“Nastasja Filipovna”. Dramatizim i romanit “Idioti” të Dostojevskit. Shfaqje e Teatrit “Dodona”, në regji të Selami Tarakut. Shquhet aktrimi mjeshtror i Enver Petrovcit, i cili, me sensin e tij për detajin, për gjestin dhe situatën dramatike, fascinon: një drejtpeshim fatlum midis relacionit identifikues dhe me distancën e nevojshme karshi rolit
Romani “Idioti” i Dostojevskit, si të gjitha veprat e mëdha artistike, thelbësisht shumështresor, krijon mundësi të shumta të leximit – akti i leximit, si akt intelektual dhe artistik, si aventurë nëpër shumëkuptimësinë e tekstit letrar, varësisht nga niveli, prirja dhe psikologjia e pranuesit, mund të sendërtohet, të themi, prej leximit parcial e deri te leximi integral. E dhëna e këtillë posaçërisht i referohet leximit dramaturgjik që, në pikën e fundit, është një lexim vetjak i tekstit, një lexim që institucionalizohet dhe qenëson si res publica.
Cili, ndërkaq, është leximi dramaturgjik i regjisorit, Selami Taraku, që i bën këtij romani shumëplanësh, këtij romani psikologjik, filozofik, social, dashuror?
Leximi origjinal dramaturgjik e regjisorial
Vetë titullimi i dramatizimit – “Nastasja Filipovna” – edhe pse Nastasja, si prani fizike, është më së paku në skenë, flet për përqëndrimin e optikës regjisoriale të S. Tarakut, optikë kjo që hedh dritë mbi dramën psikolo-gjike dhe emocionale të Rogozhinit dhe Princit Mishkin. Kësaj rruge të sendërtimit dramaturgjik, regjisori e shqipton tragjiken e treshit dashuror, atë tragjikën mitike si substrat të ndërdijes individuale dhe kolektive. Nastasja, në të vërtetë, kjo femër fatale, jo vetëm që është vendosur në skenë në përmasa të kufizuara si prani fizike, por, si entitet verbal, nuk ekziston fare dhe kjo, sado mund të duket paradoksale, aspak nuk e vë në hije praninë e saj në skenë. Si dhe pse? Ajo, në të vërtetë, është ajo pika qendrore, rreth të cilës lëviz bota shpirtërore, morale, emocionale e psikologjike e Princit Mishkit dhe e Rogozhinit. Ajo është ajo epiqendra, jo vetëm gravituese, po edhe konfliktuoze, para së gjithash konfliktuoze, e këtyre personazheve esencialisht tragjike. Kontliktuoziteti i personazheve, që është posaçërisht me rëndësi, është thelbësisht i brendshëm, intrapsikik dhe, pikërisht për shkak të përçarjes, konfuzionit, ambivalencës psikologjike e emocionale, ai konflikt eksternalizohet, zhvillohet në relacionet e jashtme. Së këndejmi, mund të thuhet se konflikti dramatik, që është konflikt psikologjik, moral dhe emocional, është një konflikt total, një konflikt tragjik që i shpie deri edhe në gremisjen përfundimtare fizike të tre personazhet, vetë Nastasjen si viktimë të vetvetes dhe të Rogozhinit, si viktimë të kofuzionit të saj psikologjik dhe si viktimë të primitivizimit të Rogozhinit: Rogozhinin si viktimë të primitivizimit emocional e psikologjik vetjak dhe si viktimë të femrës fatale – Nastasjes; Princin Mishkin si viktimë të Nastasjes e Rogozhinit dhe, mbi të gjitha, si viktimë e kurthës së tij psikologjike personale. Kështu, më parë se për viktimën, mund të flitet për rrethin e viktimave, për rrethin e dëshpërimit dhe të varësisë së ndërmjetvetshme fatale, ku askush nuk mund të bëjë një hap racional, qoftë nga vetja, qoftë nga tjetri, ku secili është rob i burgut të vet shpirtëror, i pasioneve morbide, dhe rob i tjetrit, i iracionalitetit, fatalitetit.
Drama e xhelozisë dhe e pamundësisë së komunikimit
Posaçërisht me tinguj të dhëmbshëm, tragjik, është shqiptuar drama e Rogozhinit, drama skëterrike e xhelozisë së tij, drama e pamundësisë së komunikimit shpirtëror me Nastasjen, në të vërtetë, sipas sistemit të vlerave të tij, pamundësia e posedimit shpirtëror, e pushtetit moral e psikologjik, që shkakton ndjenjën e pavlerësisë tragjike. Antinomi i tij është Princ Mishkini, i cili jo vetëm e zotëron shpirtërisht Nastasjen, por, në të vërtetë, edhe është strehë e tij psikologjike dhe morale. Dhe, derisa Rogozhini ballafaqohet me pamundësinë tragjike të frymëmarrjes shpirtërore me Nastasjen, me pamundësinë e pushtimit të saj moral e emocional, Princi Mishkin, me spiritualitetin e tij patologjik, nuk mund ta bëjë të lumtur Nastasjen. Në të vërtetë, këtu shqiptohet ajo dysia tragjike e trupores me shpirtëroren, pamundësia e harmonizimit dhe e kanalizimit kreativ të tyre. Viktima e madhe, në të vërtetë, është Nastasja, ajo që qëndron midis këtyre dy skajeve, të cilat shenjohen me Princin Mishkin dhe Rogozhinin, me asteninë mentale të Princit Mishkin, me atë pafuqishmëri morbide dhe me primitivizimin sensual të Rogozhinit, me ambivalencën e tij skizofrenike emocionale e psikologjike.
