Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Përkujtim për njeriun e zakonshëm që bëri vepra të jashtëzakonshme

Irfan Pashoja (Prespë, 23, mars 1937 – Prishtinë, 21 tetor, 2022) ishte profesor e pedagog i shkëlqyeshëm, shembull i njeriut të ndershëm, besnik e i fjalës, i rreptë, por i sinqertë, i drejtpërdrejtë, i afërt e i dashur për mikun, mbrojtës i të shtypurve dhe së vërtetës, i ashpër ndaj të padrejtës.

Personalitet me vlera të larta njerëzore, intelektuale, kombëtare dhe patriotike.

Profesor Irfan Pashoja ishte veprimtar i veçantë i çështjes kombëtare në kohën kur roli i intelektualëve të Kosovës ishte përcaktues i lirisë së shtrenjtë që ne e gëzojmë sot.

Historia e jetës së tij fillon nga Liqeni i Prespës dhe mbaron në Prishtinë. U lind në Prespën e bukur, të cilën e braktisi në këmbim për arsimim, edukim dhe shqiptari, për çka kishte etje të madhe. Me vullnet të madh për shkollim erdhi në Manastir, pastaj në Shkup, e në Sarajevë dhe pastaj u kthye në të gjitha këto vende për t’i reflektuar ato dituri, si udhërrëfyes dhe iluminist i shkëlqyer. U kthye edhe te Nëne Xheko, e cila në pritje të djalit çdo herë, atë pak gjalpë që mblidhte nga bulmeti, e ruante për djalin. Vite më vonë, pas hapjes së kufirit, shtegtoi nëpër krahinën e Kolonjës, duke kërkuar origjinën e familjes dhe fisit të tij.

Image
Irfan Pashoja në fshatin Bojanë, Saraj, Maqedoni, 1956/1957

Festa e vetme e tij ishte 28 Nëntori. Shtëpia e tij ishte bujtinë për çdo student të pastrehë. Sofra e tij nuk ishte asnjëherë pa ndonjë student apo mik. I përkrahur pa kursim nga zonja e tij Emel, një engjëll faqebardhë dhe një grua bujare. Studentëve që migronin në kurbet, në vend të bukës u sillte nga një komplet libra shqip, t’i marrin me vete. Në provim tek Irfani, në këmbim të lëndës, ishte edhe një poezi e Naimit, Nolit apo Migjenit. I tillë ishte profesori! Shembull për të gjithë, se si duhet të jetë një atdhetar.

Pusho në paqe, o shpirt fisnik! Pusho pa merak! Fëmijët e tu faqebardhë, Sylejmani Ganimetja dhe Noli, po vazhdojnë rrugëtimin tënd, me zell.