Shtojca për Kulturë

Millosh Kopiliqi – ky hero i shqiptarëve

Millosh Kopiliqi, litografi e shekullit XIX

Millosh Kopiliqi, litografi e shekullit XIX

“Poezia jonë epike nuk guxon të vlerësohet si tërësi apo të llogaritet si produkt ekskluzivisht serb, që është krijuar vetëm në popullin tonë dhe e cila mund të kuptohet vetëm në kuadër të historisë sonë, bile deri më tani kjo ka qenë e qartë për çdo folklorist modern. Kënga shqiptare mbi ‘Betejën e Kosovës’ mund ta vërtetojë një kuptim të tillë. Thënë drejt, ne nuk mund të themi shumë duke u mbështetur vetëm në një dokument dhe nuk mund të presim ndonjë garanci të madhe me përfundime të tilla. Megjithatë, unë e marr guximin që t’i paraqes disa vërejtje të cilat janë pikasur me rastin e leximit të parë të këngës shqiptare”, ka shkruar studiuesi serb, Veselin Çajkanoviq në vitin 1923

Motivet e këngës së parë shqiptare mbi Betejën e Kosovës

“Kënga shqiptare mbi ‘Betejën e Kosovës’ (Çajkanoviq e ka analizuar këngën e kënduar nga Hamzë Xhemë Bojku dhe regjistruar dhe botuar në vitin 1923 nga Glisha Elezoviq 1879 – 1960, v.j. S. L.) e paraqitur më sipër e afron rastin që ‘Mitin e Kosovës’, por edhe poezinë tonë epike në përgjithësi ta vështrojmë nga një këndvështrim më i ri. Se poezia jonë epike nuk guxon të vlerësohet si tërësi apo llogaritet si produkt ekskluzivisht serb, që është krijuar vetëm në popullin tonë dhe e cila mund të kuptohet vetëm në kuadër të historisë sonë – kjo edhe deri më tani pak a shumë ka qenë e qartë për çdo folklorist modern. Kënga shqiptare mbi ‘Betejën e Kosovës’, vetëm se mundet që ta konfirmojë një kuptim të tillë. Thënë drejt ne nuk mund të themi shumë duke u mbështetur vetëm një dokument dhe nuk mund të presim ndonjë garanci të madhe me përfundime të tilla. Megjithatë, e marr guximin që t’i paraqes disa vërejtje të cilat janë pikasur me rastin e leximit të parë.

Është interesante se në epin shqiptar personazhi kryesor është Milloshi. Sulltani i kërkon qytetet prej tij, (vargjet 291, 294 etj.) Pra, vetë Milloshi vendos për të rezistuar. 
                                       “Qaty kra’lit i ka kallxue
                                       Sulltani në Prishtinë osht tu ardhë
                                       Ajy tha luftë po lyp
                                       Qysh po thue kralit i ka thon...
                                       (Vargjet 291 – 294)

Prandaj nëse epopeja serbe për ‘Betejën e Kosovës’, të tillë qysh e kemi tani edhe do të mund të quhej me emrin e Lazarit, pasi kështu e ka kuptimin edhe shprehja ‘Lazarica’ atëherë epopeja shqiptare për të njëjtën lëndë nuk është asgjë tjetër pos ‘Kënga për Milloshin’. Gjendja e tillë e gjërave padyshim se është e vjetër madje edhe arkaike. Bile kjo gjendje na jep të drejtë që të pandehim se ndoshta edhe në ciklin serb rolin kryesor e ka pasur Milloshi (apo ndonjë hero epik në vendin e të cilit ka ardhur (vendosur, krijuar v.j. S.L.) Millosh Kopiliqi”, ka shkruar studiuesi serb, Veselin Çajkanoviq në vitin 1923

Zemërimi i Millosh Kopiliqit është i njëjtë me atë të Akilit

Çajkanoviq vazhdon: “Ne sot, me të vërtetë e shohim se një pjesë e madhe e këngëve, janë të grumbulluara rreth inatosjes apo zemërimit të Milloshit, ashtu siç është zemërimi i heroit mirmidonas – Akilit te ‘Iliada’ dhe të cilin tashmë në këngën shqiptare na i kujton fuqia dhe trimëria e Milloshit. Milloshi është hero i pjesës jugperëndimore të popullit tonë, veçmas i Malit të Zi. Më pastaj për të janë regjistruar shumë këngë në Bosnje e Hercegovinë, por në nivelin më të lartë kulti i tij është ngritur në Mal të Zi. Mjafton të lexohen disa pjesë të ‘Kurorës së maleve’. Mirëpo, duke u mbështetur në këngën shqiptare të ‘Betejës së Kosovës’, shihet qartë se kulti i Milloshit është i njohur edhe jashtë kufijve të Malit të Zi, në drejtim të jugut, pra në elementin që nuk është serb. Vargu 463 dhe të tjerë, gjithsesi që janë vargje origjinale shqiptare, sepse nuk kanë paralele në poezinë tonë popullore. Pra, janë këto vargje ku Milloshi ndërlidhet me burimin e ujit të nxehtë shërues dhe ato janë të mjaftueshme që ai të karakterizohet si hero i cili shëron, përafërsisht si te Herkuli apo ndoshta te Eskulapi. Prej historisë së religjionit e dimë se heronjtë të cilët shërojnë ndërlidhen me ujërat (burimet) e nxehta, shëruese”.