Nuk janë të shpeshta shfaqjet teatrore, të cilat, si kjo e S. Tarakut, funksionojnë si tërësi dramturgjike, si entitet i përgjithshëm dramaturgjik, po edhe si entitete të veçanta, që e krijojnë tërësinë. Duam të themi se shfaqja, pikërisht falë një drejtpeshimi teatror të nivelit të lartë, artikulohet si një orkestrim gati matematikor, qoftë kur është fjala te organizimi dhe shfrytëzimi maksimal i hapësirës skenike sipas një gjeometrie funksionale dramaturgjike, qoftë kur është fjala te bashkërenditja e frytshme e artikulimeve aktoriale, qoftë kur është fjala te ekuilibrimi i muzikës, i dritës dhe elementit koreografik.
Mbi të gjitha shquhet aktrimi mjeshtror i Enver Petrovcit, i cili, me sensin e tij për detajin, për gjestin dhe situatën dramatike, fascinon: një drejtpeshim fatlum midis relacionit identifikues dhe me distancën e nevojshme karshi rolit, E. Petrovcit ia mundëson zotërimin e plotë artistik të rolit: dikcioni i rrallë dhe shkathtësia e përndërrimit të thellë e spontan psikologjik, rolin e E. Petrovcit e ngrit deri te majat artistike. Zotërimi i mirë i rolit e karakterizon Dibran Tahirin, i cili, me subtilitetin e tij, me gjestin dhe me stabilitetin e aktri-mit, e mban drejtpeshimin e lojës me E. Petrovcin dhe orkestrohen mrekullisht. Jovanka Mandiqi, me lojën e saj të kuptimtë, me ritmin e kontrolluar të lëvizjeve të saj vallëzuese, me ndjenjën e thellë për situatën dramatike, sa e artikulon natyrën e saj fatale, aq, në mos edhe më shumë, artikulon atë përçarje midis sensuales dhe spirituales, midis Princit Mishkin dhe Rogozhinit. Në fund do theksuar se artikulimi i këtillë i drejtëpeshuar dramaturgjik është, midis të tjerash, rezultat i punës së disiplinuar dhe municioze regjisoriale të Selami Tarakut.
“Fjala”, janar 1993
Njeri e aktor i papërsëritshëm
Besim Rexhaj
Ikja në amshim e aktorit të madh, e Enver Petrovcit, e pedagogut të shquar e jokonvencional, ikja e tij e parakohshme, është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, miqtë e kolegët e tij, por për gjithë artin teatror e filmik në Kosovë e më gjerë. Aktor me potencial të jashtëzakonshëm artistik, i dëshmuar si aktor teatri, filmi e televizioni, Enver Petrovci, me punën e me angazhimin e tij të pashoq ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe si pedagog i aktrimit, si pedagog i cili për më shumë se një çerek shekulli ka përgatitur, ka kultivuar dhe ngritur gjenerata të tëra të artistëve, të aktorëve të dëshmuar. Dhe, derisa vazhdimisht është theksuar, posaçërisht këto ditë kur iku në amshim, merita dhe potenciali i tij i madh si aktor, si aktor i roleve të mëdha e të papërsëritshme, sikur kanë mbetur paksa anash dy dimensione të punës, të kontributeve e të aktivitetit të tij: puna e tij si njeriu e artisti, i cili, së bashku me të madhin Faruk Begolli, kanë themeluar Teatrin e Prishtinës “Dodona” në vitet ’90 të shekullit të kaluar, që nuk ishte vetëm akt kulturor e artistik, por edhe akt i rezistencës qytetare e politike. Në këtë teatër, i cili funksionoi në kushte të pushtimit nga pushteti serb, në kohën kur po bëhej një fushatë e egër e asimilimit dhe e shembjes së institucioneve kulturore e artistike në Kosovë, u kultivua fryma e rezistencës dhe e refuzimit qytetar e kulturor dhe, në vazhdën e aktiviteteve të këtilla, pas luftës (1999), një pjesë e madhe e potencialit të madh të Enver Petrovcit iu kushtua përgatitjes së gjeneratave të reja të aktorëve në kuadër të Fakultetit të Arteve të UP-së, në kuadër të të cilit, në të vërtetë, ai, me kolegët e tij, ndërtoi një stil, një shkollë unike të artit të aktrimit, reflekset e së cilës shihen tash e një kohë të gjatë në skenën teatrore e filmike në Kosovë e më gjerë. Njeri e aktor me përvojë të gjatë e të pasur aktoriale, njeri që ka prekur majat e suksesit artistik në nivel kombëtar e ndërkombëtar, Enver Petrovci, gjithë atë përvojë të tijën, pa ngurrim, e përcjellë te brezat e ri – e përcjellë, e kultivon, e zhvillon në një mënyrë origjinale dhe pa asnjë egoizëm te gjeneratat e reja, të filtruar, përvojën e gjithë atij potenciali të madh që ia kishte dhuruar jeta dhe skena artistike. Së këndejmi, dua të vë theksin te fakti se Enver Petrovcin e bëjnë të pavdekshëm, jo vetëm rolet e tij të mëdha artistike, një numër jashtëzakonisht i madh i roleve të mëdha, të realizuara në mënyrë krejt origjinale e me një shkathtësi të pashoqe artistike – ai zë i papërsëritshëm, me atë gamë pazakonshëm të gjerë e të pasur të artikulimeve të nuancuara aktoreske – por edhe transmetimi te brezat e tjerë, te brezat e rinj i një përvoje të tërë jetësore e artistike me aq dashuri e me aq përkushtim.