Shtojca për Kulturë

Ohri me rrethinë në vitin 1892

ohri

Pjesa më interesante e udhëpërshkrimit “Pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit”, përkthyer nga Skënder Latifi, është ajo e përshkrimit të popullsisë së krahinës së Ohrit. Por, për fat të keq, Branisllav Nushiqi, ka rënë në grackën e autorëve nacionalistë të Serbisë së gjysmës dhe fundit të shekullit XIX, pasi shqiptarët e kësaj krahine ai i karakterizon si “element i huaj”

Kohë më parë shtëpia botuese “Logos A” në Shkup e botoi udhëpërshkrimin e Branisllav Nushiqit “Pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit” (shënime të vitit 1892). Si diplomat i principatës së Serbisë, ai shërbeu Konsull në Manastir, në Selanik, në Shkup e në Prishtinë me ç’rast i njohu shqiptarët si banorë të vilajeteve ku shërbeu, ndërsa shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore e njohën Nushiqin nga komeditë e tij, që u vënë në skenë në Prishtinë dhe në Shkup. Megjithatë, duhet potencuar se krijimtaria letrare dhe angazhimi në diplomaci i Nushiqit dallon bukur, pasi në fushën e letërsisë, sidomos të komedisë, ai mbetet njëri prej autorëve më të njohur jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Libri i ka 216 faqe

Lynchidi ishte kryeqyteti i dasaretëve

Në udhëpërshkrimin “Pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit” (shënime të vitit 1892) Branisllav Nushiq (1864-1938) ka dashur “ta forcojë” dëshminë historike se “prej qytetit të famshëm Lychnidos, i cili përmendet qysh para dy mijë e njëqind vjetëve, dhe që kishte qenë buzë liqenit, e ka origjinën qyteti i sotëm i Ohrit dhe ky i fundit ia ka huazuar emrin Lychnidos-it të lashtë”. Më pastaj, Nushiqi që në shumë vende e pranon se nuk guxon të zgjerohet në fushat që nuk i njeh shumë, megjithatë ka pohuar se “gjatë kohës së perandorëve romakë, zonat rreth Lychnidos-it (Lignidus) janë quajtur Desarithia, prandaj, sipas tij, nuk ka asnjë dyshim se Lynchidi ishte kryeqyteti i Dasaretëve. Për këtë ka shumë dëshmi dhe ato veçmas janë gjetur në Ohër”.

Por, duke e marrë parasysh kohën kur është botuar libri, pra në vitin 1894, Nushiqit nuk i ka munguar guximi intelektual kur ka shkruar se “Lychnidos-i ka qenë selia ipeshkëvnore që nga kohët më të vjetra. Peshkopi i Lychnidos-it, Dionisi, përmendet qysh në gjysmën e parë të shekullit IV, por me ardhjen e sllavëve në Gadishullin Ballkanik, emri Lychnidos zhduket. Vetë qyteti u përfshi në radhën e qyteteve që sllavët i shkatërruan, i dogjën dhe i plaçkitën dhe mbi rrënojat e dikurshme të Lychnidos-it të lashtë u ngrit qyteti i ri i Ohrit, pasi sllavët u vendosën këtu, duke mos pasur frikë prej asgjëje dhe duke u sjellë sikur ky të ishte vendi i tyre... Këtë njëherësh e ka pohuar edhe Ana Komnena, duke shtuar se sllavët ndoshta ia kanë imponuar emrin e ri Lychnidos-it të lashtë?”, ka përfunduar Nushiqi.

Mirëpo, autori nuk është mjaftuar vetëm me kaq. Duke qenë dëshmitar i gjetjes së një mbishkrimi të vjetër, ai ka shkruar se “mbishkrimi siguron se Ohri dhe krahina përreth është sunduar prej Princit Andrea Gropa” dhe siç vetë Nushiqi e ka lexuar mbishkrimin, ai “është i vitit 6886 dhe në të është shënuar edhe data e 31 korrikut. Viti 6886 korrespondon me vitin 1379, që është me të vërtetë koha kur Gropajt kanë sunduar në Ohër, ndërsa Kisha e Shën Klementit, që është ndër më të njohurat, “është ngritur një vit më parë, pra në vitin 1378”.

“Siç mund ta shihni, mbishkrimi siguron që kjo faltore është ngritur prej vetë Shën Klementit ‘mrekullibërësit dhe shenjtorit’ gjatë sundimit mbi Ohrin e Princit Andrea Gropa. Princi Gropa, ky është pra Gropa, sunduesi i Ohrit (në monedha Гропа ги ох.). Gropa, zotërues i Ohrit, dhëndri i Andria Muzakës dhe Balshës II. Por në këtë mbishkrim për mua risi është fakti i panjohur, fakti se Gropa është quajtur Andrea. Prandaj, pas gjetjes së këtij mbishkrimi qartësohet gjithçka”. (Nushiq)

Duke e paraqitur Ohrin e kohërave të mëvonshme si qendër ku ndesheshin interesat e ndryshme, ai ka shkruar se “në jetën e Ohrit të ri janë krijuar rrethana të tilla, sa që qyteti e ka humbur tipin e qytetit të vjetër dhe tani këtu janë tubuar të gjithë të rinjtë nga Maqedonia, që dëshironin të shkolloheshin, prandaj në Ohër kishin arritur të rinj prej Manastiri, Velesi, Korçe, Prilepi, Resnje, Kërçove, Elbasani, Durrësi e Tirane”. Por, sipas Nushiqit në Ohrin që ai e ka hasur në vitin 1892 “ishin vetëm dy-tre individë që dinin të lexonin sllavisht, dhe ky fenomen ishte aq i rrallë, saqë edhe emrat e këtyre personave janë të regjistruar, sepse me njohjen e kësaj gjuhe ata në fakt këtu e paraqisnin zanafillën e sllavizmit!”

Megjithatë, autori nuk e ka lënë anash që të ofrojë argumente se “këtij sllavizmi në Maqedoni ndihmë i ofruan fëmijët që konsujt rusë i kishin dërguar nga vende të caktuara të Maqedonisë në shkollat fetare ruse për t’i edukuar dhe të cilët, menjëherë pas kthimit, e nisën predikimin e njohurive të arritura në gjuhën e tyre amtare!” 

Më pastaj, Ohrin që Nushiqi e gjeti ndahej “në gjashtë mëhallë, duke i përfshirë këtu edhe dy fshatra turke dhe dy vllahe, dhe përveç emrave të mëhallëve edhe rrugët e Ohrit atëbotë i kishin emrat e tyre. Kështu në “Mëhallën e Varoshit” kishte emra, si: Spitali, Gjarakomi, Fardaqi, Shën Vraçi, Panadanosi, Dhimitri, Haxhi Kasami, Çelnica etj. Në mëhallët turke, rrugët quheshin me emra të bejlerëve që dikur kishin jetuar në to, si për shembull mëhallët e Mehmed Beut, Raqi Beut, Haxhi – Hamzait” etj.

Megjithatë, autori kur ka folur për fenomenin e shpërnguljes në vitet e gjashtëdhjetë të shekullit XIX, sikur “me pahir” ka harruar të sqarojë se a ishin ata që e braktisnin Ohrin, shqiptarë të besimit ortodoks apo “grekë”. 

“Dihet se para 30 vjetëve në Ohër kishte 200 ose edhe 300 shtëpi ‘greke’ që në duart e tyre e mbanin të gjithë tregtinë dhe përfitimet. Ndërsa sot në Ohër janë vetëm 15 shtëpi greke, pjesa tjetër janë shpërngulur në Trieste, Odesë, Bukuresht etj.” – pra, për njohësit e migrimeve shqiptare, zënia në gojë e emrave të qyteteve të lartpërmendura, ku atëbotë u vendosën ohrasit e shpërngulur, janë argumente të mjaftueshme se kush në fakt ishin të shpërngulurit!

