“Pak udhëheqës në shekullin e 20-të, në të vërtetë në cilindo shekull, kanë pasur ndikim aq të madh në kohën e tyre. Brenda pak më shumë se gjashtë vjetësh të trazuara, zoti Gorbaçov hoqi Perden e Hekurt, duke ndryshuar në mënyrë vendimtare klimën politike të botës”, vlerëson në një shkrim të gjatë prej rreth 7800 fjalësh në “New York Times” autorja Marilyn Berger, pas njoftimit të së martës për vdekjen e liderit të fundit sovjetik në moshën 91-vjeçare, Mihail Gorbaçov
Mihail S. Gorbaçov, ardhja e të cilit në krye të Bashkimit Sovjetik nxiti një mal ndryshimesh revolucionare që ndryshuan hartën e Evropës dhe i dhanë fund Luftës së Ftohtë, e kishte kërcënuar botën me asgjësim bërthamor, shkruan në hyrje të shkrimit të gjatë prej rreth 7800 fjalësh të autores Marilyn Berger në gazetën “New York Times”, pas njoftimit të së martës për vdekjen e liderit të fundit sovjetik në moshën 91-vjeçare pas një “sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë”.
“Pak udhëheqës në shekullin e 20-të, në të vërtetë në cilindo shekull, kanë pasur ndikim kaq të madh në kohën e tyre. Brenda pak më shumë se gjashtë vjetësh të trazuara, zoti Gorbaçov hoqi Perden e Hekurt, duke ndryshuar në mënyrë vendimtare klimën politike të botës”, shkruan Berger.
Hero për Perëndimin, turp për Rusinë
Mihail S. Gorbaçovi do të premtonte dhe ofronte hapje më të madhe ndërsa nisi të ristrukturonte shoqërinë e vendit dhe ekonominë e lëkundur sovjetike. Nuk ishte qëllimi i tij për të shuar Perandorinë Sovjetike, por brenda pesë vjetësh pas ardhjes në pushtet do të mbikëqyrte shpërbërjen e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.
“Ai i dha fund debaklit sovjetik në Afganistan, dhe për pesë muaj të jashtëzakonshëm në vitin 1989 ruajti pushtetin ndërsa sistemi komunist po shkërmoqej nga Baltiku deri në Ballkan e në vende tashmë të dobësuara nga korrupsioni i përhapur dhe ekonomitë në zhdukje”, shkruan Berger.
Për këtë ai u përzu nga pushteti nga komplotistët komunistë të linjës së ashpër dhe liberalët e zhgënjyer njësoj. Grupi i parë kishte frikë se ai do ta shkatërronte sistemin e vjetër, derisa të tjerët shqetësoheshin se ai do ta mbante në këmbë të veta.
Jashtë vendit ai u përshëndet si hero. Për George F. Kennanin, diplomatin dhe sovjetologun e shquar amerikan, Gorbaçov ishte “një mrekulli”, një njeri që e shihte botën ashtu siç ishte, i pandikuar nga ideologjia sovjetike.
Por për shumë njerëz brenda Rusisë, trazirat që kishte shkaktuar, Gorbaçovi ishte një katastrofë. Presidenti Vladimir V. Putin e quajti rënien e Bashkimit Sovjetik “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”. Për Putinin – dhe kolegët e tij në KGB, veteranët që tani formojnë rrethin e brendshëm të pushtetit në Rusi – fundi i BRSS-së ishte moment turpi dhe disfate që pushtimi i Ukrainës këtë vit kishte për qëllim ta zhbënte.
“Paraliza e pushtetit dhe e vullnetit është hapi i parë drejt degradimit dhe harresës së plotë”, tha Putini më 24 shkurt, kur shpalli fillimin e pushtimit, duke iu referuar rënies së Bashkimit Sovjetik.
Gorbaçovi nuk dha asnjë deklaratë publike për luftën në Ukrainë, megjithëse fondacioni i tij më 26 shkurt bëri thirrje për “ndalje të shpejtë të armiqësive”. Një mik i tij, gazetari i radios, Aleksei A. Venediktov, tha në korrik se Gorbaçovi ishte “i mërzitur” për luftën, duke e vlerësuar se po minonte “veprën e tij jetësore”.