                                  “Ni grua e ni çikë ishin kon
                                  Tu e la tesha ishin kon
                                   Qaty Miloshin e kanë pa,
                                   U mori non kqyre ni njeri
                                   Pa krye qysh po ec!
                                  Qaty Miloshi kish pas fol
                                  “unë pa krye edhe ju dyja mbetshi pa sy”
                                   Se në atë vend 
                                    Miloshi ish kon mbet”
                                 (Vargjet 455 – 463)                              

 

Beteja e Kosovës 1389, ilustrim në një botim mesjetar rus

Përvoja e Elbasanit në vitin 1912      

Siç dihet në Luftën e Parë Ballkanike në vjeshtën e vitit 1912, me shpërbërjen e Perandorisë Osmane, shtetet ballkanike “fqinje” i synuan territoret shqiptare, ndërsa Serbia e atëhershme ishte jetësisht e interesuar, madje kishte investuar si na planin e brendshëm por edhe në atë ndërkombëtar, që ta pushtonte bregdetin shqiptar. Si oficer i ushtrisë serbe, i mobilizuar në luftë bashkë me ushtarët e tij, Veselin Çajkanoviq ishte gjetur në rrethinat e Elbasanit. Ai madje ka dëshmuar edhe vetë për këtë përvojë. 

“Mbi traditën e Milloshit ndër shqiptarët, diçka di edhe nga përvoja ime personale. Kur gjatë kohës së operacioneve të vitit 1912, me çetën time isha vendosur në rrethinën e Elbasanit, disa njerëz më rrëfyen për disa shqiptarë vendas se ata ishin pasardhës të Millosh Kopiliqit. Ndërsa në Ohër e pata rastin ta shoh një shpatë (shumë të thjeshtë, që duket të ishte ndoshta e shekullit të XVIII) për të cilën më thanë se demek ishte e Milloshit. Të gjitha këto të dhëna dëshmojnë se Milloshi është heroi i cili e ka pasur kultin dhe traditën e tij edhe midis shqiptarëve por edhe serbëve. Pra, ai nuk është vetëm hero serb por edhe shqiptar!”

Vendlindjen e Millosh Kopiliqit duhet të kërkohet në  këngët shqiptare

Në analizën e mëtutjeshme të Çajkanoviqit ai i ka kushtuar kujdes lokalizimit të vendlindjes së Millosh Kopiliqit. 

“Është e vërtetë se fiksimi i personalitetit të Milloshit është i papërcaktuar, por edhe i komplikuar, për dallim të autorëve të këngëve që i kanë lokalizuar vendet si: ‘Motra e Lekë kapitenit’ plaku Milia i cili gjeografikisht është përcaktuar e lokalizuar saktë si Lekë kapiteni në qytetin e Prizrenit, si Marku në qytetin e Prilepit, Rela në Novi Pazar, ndërsa ai (pra këngëtari – S. L.) nuk e di se prej nga është Milloshi, por në mënyrë të papërcaktuar e lokalizon diku në Kosovë dhe kjo dëshmon se mbështetja për vendlindjen e Millosh Kopiliqit duhet të kërkohet në traditën shqiptare. Si pikë nismëtare, deri më tani për shembull mund të në shërbejë kënga mbi Milloshin si bari, që nën emërtimin ‘Martesa e Dushanit’ gjendet në përmbledhjen e Vuk Karaxhiqit dhe e ka variantin e saj te ‘Këngët epike’ edhe të Petranoviqit. Kjo këngë, gjeografikisht por edhe në bazë të motiveve zbret në mënyrë të njëjtë në elementet shqiptare, por edhe serbe”.

