Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Nyja e Gidionit” i bie ziles së ngufatjes së shoqërisë

“Nyja e Gidionit”

“Nyja e Gidionit” nxjerr në pah problemet globale me të cilat përballet sistemi arsimor tash. Shpesh duket sikurse të jetë shkruar edhe për realitetin në Kosovë. Mësimdhënësja Heather (Maylinda Kosumoviq) dhe nëna e Gidionit, Corryn (Irena Aliu) përballen pas një tragjedie që nëse të dyja do të ishin më të kujdesshme paraprakisht, nuk do të ndodhte (Foto: TKK)

Drama psikologjike e amerikanes Johnna Adams nën regji të Hana Qenës, përball dy botë, dy botëkuptime për edukimin e përgjegjësinë dhe ka një emërues të përbashkët: dështimin e shkollës, prindërve, sistemit e shoqërisë. Zilja e përfundimit të orës mësimore e mbyll shfaqjen. Është një zile që bie për ta kërkuar ngritjen e vetëdijes së krejt akterëve të përfshirë në sistemin arsimor

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një vendbanim relativisht të vogël të Kosovës, një prej nxënësve me shumë telashe në sjellje, një ditë shkoi në shkollë me revole. E reklamoi atë për të treguar “status”. Dhe, nxënësit e tjerë informuan menaxhmentin e shkollës. Me arsyetimin që “të mos bëhet e madhe”, menaxhmenti i kësaj shkolle fillore thjesht i thotë nxënësit: “Shko në shtëpi!”

Me kaq merr fund kjo situatë pasi, udhëheqësi i shkollës i ka fqinjë prindërit e nxënësit dhe i erdhi keq ta thërrasë policinë dhe që rasti të marrë kahen e duhur: atë ligjore. E, ditëve në vazhdim, nxënësi sa herë i teket kërcënon bashkëmoshatarët: “Ju e dini... Unë kam revole”. Përderisa ky rast është realitet, në skenë teatri, rasti i Gidionit shkon më tej.

Mësuesja ka studiuar për marketing dhe me gjasë s’i ka shkuar puna mirë. Më pas ka bërë një master për edukim. Tash jep mësim në një shkollë fillore. Kujdestaron klasën e gjashtë. Skena në shfaqjen “Nyja e Gidionit” hapet me mësuesen që mbledh disa punime në nxënësve që ishin të varura në mur. Shpejt në klasë hyn një grua. Fillimi duket sikurse një rutinë administrative, kur dikush nuk e di nëse ka takim në atë hapësirë apo jo. Por menjëherë merret vesh se bëhet fjalë për një nënë e cila nuk e di se as ku është klasa e të birit. Dhe lexohet se bëhet fjalë për një ngjarje që ka përfunduar me tragjedi. Nëna thotë se ka takim më mësuesen e të birit, përderisa mësuesja habitet se si ajo është aty pasi vetëm pak ditë përpara i biri i saj vdiq. Takimi ishte caktuar më herët derisa i biri u suspendua nga shkolla. Por nëna që s’ka vajtur kurrë në mbledhje prindërish, tash edhe pse është në zi, ka shkuar në takim. Kërkon përgjegjësi. Në shfaqjen që këto ditë është dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, mësimdhënësja Heather (Maylinda Kosumoviq) dhe nëna e Gidionit, Corryn (Irena Aliu) përballen pas një tragjedie që nëse të dyja do të ishin më të kujdesshme paraprakisht, nuk do të ndodhte. Drama psikologjike e amerikanes Johnna Adams nën regji të Hana Qenës, përball dy botë, dy botëkuptime për edukimin e përgjegjësinë dhe ka një emërues të përbashkët: dështimin e shkollës, prindërve, sistemit e shoqërisë.

Dialogu midis dy personazheve shpërfaq së pari një empati fort të cekët humane. Nyja e diskutimit s’është parimore e as s’ka të bëjë me kurrfarë botëkuptimi të shëndoshë. Shpesh duket sikur nëna – një profesoreshë universitare e letërsisë dhe prindi i vetëm i Gidionit – ka pasur një marrëdhënie të distancuar me të birin. S’di se kë ka pasur shok a shoqe të mirë, s’di se për kë ka pasur simpati, në cilat lëndë ka qenë më i mirë e shumë gjëra të tjera. Del se ndokush mund të dijë më shumë për kafshën shtëpiake sesa ajo për të birin. E fotografinë e kafshës së saj shtëpiake mësuesja e mban në tavolinën e punës. Është realitet që vret. Të dy aktoret me role mjaft komplekse, personazhet i sjellin të punuara me finesë. Qena si regjisore duket se leximin e saj për shfaqjen e ka shtrirë krejt natyrshëm, pa sforcime me qëllimin që të provokojë audiencën me teatër të stilit me këmbë në tokë.

E ëma e Gidionit dyshon se mësuesja s’e ka duruar fare të birin e saj. E ka suspenduar atë dhe i ka kërkuar asaj takim. E, ajo si asnjëherë më parë tash është aty për të kërkuar përgjegjësi. Në takim do të duhej të ishte edhe drejtoresha, por s’vjen gjatë gjithë asaj kohe sa zgjat një orë mësimore pasi shfaqja nis kur bie zilja për të nisur mësimi dhe përfundon kur bie prapë për t’i dhënë fund orës mësimore. Drejtoresha s’do të përballet me përgjegjësinë.