Duke qenë dëshmitar i gjetjes së një mbishkrimi të vjetër, Branisllav Nushiqi ka shkruar se “mbishkrimi siguron se Ohri dhe krahina përreth është sunduar prej Princit Andrea Gropa” dhe siç vetë Nushiqi e ka lexuar mbishkrimin, ai “është i vitit 6886 dhe në të është shënuar edhe data e 31 korrikut. Viti 6886 korrespondon me vitin 1379, që është me të vërtetë koha kur Gropajt kanë sunduar në Ohër, ndërsa Kisha e Shën Klementit, që është ndër më të njohurat, “është ngritur një vit më parë, pra në vitin 1378”. Në foto: mbishkrimi i filmuar

Janë “harruar” legjendat për Skënderbeun dhe Kisha e Shën Nikollë Arbanasit 

Edhe pse udhëpërshkrimi “Pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit” është i pasur me përshkrime që në këtë mënyrë mund t’i paraqesë vetëm një autor brilant siç ka qenë Branisllav Nushiqi, megjithatë ka disa “detaje” që autori i ka “harruar”, si për shembull përshkrimi i Kishës së Shën Nikollë – Arbanasit, e cila për nga forma dhe stili i ndërtimit është ngritur në kohën e Samuilit, më pastaj autori pohon se në krahinën e Ohrit dhe në rrethinë legjendat më të vjetra janë ato për Skënderbeun, “pasi kanë mbijetuar edhe në ditët tona”, ndërsa ai i ka ofruar edhe disa detaje interesante: “Poshtë Ormanit, më në jug të kësaj kurore, që e ndan fushën e Ohrit dhe të Strugës, shtrihet fshati Gëbevc. Nën Gëbevc, nga ana e Ohrit në zonën ngjitur me liqenin, gjenden të shpërndara disa varre dhe aty ndodhet edhe një tyrbe. Banorët më thanë se Skënderbeu e kishte pritur për herë të parë ushtrinë perandorake në këtë vend dhe më pastaj ishte tërhequr në male drejt Elbasanit dhe këto ishin varret e ushtarëve të vrarë. E gjithë e vërteta është se varret duhet të jenë njëfarë vendbeteje e veçuar. Këto varre u shkatërruan atëherë kur u desh që të pritej rruga, pasi ajo duhej të kalonte përmes tyre me qëllim të ndërtimit të pjesës që sot çon prej Ohri në Strugë. Më thanë se më këtë rast aty janë gjetur edhe shumë gjëra, përveç të tjerash edhe disa hanxharë. E gjithë e vërteta është se, me atë rast aty është gjetur edhe një pjesë e përkrenares dhe ja tani ajo ndodhet te Rifat Beu në Ohër, dhe ai është njeri i virtytshëm, prandaj do t’ia paraqesë këtë pjesë të përkrenares çdo miku të tij”.

Por, në vend të përfshirjes së ndonjërës prej legjendave ose këngëve që i kushtoheshin figurës së Skënderbeut në librin e tij, Nushiqi vetëm sa nuk e ka thënë se shqiptarët nuk e meritojnë një hero të tillë kombëtar, pasi, siç ka shkruar ai, “në Drimkoll, përveç në fshatrat ku jetojnë vetëm shqiptarët, në njëqind shqiptarë vetëm pesë prej tyre mezi që dinë të flasin shqip....Gratë nuk e dinë fare gjuhën. Shqiptarët e fshatit Labunishtë janë të ardhur nga rrethi i Dibrës, më saktësisht nga Gollobërda, dhe theksi i tyre është i ndryshëm nga ai që flitet në Labunishtë. Kështu që unë prej tyre i kam të regjistruara këto fjalë: sonce, sorce, sori, tori, torlo, gorlo, korv, cori, corven, orgja, orgjan, orgjosan etj.” Megjithatë, autori nuk ka mundur ta shmangë organizmin kishtar të asaj kohës që ishte si në vijim: Pogradeci dhe disa fshatra ishin të përfshira në Dioqezën e Korçës, Struga dhe rrethina në atë të Prespës dhe Ohrit, ndërsa disa fshatra rrëzë Udunishtës, që shtriheshin midis Strugës dhe Pogradecit, i përkisnin Dioqezës së Durrësit”. 