Besnik i Partisë Komuniste
Kur erdhi në pushtet, Gorbaçovi ishte një bir besnik i Partisë Komuniste, por që i shihte gjërat me sy ndryshe. “Ne nuk mund të jetojmë më në këtë mënyrë”, do t’i thoshte Eduard A. Shevardnadzes, i cili do të bëhej ministri i tij i besuar i Jashtëm më 1984. Brenda pesë vjetësh do të përmbyste shumë gjëra që partia i konsideronte të paprekshme.
“Njeri me çiltërsi, vizion dhe vitalitet të madh, ai shikoi trashëgiminë e shtatë dekadave të sundimit komunist dhe pa korrupsionin zyrtar, një fuqi punëtore pa motivim dhe disiplinë, fabrika që prodhonin mallra të cilësisë së dobët dhe një sistem shpërndarjeje që nuk u garantonte konsumatorëve pothuajse asgjë në rafte – të zbrazëta nga pothuajse gjithçka, përveç vodkës”, shkruan Berger.
Ajo shton se Gorbaçovi jashtë vendit çmohej se kishte ndihmuar ndryshimin e botës – atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1990 – ama shahej në vend pse nuk i kishte përmbushur premtimin e ndryshimit të madh ekonomik. U fol gjerësisht se në një votim të lirë, Gorbaçov mund të zgjidhej president kudo, por kurrë në Bashkimin Sovjetik, shkruan ajo.
Shevardnadze, i cili ishte dora e tij e djathtë për t’i dhënë fund paqësor kontrollit sovjetik në Evropën Lindore, dha dorëheqjen në fund të vitit 1990, duke paralajmëruar se diktatura po vinte dhe se reaksionarët në Partinë Komuniste ishin gati të sakatonin reformën.
Peter Reddaway, autor dhe studiues i historisë ruse, i ka thënë Bergerit: “Ne shohim anën më të mirë të Gorbaçovit. Sovjetikët shohin anën tjetër dhe e fajësojnë”.

Bir fshatarësh
Pak gjëra në jetën e tij rinore do t’ia mbushnin dikujt mendjen se Mihail Gorbaçovi mund të bëhej një udhëheqës kaq dinamik. Biografia e tij zyrtare, e publikuar pasi do të merrte kreun e partisë, shpalosi rrugën e përshkuar të një komunisti të mirë e besnik.
Mihail Sergejeviq Gorbaçov lindi më 2 mars 1931, në Privolnoye, fshat fermerësh në rajonin Stavropol në Kaukaz. Prindërit i kishte fshatarë, që e fitonin bukën me djersën e ballit. Gjatë foshnjërisë së tij, kolektivizimi i detyruar i tokës e ktheu një rajon dikur pjellor në “një zonë fatkeqësie urie”, shkruante shkrimtari dhe biologu i mërguar Zhores A. Medvedev në biografinë e Gorbaçovit.
“Vdekja nga uria ishte shumë e madhe”, shtoi ai. “Në disa fshatra, të gjithë fëmijët e moshës 1 dhe 2 vjeç vdiqën”.
Misha, siç njihej Mihaili, ishte një i ri me sytë plot dritë, fotografitë e hershme të të cilit e shfaqin me kapelë kozake. Ai u rrit në një shtëpi me kashtë, ku kishte baltë dhe pleh organik, si dhe pa ujë brenda shtëpie. Por familja e tij ishte shumë e respektuar në mesin e besimtarëve komunistë, shkruan Berger. Gorbaçov shkroi në librin e kujtimeve se të dy gjyshërit i ishin arrestuar për krime kundër shtetit carist.
Megjithatë, përqafimi familjarisht i ideologjisë sovjetike nuk ishte gjithëpërfshirës. Nëna dhe gjyshja e pagëzuan atë.