Midis dhimbjes, me gjasë që vjen nga papërgjegjësia që ka pasur e nga përgjegjësia që i takon, mësuesja mundohet t’ia sqarojë përse Gidioni është suspenduar. Madje i lexon një lloj eseje a tregimi që ai kishte shkruar dhe shkaku i saj qe suspenduar. Nxënësi i klasës së gjashtë kishte shkruar një ese ku imagjinohet se si nxënësit me forcë marrin kontrollin në shkollë dhe i masakrojnë me armë të ftohta mësimdhënësit. Madje, përshkruhen skena se si ua nxjerrin sytë e pastaj zorrët. Dhe, me zorrët e tyre krijojnë pelerina. Në këtë rast, nëna mllefoset edhe më. Thotë se i biri paska qenë një alamet artisti, një mendje gjeniale letrare, por kujdestarja s’e ka pasur kapacitetin ta kuptojë. Në asnjë moment nuk e shqetëson fakti për mendësinë kriminale të një adoleshenti. Është rast njëmend i lidhur nyje. Drama e botuar në vitin 2013, nxjerr të palarat e ndërgjegjes shoqërore. Tash mësuesja dhe e ëma vajtojnë, por pas një tragjedie që vjen si derivat i papërgjegjësisë së tyre. Diku janë distancuar nga problemet e diku kanë mbyllur sytë për të mos i bërë disa gjëra të mëdha dhe tash përballen me tragjedi.

Sytë mbyllen shpesh në shkolla. Sidomos në këtë kohë kur fëmijët janë të lidhur fort me teknologjinë dhe bullizimi e shantazhet janë në kulm. Një gjyshi në një qytet jo të vogël në Kosovë para një kohe i kanë humbur 200 euro. Pasi familja është marrë me këtë çështje, sepse ishte hera e parë që u kishte humbur një shumë e tillë, është marrë vesh se ato ia vodhi mbesa adoleshente. Kur ishte kulluar situata qe marrë vesh se pas një komunikimi online prej adoleshentësh, një nxënës e kishte shantazhuar se do t’i publikonte muhabetet me të. Vajza u kushtëzua që t’ia japë atij 200 euro në mënyrë që të blihet paqja. Familja e vajzës, pas rastit zbuloi se bëhet fjalë për një rrejt që përdorte shantazhe të tilla. Por menaxhmenti i shkollës u kërkoi që të mos e bënin të madhe, pasi “shkolla gëzon reputacion të mirë”. Kjo situatë është realitet. Por rasti i Gidionit në skenë shkon përtej.

E ëma e Gidionit derisa lexon letrat që i biri kishte shkëmbyer me nxënësit e klasës ajo merr vesh për zënkat e simpatitë. Gidioni pas pezullimit, do të vriste veten në garazhin e shtëpisë. Tash nëna dhe mësuesja post-festum, diskutojnë, zihen, kërcënohen... Duket sikur fajësimi për njëra-tjetrën është më primar sesa zgjidhja e nyjës që ka sjellë në një situatë të tillë. Një nxënës tjetër aty paska dhunuar një të klasës së parë. Duket sikur ai e ka fajësuar Gidionin dhe kanë pasur telashe. Ndoshta edhe simpati. Por mësuesja asokohe i kishte vënë kapakun asaj çështjeje. Tash vetëvrasja e Gidionit nxjerr të palarat. Dyshja e aktorëve pa fije patetizmi portretizojnë dy persona që si personazhe synojnë të prekin ndërgjegjen shoqërore. Mozaiku i papërgjegjësisë është shumë i gjerë. Kosumoviq dhe Aliu – midis aktorëve më të zonjat në vend – në një skenë të thjeshtë që ngjan me një klasë të vogël, prej fillimi në fund e bartin me zotërim barrën që kanë. Situatat që nxisin të qeshura, si rasti kur mësuesja shkrehet në vaj pasi e ka macen me diabet, janë tragjikomike. Gërryejnë edhe më ndërgjegjen shoqërore e sistemin e dështuar pedagogjik. Drama nxjerr në pah problemet globale me të cilat përballet sistemi arsimor tash. Shpesh duket sikurse të jetë shkruar edhe për realitetin në Kosovë. Atë realitet që kohëve të fundit është publikuar me video ku menaxherë shkollash, mësues e nxënës grushtohen mes vete. Atë ku post-festum kërkohet përgjegjësia. Ku prindi s’di gjë për fëmijën derisa atij i përplaset fytyrës realiteti tragjik. Zilja e përfundimit të orës mësimore e mbyll shfaqjen. Është një zile që bie për ta kërkuar ngritjen e vetëdijes së krejt akterëve të përfshirë në sistemin arsimor. Aso për ta zgjidhur nyjën që e ngufati Gidionin. Atë nyjë që po ngufat edhe shoqërinë.