Në librin “Folklori kujtesё e praktikё - Njё perspektivё e re njohёse pёr folkloristikёn” – botoi: Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021; 459 faqe – Arbnora Dushi dëshmon seriozitetin e saj nё studimin e folklorit, sidomos me qasjen që bën drejt ridefinimit të nevojshëm tё folkloristikës brenda niveleve tona studimore akademike, mbështetur dhe arsyetuar nga ridefinimi që i është bërë kësaj disipline në qendrat studimore ndërkombëtare, në të cilat ky proces mund të quhet i pranuar
Botimi i radhës i studiueses së folklorit Arbnora Dushi, “Folklori kujtesë e praktikё - Njё perspektivë e re njohëse për folkloristikën”, përmban rezultatet permanente të punës sё saj në vitet e fundit. Temat e veçanta të trajtuara me përkushtim dhe të strukturuara e harmonizuara si tërësi kuptimore në këtë botim autorja i sjell si risi tematike dhe referencash teorike për folklorin nga këndvështrimi i kujtesës dhe praktikës. Këtë përkushtim dhe dije Arbnora e ka formuar dhe arsyetuar në vazhdimësi, falë edhe qëndrimeve të saja studimore në institucione kërkimore të vendeve me traditë në fushën e studimeve të folklorit, disiplinë kjo së cilës i është përkushtuar profesionalisht.
Edhe në kёtё libër të botuar së fundmi studiuesja dëshmon seriozitetin e saj nё studimin e folklorit, sidomos me qasjen që bën drejt ridefinimit të nevojshëm tё folkloristikës brenda niveleve tona studimore akademike, mbështetur dhe arsyetuar nga ridefinimi që i është bërë kësaj disipline në qendrat studimore ndërkombëtare, në të cilat ky proces mund të quhet i pranuar. Me po aq seriozitet, autorja trajton edhe tema, si ajo e historisë gojore nga aspekti folkloristik, ato tё kujtesës ndёrbreznore, e deri te folklori modern qarkullimi i tё cilit po bёhet nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale, duke kontribuar kështu drejt zhvillimit tё folkloristikës shqiptare, nё hap me dukuritë e njëjta tё trajtuara nё studimet bashkëkohore ndërkombëtare.
Ky botim është strukturuar në pesë kapituj sipas temave të trajtuara, që shpërfaqen me një rrjedhë kapitujsh kuptimorë mirë të organizuar. Që në fillim autorja u përqaset problematikave hulumtuese nё folkloristikë, tё cilat i analizon dhe arsyeton nga aspekti teorik e praktik, duke trajtuar nevojën e ndërrimit tё paradigmës, e cila edhe sprovon autenticitetin e elementit tradicional, për të vazhduar me pasqyrimin e rrugëtimit qё merr deri nё konsolidim rrëfimi personal gojor, si zhanër i definuar i historisë gojore nga prizmi i folkloristikës. Dhe tё gjitha kёto raporte marrёdhёniesh ndёrdisiplinore, ndërmjet historisë gojore dhe folklorit, argumentohen me anё tё praktikave lokale duke konkretizuar historikun dhe metodologjinё e hulumtimit.
Njё trajtim të ndarë autorja ia bën rrëfimit dhe kujtesës në kontekstin e folkloristikës e të historisë gojore dhe duke u mbështetur në sfond teorik për trajtimin e zhanrit narrativ të të rrëfyerit të përvojave personale në folkloristikë, ajo sjell rezultatet konkrete mbi zhanret narrative personale nё folkloristikёn botёrore, nga të cilat teori shpërfaq edhe rrugën historike të ndërtimit të zhanrit gojor të rrëfimit personal, si dhe emërtimin dhe definimin e këtij zhanri. Ajo fokusohet në folklorin dhe historinë gojore, në raportet e tyre ndërlidhëse ndërdisiplinore, duke u ndalur edhe në përvojën e studimeve shqiptare për këtë raport dhe nga e cila marrëdhënie veçon dallimet dhe afritë në qasje dhe metodologji e deri te historia gojore në kontekstin e praktikës sociale. Risitë analitike që sjell Arbnora për rrëfimin personal gojor në këtë pjesë të librit mund të themi se janë qëllimi dhe synimi mbi të cilin ndërtohet ky studim.