Leximi i librave të ndaluar
Pas mbarimit të shkollës fillore të fshatit, ndoqi shkollën e mesme në Krasnogvardeisk dhe u bë pjesë e Komsomolit, organizatë rinore e Partisë Komuniste. Ndërsa babai i tij ishte në front gjatë Luftës së Dytë Botërore, rioshi Gorbaçov punoi si asistent i një operatori kombinati. Pas luftës u dekorua me Urdhrin e Flamurit të Kuq të Punës.
Në vitin 1950, në moshën 19-vjeçare, u largua nga shtëpia për të vazhduar shkollimin në Universitetin Shtetëror të Moskës, një udhëtim prej më shumë se 1500 kilometrash që e çoi në një fshat të varfër, të shkatërruar fillimisht nga kolektivizimi dhe më pas nga pushtimi gjerman në Luftën e Dytë Botërore. Në fund të udhëtimit ishte Stromynka, një konvikt i madh, i ashpër dhe i mbushur me njerëz – tetë deri në 15 studentë në një dhomë – që kishte qenë kazermë ushtarake në kohën e Pjetrit të Madh.
Pasi u bë student i drejtësisë, Gorbaçovit iu lejua të lexonte libra, të ndaluar për studentët e tjerë, mbi historinë e ideve politike. Ai u njoh me Makiavelin, Hobsin, Hegelin dhe Rusonë.
Gorbaçovi ishte lideri i parë sovjetik që nga Lenini që ka studiuar drejtësi dhe si student i retorikës në sallën e gjyqit u dëshmua si orator i madh publik. Kolegët e studimeve e kujtuan si të sigurt në vetvete, të çiltër dhe mendjehapur, por edhe mjaft të aftë për mashtrime të paskrupullta. Në një rast, sipas revistës “Time”, ai e quajti veten organizator Komsomoli për klasën e tij duke e dehur paraardhësin dhe më pas duke e denoncuar në mbledhjen e ditës tjetër.
Shumica e rrëfimeve thonë se pas anëtarësimit në Partinë Komuniste, Gorbaçovi ishte një funksionar besnik, megjithëse shkroi se kishte pasur rezerva për Stalinin, të cilat i shprehte vetëm privatisht.
Në një mbrëmje miqtë e larguan me zor prej librave që ta çonin në një sallë vallëzimi, ku do të vallëzonte vals me një studente të gjallë dhe tërheqëse filozofie, me emrin Raisa Maximovna Titarenko. Ata filluan të takoheshin. Më e rafinuar se ai, Raisa e çoi Mihailin e zellshëm dhe ende provincial në koncerte dhe muze, duke plotësuar boshllëqet në edukimin e tij kulturor. Ata u martuan në vitin 1953.
Por jeta në shoqërinë më të kultivuar të Moskës kishte edhe sprovat e veta. Gorbaçovi u kthye në provincë në vitin 1955, duke marrë me vete gruan e re. Vitin tjetër u emërua sekretar i parë i Komsomolit për rajonin e Stavropolit.
Ishte fillimi i karrierës së tij politike sovjetike – nisi të ngjitej shkallëve në postet komunale – por do të ngelej në Stavropol për 22 vjetët e ardhshëm. Deri në vitin 1970, profili iu rrit mjaftueshëm, saqë u emërua shef partie për të gjithë rajonin e Stavropolit, një post ekuivalent në disa aspekte me guvernatorin e një shteti amerikan, shkruan Berger në “New York Times”.
Ai gjithashtu diplomoi në agronomi dhe u bë një reformator, i gatshëm të sfidonte disa parime të një ekonomie të centralizuar. Nëpërmjet një sistemi të ofrimit të parcelave private të tokës dhe shpërblimeve, prodhimi bujqësor u rrit deri në 50 për qind në disa vende. Por moti i keq dhe prishjet në koordinimin e makinerive bujqësore sollën më shumë dështim të të korrave.
