografive “Onufri dhe piktorë të tjerë Mesjetarë Shqiptarë”, “Arti Bashkëkohorë i Kosovës”, “Shqyrtime artistike”, “Trojet shqiptare në harta dhe stema”, “Gurë të mozaikut shqiptare”, “Mehmed Ali Pasha – kapedani shqiptar që ia ktheu dinjitetin Egjiptit” dhe disa vepra të tjera.

Dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj ka thënë se Nimani me qasjen e tij kreative dhe këmbëngulëse krijoi monografi e libra për personalitete të rëndësishme historike e kulturore.

“Këtë e bëri për ta bindur botën, por me së shumti ne shqiptarëve se fakti që ndihemi të vegjël e të pafuqishëm sot nuk është se ishim të tillë në të kaluarën. Ne kishim një numër të madh personalitetesh elitare të shpërndara nëpër botë dhe s'kishim pse të ndiheshim inferiorë në raport me popujt e tjerë”, ka thënë Hysaj. E ka përshkruar Nimanin si person karizmatik dhe besonte në mundësitë e mëdha që puna e palodhshme i ofron njeriut. “Nuk kam njohur ndonjëherë njeri që ka besuar aq shumë në punën e tij dhe që ka shfrytëzuar më mirë kohën për të realizuar kauzën e tij jetësore”, ka thënë ai.

Në vitet e fundit të jetës ishte dhënë shumë pas monografive. Madje, në një intervistë të gjatë për televizionin publik në pranverën e vitit të kaluar kishte treguar zellin e tij në këtë fushë.

“E lus Zotin se i kam edhe nja pesë monografi për t’i botuar edhe për nja dy-tre vjet”, do të thoshte ai.

Fati a Zoti kishin qenë goxha të errët në raport me Nimanin gjatë fëmijërisë së tij. Por puna që ka bërë ai gjatë jetës, shkëlqen fort në krejt aspektet. Aso shkëlqimi që zor t’i gjendet krahasim.