“Në mes frikës dhe shpresës – Ditar në kohën e P(l)andemisë Covid-19” tejkalon përmasat e një ditari personal dhe regjistron sfidat shëndetësore, sociale dhe politike që preokupuan botën dhe veçanërisht Kosovën gjatë kohës së pandemisë. Kjo e bën librin burim të rëndësishëm informacioni
Ditar Kabashi
Çereku i fundit i vitit 2024 nxori në dritë botimin e librit më të ri të publicistit dhe ish-gazetarit Fahri Musliu, të titulluar “Në mes frikës dhe shpresës – Ditar në kohën e P(l)andemisë Covid-19”.
Libri ndahet në tre kapituj kryesorë, të cilët përmbajnë shënime përgjatë tre vjetëve: 2020, 2021 dhe 2022. Në fund radhitet një shtojcë me dokumente të ndryshme zyrtare ndërkombëtare e vendore dhe me të dhëna e statistika të cituara nga faqet e organeve përkatëse dhe nga mediat e njohura.
Libri ditar pasqyron hollësisht ecejakun me karakter global e lokal të zhvillimit të pandemisë Covid-19, si një nga krizat më të mëdha shëndetësore të shekullit XXI, paraprirë nga një tekst që përqas ndikimin e pandemive të mëhershme në ndryshimin e shoqërisë njerëzore. Libri nuk skicon vetëm përvojën individuale të autorit, e cila është e pranishme kudo në tekst, por edhe efektet shoqërore të përhapura gjithandej. Kësisoj, ky botim tejkalon përmasat e një ditari personal dhe regjistron sfidat shëndetësore, sociale dhe politike që preokupuan botën dhe veçanërisht Kosovën gjatë kohës së pandemisë. Kjo e bën librin burim të rëndësishëm informacioni.
Ditari është ndërtuar me spontanitet, varësisht nga ndodhitë e spikatura të asaj kohe. Ai shtjellon politikat shëndetësore të zbatuara gjatë pandemisë, menaxhimin e krizave dhe reagimet e shoqërisë ndaj zhvillimeve politike. Në këtë aspekt mund të vështrohet dinamika sociale e këtij laku kohor nga një këndvështrim tjetër, gjithsesi realist.
Shqetësimet, brengat, paqartësitë, pikëpyetjet dhe gjithçka tjetër që kanë ndjekur popullatën gjatë gjendjes pandemike nga muaji mars i vitit 2020 hasen në rreshtat e këtij ditari. Autori, si shumë qytetarë të tjerë, nuk i shpëton mbërthimit nga emocionet me rastin pranimit të lajmeve të këqija për familjarët dhe rrethin shoqëror. Në këtë pikë paraqitet njeriu Fahri Musliu. Njëkohësisht, si pak qytetarë të tjerë, autori i rreket dokumentimit në formë ditari të kësaj periudhe duke komentuar ngjarjet sociale dhe politike pa ekuivokë, pa përllogaritje të interesave a pasojave të mundshme. Këtu paraqitet intelektuali Fahri Musliu. Andaj, edhe nëse lexuesi mund të mos ndajë mendim të njëjtë me të për çështje të caktuara, guximi mendor i tij imponon respektin. Kjo frymë kundrohet faqe pas faqeje në rrëfimin gati të përditshëm gjatë intervalit kohor mars 2020 – shtator 2022.
Në dimensionin njerëzor, libri vë në pah sprovat shëndetësore personale dhe kolektive, shuarjet e personave të njohur e të dashur të autorit por edhe empatinë për secilën vdekje gjetiu, si rëndesë e germave të ditarit. Në dimensionin politik dhe shtetëror paraqiten antagonizmat politikë (shpeshherë: absurdë), betejat midis kampeve partiake mu në vlugun e infektimit të gjerë, rritja e trysnisë ndërkombëtare që rezultoi me rënien e “Qeverisë Kurti” dhe formimin e “Qeverisë Hoti”, masat qeveritare kundër pandemisë Covid-19, roli i atëkohshëm i Gjykatës Kushtetuese, aktakuzat e Gjykatës Speciale ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhja e Presidentit më 2021, zgjedhjet lokale më 2021, dhuna e demonstruesve në Kongresin amerikan, agresioni rus ndaj Ukrainës, e të tjera. Në dimensionin social, ditari përqendrohet në temat si: prodhimi i vaksinës, kapacitetet e institucioneve shëndetësore, pozita e vështirë e stafit shëndetësor, mosrespektimi i masave anti-Covid, (mos)efektiviteti i mësimit online, kremtimi i festave pa organizime dhe larg njëri-tjetrit, e të tjera.
Sikurse në dy librat e vet të mëparshëm “Proceset e kurdisura” (2023) dhe “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” (2023), edhe në ditarin e pandemisë, Musliu përshkruan dukuritë me pedanterinë e një profesionisti të gazetarisë, ndonëse për këtë libër mund të mos pritej një qasje e tillë. Por ç’e do; i ashtuquajturi “deformimi profesional” e bën të veten dhe – në rastet si ky i z. Musliut – mirë që e bën, pasi një ditar të mbajtur për qindra ditë e përplot ngjarje mund ta bëjë të lexueshëm pa bezdisje vetëm një zotërues i shkrimit.
Teksti përshkohet nga një stil i kuptueshëm gjuhësor dhe i pangarkuar me elemente letrare, gjë që përputhet me konceptin e “ditarit”. Titulli “Në mes frikës dhe shpresës” shëmbëllen gjendjen e amullt të qytetarit gjatë pandemisë, i cili bombardohej nga informatat negative nga vendi dhe bota, por duke ruajtur shpresën se do të dilet mbanë, paçka se as shtëpitë më nuk ishin të sigurta. Ndërsa nëntitulli “Ditar në kohën e P(l)andemisë Covid-19” jo vetëm se dëfton zhanrin e librit por hedh një dyshim kartezian ndaj të dhënave që i janë ofruar botës. Ky dyshim nuk konteston vërtetësinë e virusit dhe as nuk e zhyt lexuesin në konspiracion, veçse e ndërlidh me fuqizimin e interesave të subjekteve të caktuara, kur virusi nis e shpërfillet me heshtje zyrtare dhe ia lë vendin një problemi tjetër global, luftës në Ukrainë. Madje, ditari përmbyllet me shprehjen demonstrative: “Këtu po e përfundoj ditarin e nisur në muajin mars të vitit 2020, për faktin se bota, veçmas ajo perëndimore, e preokupuar me luftën në Ukrainë, gati fare nuk po merret me pandeminë Covid-19”.
Ky ditar, të cilin parapëlqej ta quaj “kronikë”, hedh dritë mbi historinë. Sigurisht, brezat e ardhshëm do të kenë mundësi të informohen për këtë periudhë nga të dhënat enciklopedike që ofrohen në internet, mirëpo burimet e llojit të këtij libri do të mundësojnë të kuptuarit e përjetimit njerëzor dhe të qëndrimit intelektual ndaj kësaj sfide të përbotshme, të emërtuar “Covid-19”.