Hrushovi e linte gojëhapur
Ndikim formues në Gorbaçovin e ri pati lideri sovjetik Nikita S. Hrushov. “Fjalimi sekret” i Hrushovit në Kongresin e 20-të të Partisë në vitin 1956 kishte ekspozuar mbretërimin e terrorit të epokës së Stalinit – spastrimet, arrestimet masive dhe kampet e punës – dhe ndryshoi spektrin e politikës sovjetike, duke i lënë përshtypje të madhe Gorbaçovit.
Kështu ishte edhe fushata e Hrushovit kundër korrupsionit, privilegjeve partiake dhe joefikasitetit burokratik. Gorbaçovi dhe të tjerë të brezit të tij e quajtën veten “fëmijët e Kongresit të 20-të”.
“Ndryshe nga shumica e funksionarëve të partisë, Gorbaçovi e bëri praktikë kalimin e kohës me punëtorët. Por edhe më e rëndësishme për të ardhmen e tij, pozicioni i tij si shef i partisë së Stavropolit ia mundësoi të takohej me elitën e partisë, e cila erdhi në rajon për banjat e tij, disa prej tyre të rezervuara pothuajse ekskluzivisht për anëtarët e Byrosë Politike, organ qeverisës i partisë”, shkruan Berger.
Ishte detyra e Gorbaçovit si lider lokal i partisë që të përshëndeste personalitetet në tren, t’i argëtonte dhe t’i shoqëronte përsëri në stacionin hekurudhor për kthimin e tyre në Moskë. Një lider i sëmurë ndoqi tjetrin: Kryeministri Alexei N. Kosygin, me sëmundje të zemrës; Yuri V. Andropov, kreu i KGB-së, dhe shkurtimisht kryeministër, me një problem kronik të veshkave; Mihail A. Suslov, ideologu i partisë, i cili iu afrua Gorbaçovit si kundërpeshë e re ndaj klikës së plakur që rrethonte liderin suprem, Leonid I. Brezhnev.
Suslov dhe Andropov u bënë mbrojtës të fuqishëm të Gorbaçovit, ashtu si Fjodor D. Kulakov, i cili u vendos në Byronë Politike në 1971 dhe u vu në krye të bujqësisë. Kur Kulakovi, i cili shihej si pasardhës i mundshëm i Brezhnevit, vdiq më 1978, Gorbaçovi u zgjodh për të mbajtur fjalimin në ceremoninë mortore. Ishte fjalimi i tij i parë në Sheshin e Kuq dhe hera e parë që shikuesit e televizionit panë njeriun me shenjën dalluese në ballë.
Pas kthimit në Stavropol, Gorbaçovi ishte gati për të pritur Brezhnevin dhe Konstantin U. Chernenkon, anëtar i lartë i Byrosë Politike. Andropovi, i cili po pushonte në një banjë aty pranë, erdhi për t’i përshëndetur. Ishte një moment i jashtëzakonshëm në historinë sovjetike. Siç vuri në dukje një biografi e revistës “Time”, “atje në platformën e ngushtë qëndronin katër burra që do të sundonin Bashkimin Sovjetik me radhë: Brezhnjevi, Andropovi, Çernenko dhe Gorbaçovi”.
Sekretar i ideologjisë komuniste
Brezhnjevi vdiq më 10 nëntor 1982 dhe pasardhësi i tij, Andropovi, vazhdoi të zhvillonte një fushatë njëvjeçare kundër korrupsionit – duke i detyruar punëtorët që mungonin pa leje të ktheheshin në punë, duke spastruar burokracinë dhe duke emëruar burra të rinj në postet kryesore. Ai i dha Gorbaçovit përgjegjësi më të madhe për ekonominë dhe e emëroi anëtar të Byrosë Politike dhe sekretar komiteti përgjegjës për ideologjinë, i konsideruar si posti nr. 2 në parti dhe për rrjedhojë në vend.
Por kur Andropovi vdiq më 9 shkurt 1984, në moshën 69-vjeçare, pas një viti me sëmundje të rëndë, Byroja Politike nuk e emëroi Gorbaçovin, por Çernenkon, 72 vjeç, si sekretar të përgjithshëm. Gorbaçovi u caktua të mbante fjalimin e emërimit përpara Sovjetit Suprem, organit më të lartë legjislativ të vendit, rol që e bëri të barabartë me princin e kurorës. Brezi i vjetër do të lejohej të përkulej hijshëm.