Duhet të themi se përgjatë gjithë trajtesës së studiuesit të njohur serb, Çajkanoviqi nuk e fsheh entuziazmin e vet duke u paraqitur shumë balancues midis ndarjes së elementeve të traditës shqiptare me ato serbe në këngën mbi “Betejën e Kosovës” kuptohet këto elemente ai i ndan përgjysmë, por në disa raste megjithatë, ai qartazi thotë se ato shqiptare janë më të qarta dhe ia japin kuptimin më të plotë ngjarjes së “Betejës së Kosovës”, por edhe kryepersonazhit Millosh Kopiliqit. Ky autor edhe më tej ka këmbëngulur në përcaktimin e vendlindjes së heroit kryesor dhe është i bindur se “përfundimet do të jemi në gjendje t’i nxjerrim vetëm atëherë kur do të jemi në gjendje të vjelim më shumë të dhëna nga pala shqiptare dhe aty përveç tjerash, do të gjejmë edhe më tepër të dhëna për vetë Millosh Kopiliqin”.    

Pikëtakimet shqiptaro-serbe

“Është interesante se midis këngëve epike shqiptare dhe këngëve popullore serbe ka shumë pikëtakime”, ka shtuar Çajkanoviqi duke precizuar se në veçanti bie në sy numri i madh i motiveve të njëjta, veçmas përjashtimi nga radhët e ushtrisë së luftëtarëve që jo me dëshirë janë nisur për në luftë apo që janë “të papastër” 
                                        “A po ndgoni, bre evl’ad,
                                        Ju pishmon ne ju kush t’ini
                                        Nona, baba t’dhimshëm jon
                                        Izën e kini pej shpije me shkue,
                                        Me harxh tem te shpija unë ju çoj
                                        Shumë asqer mretit ju kanë da”.
                                             (Vargjet 68 – 74)                              

Mirëpo, në këtë pikë të huazimeve Çajkanoviqi është i bindur se “duke u mbështetur në motive, të kompozicionit teknikës së epit dhe krijimtarisë  poezia popullore serbe e mbisundon atë shqiptare, por megjithatë disa nga motivet e përbashkëta mund të sqarohen me anë të traditës së përbashkët.

Motivet shqiptare që këngët serbe nuk i kanë

Në pjesën përmbyllëse, para se të kalonte në analizën e tij më të detajuar të çdo strofe dhe të elementeve në vete të “Këngës shqiptare mbi Betejën e Kosovës” Veselin Çajkanoviq i ka analizuar apo listuar motivet që ekzistojnë në këngën shqiptare por që mungojnë në këngët serbe. 
Dhe sipas tij ato janë: “Kalimi ushtrisë nëpër det i cili u nda para kalimit (vargu 84), të buruarit e ujit prej guri (vargu 224), përpjekja e vashave të reja që ta tundojnë ushtrinë (vargu 297), çelësat që Milloshi i bart në mustaqe (vargu 44), të ecurit e Milloshit pa kokë (vargu 441) ekzistenca e burimit shërues në vendin ‘ku mbet’ Milloshi (vargu 463)”. 

Por, nëse Çajkanoviqi këto motive i gjeti në këngën shqiptare dhe ato mungonin në ato serbe atëherë ai ishte i bindur “se ato ishin motive të tregimeve popullore (märchenmotive) dhe kështu një numër i bollshëm i tyre bie në sy në një këngë relativisht të shkurtër”. 

Mirëpo Çajkanoviq, megjithatë nuk i ka bishtnuar së vërtetës lidhur me motivet shqiptare në “Këngën shqiptare mbi Betejën e Kosovës” duke përfunduar se “përmbajtja dhe fantastikja e motiveve, por dhe frekuenca e tyre, do të ishin një arsye më tepër se ato motive me të vërtetë janë autoktone shqiptare...dhe janë shqiptarët ata që prej vetes apo si ndërmjetës i kanë dhënë poezisë sonë popullore mjaft ‘märchenmotive’. Në të njëjtin përfundim në çon edhe “Këngën shqiptare mbi Betejën e Kosovës”, e ka përmbyllur analizën Veselin Çajkanoviq në vitin 1923. 

Millosh Kopiliqi nuk fliste serbisht në krahinën e Ohrit

“Në kërkim të këngëve për “Betejën e Kosovës”  një vit pas botimit të këngës së kënduar nga Hamzë Xhemë Bojku, u angazhua edhe etnologu dhe studiuesi i kulturës, një ish–student i Austrisë, Tihomir Gjorgjeviq (1868 – 1944).

“Gjatë qëndrimit në Ohër, në korrik dhe gusht të këtij viti (1924), doja të regjistroja ndonjë këngë të vjetër nga arbanasit e zonës përreth. Kur pyeta nëse kishte ndonjë këngëtar në ndonjë fshat që dinte këngë të tilla, një hoxhë nga Ladorishta (rrethi i Strugës) më tha se më 30 korrik do të pyeste për këtë dhe se do të përpiqej të më dërgonte te një këngëtar i mirë në Ohër“, ka rrëfyer Gjorgjeviq. “Të nesërmen, dy fshatarë arbanas, të cilët ai i kishte dërguar tek unë, erdhën në Ohër. Njëri ishte Hamit Shazimani nga Kalishta, një plak gati tetëdhjetë vjeç, por ende një burrë i shëndetshëm dhe shumë i fortë. Ai ishte i pashkollë dhe thuajse kurrë nuk ishte larguar nga vendlindja e tij. Hamiti nuk e dinte asnjë fjalë në gjuhën serbe. Këngët i kishte mësuar nga këngëtarë më të vjetër, por njërën prej këngëve (për Betejën e Kosovës – S. L.)  e kishte dëgjuar Idris Pelivani, që ishte nga zona e Tetovës. Këngëtari tjetër quhej Arif Kurtishi, rreth dyzet vjeç. Arifi dinte nga pak serbisht, pasi kishte shërbyer në ushtrinë serbe dhe po ashtu dinte edhe pak shkrim-lexim“.

 Veselin Çajkanoviq (1881 – 1946)

Poema për “Betejën e Kosovës“ e  Arif Kurtishit nga Ohri

“Nga të gjitha ato që i kam regjistruar prej Arifit, këtu po e paraqes vetëm këngën për “Betejën e Kosovës“, ka shkruar ky autor, por fatkeqësisht ai nuk e ka paraqitur tekstin origjinal të këngës, por e ka rrëfyer vetë me fjalët që i ka ndëgjuar prej Arifi dhe madje ai e ka quajtur këtë poemë. 

“Kënga e ‘Betejës së Kosovës’ që Arifi e këndon krahasuar me ato që janë botuar deri më tani është shumë e shkurtër. Raportoj ‘Poema e regjistruar thotë: Një mëngjes, Sulltan Murati u zgjua i thirri pleqtë dhe dijetarët dhe u tha atyre: e kam pa një ëndërr, kështu që ju thirra për ta interpretuar atë për mua, dhe ai ua rrëfeu ëndrrën e tij. Pleqtë dhe dijetarët ia interpretuan ëndrrën sikur do të shkonte në Kosovë për të luftuar. Kur Sulltan Murati e dëgjoi këtë, ai urdhëroi tellallin që në të gjithë qytetin, rrugëve, të shkojë shtëpi më shtëpi dhe t'ua  japë kumtin ushtarëve që të tuboheshin. Dhe dymbëdhjetë mijë vullnetarë u mblodhën menjëherë. Kur ushtria u mblodh, Sulltan Murati shkoi midis ushtarëve dhe u tha atyre: Dëgjoni, heronj, kushdo që dëshiron të shkojë në shtëpi, le të shkojë lirisht, unë nuk do të mbaj mëri kundër tyre. Tani kam nevojë për ushtarë që duan të vdesin. Ne nuk erdhëm për të shkuar në shtëpi, por për të shkuar me ju dhe për të vdekur – folën ushtarët. Sulltan Murati u tha atyre: Meqenëse keni ardhur për të vdekur, do t’ju jap nga një copë pëlhure për t’i mbuluar trupat tuaj të vdekur. Dhe do t’ju porosis edhe diçka tjetër: meqenëse jeni gati të vdisni, mos bëni asnjë haram (mëkat). Ne nuk kemi bërë asnjë të keqe dhe as nuk do të bëjmë –  u përgjigjën ushtarët. Kur një ushtar ishte në rojë, valët e lumit e sollën një mollë, roja e mori dhe e kafshoi. Ushtria e pa dhe i tregoi sulltan Muratit se si roja e kishte kafshuar mollën që kishte sjellë lumi. Sulltani iu dha urdhër ushtarëve të shkonin përgjatë lumit për të gjetur se nga kishte rënë molla në lum dhe kujt i përkiste. Ushtarët shkuan dhe gjetën kopshtarin, molla e të cilit ishte. Sulltani e pyeti se sa donte për mollën që kishte kafshuar roja. ‘Nuk po e shes, por po e jap dhuratë’, u përgjigj kopshtari. ‘Atëherë çfarë doni t’ju jap unë si dhuratë?’, pyeti sulltani. ‘Po e jap mollën, por dua të jem agjutant i juaj dhe sulltani e pranoi kërkesën e tij. Pastaj filloi beteja dhe sulltan Murati ra dëshmor“.

Megjithatë, sipas Tihomir Gjorgjeviqiq, këngëtari tjetër “plaku Hamit Shazimani dinte më shumë këngë dhe i dinte më mirë sesa Arif Kurtishi” por pengesa kryesore ishte se ai nuk dinte serbisht, ndërsa njohuritë e gjuhës serbe nga Arifi ishin të pamjaftueshme për të regjistruar jo vetëm “Këngën e Betejës së Kosovës” që këndohen në krahinën e Ohrit por edhe këngë të tjera.