Popullsia e krahinës së Ohrit

Kuptohet se pjesa më interesante e udhëpërshkrimit “Pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit” është ajo e përshkrimit të popullsisë së krahinës së Ohrit. Por, për fat të keq, Branisllav Nushiqi, ka rënë në grackën e autorëve nacionalistë të Serbisë së gjysmës dhe fundit të shekullit XIX, pasi shqiptarët e kësaj krahine ai i karakterizon si “element i huaj”. Pra, ai ishte “porositur” që “traditën dhe mënyrën e jetesës”, që do ta gjente në krahinën e Ohrit, ta “unifikojë me kërkesat e Serbisë së shekullit XIX, duke i pasuruar ato me mite e legjenda të “Serbisë mesjetare”, me të vetmin qëllim të justifikimit të zgjerimit serb drejt viseve jugore.

“Për ne prej elementeve të huaja në fushën e Starovës dhe përgjatë gjithë bregut perëndimor deri në Strugë, mund të thuhet se shqiptarët e përbëjnë masën kryesore. Rreth lumit të Drinit, fusha e Strugës dhe e Ohrit, vendbanimet e shqiptarëve janë të përziera, ndërsa në bregun lindor pothuajse nuk ka asnjë vendbanim shqiptar. Përveç shqiptarëve, si banorë të brigjeve të liqenit duhet të numërohen edhe vllehtë, prej të cilëve në Ohër janë mbi 200 shtëpi, më pastaj në Drimkoll dhe në zonat prapa Pogradecit. Bile në Drimkoll edhe emrat e fshatrave i dëshmojnë vendbanimet vllahe, si p.sh. Vllai, Kyçyk Vllai, më pastaj në gjuhën vllahe flasin të dyja Belicat, e Epërmja dhe e Poshtmja, por edhe banorët shqiptarë të këtyre fshatrave shërbehen ekskluzivisht me gjuhën vllahe... Në përgjithësi, ndihet njëfarë dallimi midis popullsisë sonë që jeton e përzier me shqiptarët, dhe të pjesës tjetër që jeton në anën lindore të liqenit, në fushën e Ohrit dhe rrëzë Galiçicës. Ky ndryshim ndihet në mënyrën e jetesës, në karakter, në gjuhë, por edhe në mënyrën e të veshurit....Në pikëpamje të karakterit, bregu perëndimor ndryshon prej atij lindor si në aspektin shpirtëror, e po ashtu edhe në karakter. Popullata në bregun perëndimor është më heroike, më e ndritur, më e hapur dhe në njëfarë mënyre kjo popullatë më mirë do të pranonte të merrte në duar armët se sa parmendën, ndërsa popullata e bregut lindor dhe në fushë të Ohrit është më indiferente, më punëtore, por më konservatore”, ka përfunduar Nushiqi.

Jemi të mendimit se udhëpërshkrimi i këtij autori, sidomos pjesa ku ai i ka numëruar llojet e peshqve dhe shpendëve në Liqenin e Ohrit, mund të jenë ndihmesë për studiuesit e rinj, që ata ta verifikojnë varfërimin ose pasurimin e fondit të peshqve ose të shpendëve pas 133 vjetëve, pra në kohën kur është përkthyer libri.

Por, pjesa më “enigmatike” e udhëpërshkrimit “Pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit” mbeten rreshtat e mëposhtëm ku Nushiqi ka shkruar:

“Jam zvarritur nëpër rrëzë të një mali të madh, kam nxituar në rrjedhën dredhake të Drinit, e kam pritur ujin prej Prizreni, nga malet e Kosovës dhe kam shpejtuar për në detin e kaltër. Ndjeva se e kam gjetur rrugën e fshehtë përmes së cilës rrjedh njëfarë mendimi jetëdhënës! M’u duk se unë i kam gjetur lidhjet, lidhjet e Zotit, që kurrfarë gërshërë njerëzish nuk janë të afta për t’i prerë, i kam hallkat që i lidhin njerëzit dhe vendet që nga Pindi, prej nga buron Devolli, dhe ato nga Kosova e Dukagjini, prej nga zbret Drini i Bardhë dhe lëshohet buzë detit blu, buzë Adriatikut... Sikur këto shënime do t’ua kushtoja ndjenjave të mia, atëherë unë do të ndalesha këtu më së gjati”.

Pra, anekënd brigjeve të Liqenit të Ohrit, Nushiqin e pritën vetëm banorë shqiptarë e vllahë dhe askush tjetër! Këta njëherësh ishin banorët e vetëm të këtyre zonave në fundin e shekullit XIX!