Dhe u përkul shpejt, siç u dëshmua. Çernenko ishte aq i dobët nga emfizema sa nuk mundi të ngrinte krahët për të ndihmuar në mbajtjen e arkivolit që mbante paraardhësin e tij në Sheshin e Kuq. Pak më shumë se një vit më vonë, eshtrat e tij u transportuan në të njëjtin destinacion përfundimtar.
Gorbaçovi përjetoi stagnimin ekonomik të vendit dhe korrupsionit gjatë viteve të Brezhnevit, por vetëm kur u zhvendos në poste të fuqishme nën Andropovin dhe Çermenkon, pa se sa të thella ishin problemet. Si sekretar i Komitetit Qendror, organizoi një kurs për krizën ekonomike dhe organizoi seminare të veçanta për shpëtimin e sektorit bujqësor.
Tashmë ai po demonstronte fleksibilitet të rrallë për udhëheqësit sovjetikë. Duke cituar Leninin në një fjalim, tha se detyra kryesore e vendit ishte “të mobilizonte një iniciativë maksimale dhe të shfaqte pavarësi maksimale”. Fjala Perestrojkë (ristrukturim) po merrte formë në mendjen e tij.
Megjithatë, ai i goditi vizitorët perëndimorë si një marksist i përkushtuar që pranoi pa diskutim raportet për varfërinë e përhapur në Shtetet e Bashkuara dhe pikëpamjen e përgjithshme se presidentët amerikanë merrnin urdhra nga kompleksi ushtarak-industrial. Ai dukej i bindur se Shtetet e Bashkuara ishin të prira për agresioni ushtarak, shkruan “New York Times”.
Por Gorbaçovi i kuptoi marrëdhëniet me publikun perëndimor dhe fuqinë e personalitetit, që ai e demonstroi në vitin 1983 në një vizitë në Kanada, ku bisedoi me gratë, ua përkëdheli foshnjat dhe u mrekullua me efikasitetin e punëtorëve kanadezë dhe me produktivitetin e tokës kanadeze.
Një vit më vonë udhëtoi për në Britani, ku i impresionoi britanikët me njohuritë e tij për letërsinë e tyre. Duke vizituar Muzeun Britanik, ku Karl Marksi bëri shumë nga kërkimet e tij, ai tha: “Nëse njerëzit nuk e pëlqejnë Marksin, ata duhet të fajësojnë Muzeun Britanik”.
Por kur një ligjvënës britanik ngriti çështjen e persekutimit të grupeve fetare në Bashkimin Sovjetik, Gorbaçovit në humor iu prish qejfi. “Ju qeverisni shoqërinë tuaj”, tha ai, “na lini ne të qeverisim tonën”.
Megjithatë, britanikët u morën me Gorbaçovin dhe gruan e tij me stil, e cila u pa duke përdorur një kartelë “American Express” për të blerë në Harrods. “Më pëlqen zoti Gorbaçov”, tha kryeministrja Margaret Thatcher më 1984. “Ne mund të kryejmë punë së bashku”. Ajo më vonë inkurajoi presidentin Ronald Reagan dhe Gorbaçovin që të bashkëpunonin.
Me vdekjen e Çermenkos më 10 mars 1985, Gorbaçovi, i cili po zëvendësonte liderin e sëmurë, shpartalloi kundërshtarët dhe mori pushtetin. Në një mbledhje të Byrosë Politike të thirrur me nguti, Andrei A. Gromyko, ministër i Jashtëm për një kohë të gjatë, do t’ia mbante fort anën Gorbaçovit. “Shokë”, tha ai në fjalim, “ky njeri ka qeshje të bukur, por dhëmbë të hekurt”.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Bazuar në shkrimin e “The New York Times”. Përgatiti: Rexhep Maloku