Arbnora në këtë botim i qaset me emocion të veçantë temës së kujtesës për kufirin me Shqipërinë nga tri këndvështrime. Në këtë kapitull të konceptuar si triptik, ajo së pari merr në shqyrtim kufirin e transmodeluar në mall për atdheun e munguar duke trajtuar sfondin historik, nostalgjinë si emocion për humbjen dhe të jetuarit “matanë vendlindjes”, për të vazhduar me kujtimet për kufirin nga perspektiva e kujtesës ndërbreznore, të cilën e elaboron brenda kornizës teorike të saj, duke analizuar zonat kufitare jo vetëm si gur ndarës të një hapësire etnike, por si procese sociale, e deri te kujtesa për kufirin nga perspektiva e dëshmitares së parë, dhe të asaj kujtese për kufirin nga perspektiva e brezit të dytë dhe të tretë. Autorja me anë të metodologjisë auto-etnografike, si një risi në perspektivë, trajton kujtesën për kufirin deri te përvoja me kufirin, duke shpalosur tri lloje kujtimesh: si të dëgjuara, të përjetuara dhe të munguara.
Në këtë botim Arbnora ka marrë për trajtim edhe baladat e këngët popullore, si ajo e Maxhar Pashës, Halit Gashit, Halilit e Hajrisë, e të tjera, zhanre këto të krijimtarisë gojore nga të cilat zbërthen kujtesën personale dhe kolektive, si krijime të cilat edhe e kanë bartur kujtesën ndër breza me anë të vargjeve. Ky kapitull përmban gjashtë trajtime baladash e këngësh të ndryshme, në të cilat autorja për të zbërthyer kujtesën personale e kolektive u qaset dhe i interpreton në një mënyrë tjetër nga studimet paraprake të bëra për këto krijime, por duke iu referuar dhe duke mos mohuar vlerat e këtyre studimeve për këto trajtime.
Dhe në fund të këtij libri autorja trajton disa nëntema që kanë të bëjnë me folklorin dhe folkloristikën në kontekst praktik, duke filluar me atë ku shpërfaq rrethanat politike të komunikimit dhe kontaktet e folkloristëve shqiptarë para dhe pas viteve ‘90, si dhe rrethanat e reja politike që mundësuan rikthimin e këtyre kontakteve pas vitit ‘99. Gjithashtu, në trajtim të veçantë krahason praktikat e regjistrimit dhe botimit të epikës sipas Elias Lonnrot dhe Bernardin Palaj, për të vazhduar me trajtimin e një risie në folklor, siç është ajo e të praktikuarit dhe krijuarit të folklorit në internet, të parë si dukuri ndërmjet mbijetesës e transformimit, sidomos në raportin që krijon folklori me teknologjinë në studimet shqiptare. Dhe krejtësisht në fund autorja trajton një praktikë më të re të folklorit, sidomos të atij tё dy vjetëve të pandemisë. Këto forma, të krijuara rreth temës së virusit dhe vaksinës me anë të memeve, edhe pse të ndikuara nga trendët globalë, vihen në shqyrtim mu për shkak të qarkullimit të tyre edhe në kulturën shqiptare, prandaj edhe theksohet nevoja e pranimit të tyre si objekt studimi në rrethet shkencore.
Në fund duhet theksuar se ky botim studimor i Arbnora Dushit dëshmon vazhdimësinë e interesimit të shumanshëm të studiueses, si nё zgjerimin e përkufizimit tё folklorit, mbi tё cilën lёndё ndërtohen studimet folkloristike bashkëkohore, po aq edhe nё trajtimin e temave heterogjene, si ajo e historisë gojore dhe kujtesës personale e ndёrbrezrore, mbështetur si nё rrafshin teorik, por edhe praktik. Nga zbërthimi i vlerave jo vetëm tradicionale, por edhe aktuale tё folklorit shqiptar, me njё qasje multidisiplinare, autorja me këtë botim kontribuon nё ngritjen dhe avancimin e folkloristikës shqiptare.
Autorja është këshilltare shkencore në Degën e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës.