Këngëtari anonim sllav, duke u mbështetur në perceptimet popullore, e shkoqit vojvodën Millosh nga të tjerët, madje edhe etnikisht. Për vetë faktin se ai e quan të nevojshme të theksojë një hollësi të tillë si kjo që pranë Milushit qëndronin “dy vojvodë serbë”, e bën mjaft intriguese çështjen. Diskutimet mbi identitetin etnik të Millosh Kopiliqit kanë përftuar një nxitje qysh në fillim prej emrit dhe patronimit të heroit mesjetar. Dragutin Kostiq, për dallim nga studiues të tjerë serbë, është më i përkorë në qëndrimet e tij. Ai tërheq vëmendjen me vërejtjen se emri Millosh nuk haset ndër dokumentet serbe më herët sesa në shekullin e 13-të
Tradita vernakulare shqiptare për Millosh Kopiliqin u diktua për herë të parë nga vetë sllavët. Sidoqoftë, ajo do të trajtohej krejt përciptazi pa ndonjë qasje depërtuese. Kësisoj, kryekomandanti i ushtrisë malazeze, Mark Milani, vitet e fundit të pleqërisë gjatë internimit në Medun do t’i kalonte duke hedhur shënime, prej të cilave aty-këtu mund të vilen disa gjëra me vlerë. Kështu, ai në shënimet “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, në mesin e hollësirave të shumta që pikasi tek shqiptarët e veriut, përmend edhe ekzistencën e këngëve dhe kujtimeve tjera për Betejën e Kosovës: “...ai popull (shqiptarët – shën. S.M.) i kushton rëndësi të madhe si punëve të vjetra, ashtu edhe atyre të reja. Për shembull, ata nuk ia kanë harruar ende Pal Dukagjinit, të atit të Lekë Dukagjinit, i cili nuk shkoi në Kosovë të luftonte kundër turqve, kur Car Lazari dhe Sulltan Murati vdiqën së bashku me mbretërinë tonë, apo siç luftoi pas Betejës së Kosovës, Gjergj Kastrioti me turqit”.
Edhe Vladan Gjeorgjeviq, i njohur për pamfletin e tij thellësisht racist, është i shtrënguar të pranojë pjesëmarrjen e luftëtarëve shqiptarë në Betejën e Kosovës, ku siç thekson ai “mbeti edhe lulja e ushtrisë shqiptare”.
“Ai i pafe ogurzi” që vrau sulltanin
Sidoqoftë, udhëpërshkruesi i palodhur osman Evlija Çelebiu me kureshtjen e tij të pashuar do të sillte të dhëna të dorës së parë me rastin e udhëtimit të tij në Kosovë në dhjetor të vitit 1660. Në shënimet e tij, Çelebiu nuk përmbahet nga tërbimi kur pa me sytë e tij përdhosjen e Tyrbes së Sulltan Muratit. Me një ton të dukshëm hakërrimi, udhëpërshkruesi osman thekson se “rajatë e pafe të fshatrave përqark e kishin bërë zakon të ndaleshin para Tyrbes kur shkonin në Prishtinë e në Vushtrri dhe, për fyerje, e kryenin nevojën aty”.
Çelebiu mezi mban zemërimin kur mëson që jo larg Tyrbes ndodhej një manastir ku prehej “ai i pafe ogurzi” që vrau sulltanin. Varri i këtij të “pafeu”, sipas udhëpërshkruesit osman, ishte i ndriçuar me llamba të stolisura që mbanin erë të mirë. Ky varr dritëplotë mbahej mirë me bamirësinë e blatimet e të pasurve nën kujdesin e murgjve, të cilët ditë e natë prisnin e përcillnin mysafirë, qofshin të “pafe” ose myslimanë. Të një interesi të veçantë janë edhe shënimet e ambasadorit raguzian, Ivan Kaboga, i cili kur e kaloi lumin Llap, gjatë rrugës së tij për në Stamboll, në vitin 1792, pikasi “3 milje në të majtë një kishë”, ku Millosh Kopiliqi ishte varrosur. Kjo kishë duhet të identifikohet me rrënojat e një kishe të motshme në fshatin Sallabajë (emërtimi serb Kisela Banja) që tashmë gjendet në Komunën e Besianës. Edhe Nikola Boshkoviq, një tregtar me nam nga Novobërda, në memuaret e tij qysh në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë, i referohet njëfarë kishe në të cilën thuhej se ishte varrosur Milushi. Shënime mjaft minucioze për këtë çështje mban edhe bizantologu rus Aleksei Lidov, i cili ishte anëtar i misionit të UNESCO-s, që në vitin 2004 incizoi gjendjen e manastireve ortodokse në Kosovë. Teksa jep një pasqyrë të thukët të fshatit Sallabajë, ai zgjedh të citojë një legjendë mbi ujin e fshatit, i cili mori veti shëruese, meqë Milloshi u la aty. Sidoqoftë, autori i kësaj përmbajtjeje për këtë fshat mundohet ta relativizojë këtë fakt duke ngritur pohimin paushall e të papërligjur se gjoja shqiptarët u vendosën aty në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Edhe Rade Mihaljçiq pranon se është “fakt i pamohueshëm” që legjenda për Millosh Kopiliqin ishte e gjithështrirë mes shqiptarëve. Sipas tij, heroi mitik mori gati përmasat e të pavdekshmit duke e shembëllzuar këtë me një gojëdhënë epike shqiptare e cila e portretonte atë duke e bartur kokën e vet të prerë. Shqiptarët e Sallabajës i kishin treguar Branislav Nushiqit “si Milloshi pasi u vra, e mori kokën e vet për banjën e tij për ta ngjitur prapë me gurrën e ujit shërues, por vetëm brenda pak hapash ai takoi një vajzë e cila i hodhi syrin e keq, me ç’rast ai u platit përdhé dhe ndërroi jetë”.
Kulti i Milloshit në Drenicë
Me një zell të admirueshëm edhe Veselin Çajkanoviqi, rekrut në ushtrinë serbe, nuk do t’i bënte ballë tundimit për të mos i shënuar disa tradita gojëdhanore për Milushin në Elbasan. Gjatë kohës sa ushtria serbe kishte penetruar gjer në Shqipërinë e Mesme, Çajkanoviqi u bie në erë pretendimeve të disa vendësve të cilët e mbanin veten për pasardhës të heroit mesjetar. Jo larg Elbasanit, në Ohrin shqiptar, ai do të ketë rastin të njihet për së afërmi me një të kremte tradicionale që mbahej për hir të Millosh Kopiliqit. Familja e Bloshmëve e mbanin Milloshin për të parin e tyre. Legjenda familjare e bënte atë të lindur në Ohër e që tevona shkoi në Drenicë, ku u bë kapedan i Vuk Brankoviqit. Edhe Lef Nosi, në periudhën midis dy Luftërave Botërore, do të qëmtonte këngë me motive nga Beteja e Kosovës, të cilat dëshmonin në mënyrë të padyshimtë se kulti i Milloshit u ruajt më së shumti në Drenicë. Lënda e hapërdarë epike e krijimtarisë gojore shqiptare për Milushin, sado sasisht modeste, është studiuar në mënyrë diligjente nga Qemal Haxhihasani, Fatos Arapi, Luan Malltezi, e tjerë. Në këto këngë qartazi, bardi popullor i këngëve e ndjeson Milloshin si një hero vendës. Antagonizmat e mëritë që shpërthejnë në vargjet e këtyre këngëve janë prima facie arsye e mjaftueshme për të mohuar qenien serbe të Milloshit. Një këngë serbe nguc vëmendjen për një arsye të veçantë. E mbledhur nga Vuk Karaxhiqi, rapsodi sllav jep një tablo të bujarëve të Lazarit, të cilët ishin mbledhur në Krushevc. Në vijim po japim një copëz nga kjo këngë, ashtu siç është përkthyer nga Fatos Arapi:
“Lavd-lëvdon knjazi serb Lazar,
Në Krushevac, qytet i begatë,
Gjithë bujarët përreth sofrës ulur,
Gjithë bujarët edhe bijt bujarë,
Më të djathtë plaku Jug Bogdani,
Dhe pranë tij nëntë Jugoviqët;
Në të majtë Vuk Brankoviqi,
Dhe pastaj fisnikët me radhë.
Përkundrejt vojvoda Milloshi,
Dhe pranë tij dy vojvodë serbë:
Njëri është Kosaniq Ivani,
Tjetri është Toplica Milani”.
Këngëtari anonim sllav, duke u mbështetur në perceptimet popullore, e shkoqit vojvodën Millosh nga të tjerët, madje edhe etnikisht. Për vetë faktin se ai e quan të nevojshme të theksojë një hollësi të tillë si kjo që pranë Milushit qëndronin “dy vojvodë serbë”, e bën mjaft intriguese çështjen. Do të ishte absurde sikur këngëtari serb të bënte një vërejtje të tillë nëse tërë bujarët e mbledhur nga Lazari do të ishin serbë. Këtë hollësi e ka vërejtur edhe përkthyesi i eposit serb në rusisht, i cili vargjet e mësiprme i ka përkthyer kështu: “Kundrejt Knjazit - vojvoda Milosh/ Pran’ tij ulur dy të barabartë” (Protiv Knjaza-voevoda Milos/ Rjadom s njim dvuh ravnih posadili). Me një frymë të tillë antagonizmi me primesa etnike shfaqet edhe një prej këngëve më koherente shqipe për Millosh Kopiliqin. Ajo është mbledhur nga studiuesi serb Gligorije Elezoviq në një rrethanë krejtësisht të veçantë. Ai kishte dëgjuar për një rapsod shqiptar që ndodhej në burg, i cili ishte dënuar me vdekje. Fjala është për bardin popullor Hamëz Xhemë Bojku, i cili dinte një këngë për Millosh Kopiliqin. Në vargje disa herë përmendet një “shkinë plakë” me njëfarë ofshame pikëllimi për tradhtinë që iu bë Milloshit. Edhe kjo hollësi është pasqyrim i një antagonizmi rivalizues etnik që shfaqet në mënyrë latente në vargjet e kësaj kënge.
Nën llupën e etimologjisë
Diskutimet mbi identitetin etnik të Millosh Kopiliqit kanë përftuar një nxitje qysh në fillim prej emrit dhe patronimit të heroit mesjetar. Dragutin Kostiq, për dallim nga studiues të tjerë serbë, është më i përkorë në qëndrimet e tij. Ai tërheq vëmendjen me vërejtjen se emri Millosh nuk haset ndër dokumentet serbe më herët sesa në shekullin e 13-të. Kostiq hamendëson se emri Millosh mund të jetë një trajtë e sllavizuar e emrit shqiptar Mirosh, të cilin e shqit me prapashtesën -osh (dhe -ush). Kjo prapashtesë, sipas autorit në fjalë, u shtohet mbiemrave: bardh>bardhosh; kuq>kuqalosh; vogël>vogëlush, etj., prapashtesë e cila përdoret edhe ndër emra si Belush, Tanush, Mirush, etj. Sado që për disa etimologë duket mjaft tunduese që ta lidhnin emrin Millosh me rrënjën sllave millo “i këndshëm, i dashur, i ëmbël”, ekziston mundësia që ai të jetë i lidhur me emrin Mëhill. Në rast se kjo vërtetohet, atëherë nga Mëhill janë përftuar disa dimunitivë si Mhill, Mill, Milo etj. Prapashtesa shqipe -ush gjendet edhe në rumanisht -uş(ă), si formante me funksionet pothuajse të njëjta si në shqip. Kjo vjen pjesërisht nga fakti që të dyja gjuhët kanë bashkekzistuar në një urheimat të njëjtë, aq edhe nga fakti që ilirishtja dhe thrakishtja kanë qenë gjuhë të afërta. Me gjithë divergjencat, gjuhëtarët rumunë bien në ujdi se kjo prapashtesë i takon “substratit trako-dak” ose “autokton”. Bie në sy menjëherë që në të dyja gjuhët kjo prapashtesë ka vlerë zvogëluese e në disa raste përdoret për të shprehur përkëdhelje (lepur>lepurush; djall>djallush, etj.), si dhe në fjalët e përbashkëta si shq. këpushë, rum. căpuşă. Përderisa gjuhëtarët rumunë në mënyrë të prerë e shohin këtë prapashtesë si trako-dake, ka arsye të themelta që të besohet se ajo mund të jetë ab origine ilire. Në ilirisht kemi të atestuara te hidronimi Genusus, te emri topik Marusio apo edhe tek emrat e njerëzve si Ebusius, Janusioi, Tatusius dhe Piasus. Duke mos i hequr nga konsiderata format e atestuara në ilirisht, ne mund të krijojmë në mënyrë sado të hamendësuar njëfarë historie të zhvillimit fonetik të kësaj prapashtese. Një dentale e pazëshme frikative <*s duhet të jetë palatalizuar duke thënë një /-sh-/. I gjithë ky zhdrivillim gjuhësor hedh dritë mbi emrin Millosh, për të cilin kemi të drejtë të supozojmë se në Kosovën mesjetare ishin mjaft të shpeshtë dimunitivët e emrit Mëhill si Mil, ndërkaq me prapashtesën -ush me veti zvogëluese, është përftuar emri Milush. Kjo mund të korroborohet edhe me faktin se tek kronisti bizantin, Laonik Halkokondili, vrasësi i Sulltan Muratit shënohet si Miloes (Μηλοης), një trajtë kjo që mund të jetë përcjellje e një varianti lokal, me shumë gjasë shqiptar. Kurse çështja e llagapit ose patronimit Kopili(qi) qëndron disi më e qartë. Në librin e tij kushtuar Lazar Hrebljanoviqit, Ilarion Ruvaraci shkruante se të gjitha burimet historike që datojnë para fillimit të pjesës së dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë i referoheshin Milloshit si Kobiliq ose Kobiloviq. Është mjaft domethënëse se autori i parë që dha emrin e vrasësit të Sulltan Muratit ishte Konstantin Mihailoviqi nga Ostrovica, i cili shkroi “Kujtime e një jeniçeri ose Kronika turke” në vitin 1497. Ndonëse mbreti Lazar është personazhi qendror i kronikës në fjalë, Mihajloviq e shquan “Milos Kobila”-n si vrasësin e Muratit. Është mjaft tërheqëse lidhja që bëhet midis patronimit Kobila (e toponimit Kopiliq) me fjalën shqipe kopil “fëmijë ilegjitim, dobiç’’, që me kohë ka përftuar edhe kuptimin metaforik si “dinak, i zoti”. H. Gregorie dhe V. Cocco mendonin se fjala ballkanike “kopil” mund të ishte ilire. Në zemër të argumentimit të studiuesit italian Cocco qëndron ideja që fjala latine caballus dhe ajo greke kaballes (kalë barre) duhet të jenë të prejardhura nga ilirishtja. Se kjo fjalë duhet të jetë ilire konfirmohet nga disa emra personalë që rrjedhojnë prej rrënjës cabal: Caballus, Cabalionius, Kabaletus, etj. Këtij mendimi i kundërvihet rreptë studiuesi grek, Demetrios Moutsos, për të cilin greq. Κόβαλος “i pafytyrë, i pandershëm”, nuk mund të jetë huazim ilir për shkak të “vështirësive semantike dhe fonologjike”. Romanisti Reinchenkron, në anën tjetër, orvatej ta lidhte këtë fjalë me dakisht *kolpilos e cila prapakthehet në IE *guelbh- “kërthi, uterus”. Më së largu me këto kombinime shkoi studiuesi francez Zacharia Majani që e bën një lidhje me dialektin çerkez të Kabardës, ku folja kypyl’el’yn do të thotë “me ra”, që gjen përdorim sidomos kur një fryt peme bie në tokë. Sado enigmatik vazhdon të mbetet burimi i kësaj fjale, është evidente se ajo është një ballkanizëm me një gjithështrirje mbresëlënëse në shumicën e gjuhëve të Ballkanit e jashtë tij: prej shqipes, rumanishtes e greqishtes, deri te serbokroatishtja, bullgarishtja dhe ukrainishtja. Ostir, i cili e tëhollon në mënyrë analitike fjalën shqipe “kopil” duke e zbërthyer në ko- që e përqas me ind. e vjetër. kā- “keq” dhe -pil nga një *pelnos, shqip. pjell, pra “pjellë e keqe”. Çabej, i cili tumir mendimin e Miklosichit, thekson se formë bazë e kësaj fjale është *ko-pelë, ku ko- është prefiksi i njohur, si në kobisht, kollum, dhele e kodhele, tesha e kotesha. Pjesa rrënjore është fjala pelë, emër kafshe që në Shqipëri përdoret edhe metaforikisht për “vajzë e rritur, vajzë e shëndoshë” me një nuancë pezhorative. Nga femërorja u krijua edhe mashkullorja *kopél, në shumës kopil. Duke i gjykuar këto rrethana, del i përligjur mendimi i Çabejt se në gjuhët e tjera ballkanike kjo fjalë nuk gjen shpjegim në asnjë mënyrë, që i lë të hapur derën mundësisë që ato ta kanë huazuar nga shqipja.