Shtojca për Kulturë

Historia e një manipulimi nga Serbia: heroi me një mijë fytyra

Descriptive Text

Është fjala për traditën e re serbe që fillon në vitin 1989, atëherë kur propaganda serbomadhe e Millosheviqit arriti apogjeun e saj duke shpërdoruar historinë mesjetare. Kremtja liturgjike për vdekjen e Llazarit nuk është një traditë e pakëputur serbe prej Betejës së Kosovës. Kulti i Llazarit është ruajtur vetëm në Manastirin e Ravanicës, kurse manastiret e tjera ruanin kultet e shenjtorëve të tyre themeltarë. Në kalendarin e vjetër kishtar, 15 qershori (28 qershori sipas kalendarit bashkohor) i kushtohej profetit Amossipas Testamentit të Vjetër, meqë Dita e Shën Vidit (Vidovdan) do të promovohej vetëm kah fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë

Shtatë vjet më parë, qeveria lokale e Graçanicës e kishte zgjedhur nergut 28 qershorin për të zbuluar midis qendrës së kësaj qyteze përmendoren e “heroit me një mijë fytyra”. Në praninë e qindra serbëve lokalë, ish-kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, duke ndjekur atavizmin e politikanë serbë, përuroi një përmendore të re duke përtërirë mitin e vjetër. Vetë emërtimi i një bujari nebuloz mesjetar si “Millosh Obiliq” flet për një kontrabandim të pacipë të identitetit etnik, manipulim që tejkalon caqet e çfarëdo përfytyrimi.

e përmendores së fisnarit “regicid” nuk u bë për shkak të ndonjë nderimi a mirësjelljeje të njerëzishme. Është fjala për traditën e re serbe, që fillon në vitin 1989 atëherë kur propaganda serbomadhe e Millosheviqit arriti apogjeun e saj duke shpërdoruar historinë mesjetare. Kremtja liturgjike për vdekjen e Llazarit nuk është një traditë e pakëputur serbe prej Betejës së Kosovës. Kulti i Llazarit është ruajtur vetëm në Manastirin e Ravanicës, kurse manastiret e tjera ruanin kultet e shenjtorëve të tyre themeltarë. Në kalendarin e vjetër kishtar, 15 qershori (28 qershori sipas kalendarit bashkëkohor) i kushtohej profetit Amos sipas Testamentit të Vjetër, meqë Dita e Shën Vidit (Vidovdan) do të promovohej vetëm kah fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Me fjalët e historianit britanik, Noel Malcolm “e tërë ideja e një kremteje nacional-fetare, është në të vërtetë një shpikje e shekullit të nëntëmbëdhjetë’’. Korpusit letrar mbi betejën që u zhvillua në “ἐν πεδίῳ οὕτω καλουμένῳ τῆς Πριστίνου χώρας” (në fushën e Kosovës siç quhet vendi i Prishtinës) në shekullin pasues do t’i shtohej edhe elementi më organik, siç ishte vrasja e sulltan Muratit nga një burrë galant (“ἄνδρα γενναιότατον”). Derisa kalorësia evropiane me kodin e saj kuazi-heroik kishte rënë në letargjinë e madhe të historisë e në “përtacinë heroike” (heroische Faulheit, siç e quante Gerhard Gesemman kalimin e kohës ndër male), “Miloesi” arriti të vriste Sulltan Muratin I të një perandorie që po luzmonte pandalshëm në Ballkanin post-bizantin e të shkërmoqur nga ndasitë feudale. Është e kuptueshme që për establishmentin politik serb këto fakte të mos kenë asfarë rëndësie: për ta është i rëndësishëm zhvatja e një kapitali politik nga një hero mesjetar, i cili kthehet kokëposhtë për t’u përdorur në rivalitetet nacionaliste. Çdo 28 qershor kur kujtohet Beteja e 1389-s zënë vend manifestime deri në butafori për tradita të sajuara kryesisht në modernitet: në njërën anë, aktivistë serbë që kujtojnë Car Llazarin dhe, në anën tjetër, ekuivalentët e tyre turq që glorifikojnë Sulltan Muratin dhe fundin e tij tragjik. Në të vërtetë, veglizimi i 1389-s si “lieu de mémoire” zanafillon në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë në dritën e përfytjeve publicistike e historiografike në Beograd e Stamboll. Madje, siç tregon edhe Natalie Clayer, qysh në numrin e parë të vjetarëve të Vilajetit të Kosovës “Salname”, me 1879, jepej informacion për betejën dhe “shehitllëkun” e sulltan Muratit. Duke e shfrytëzuar epilogun e paqartë, herë humbje e herë fitore, të dyja palët po e projektojnë si kapital për rravgimet e së sotmes, ku Kosova nuk është gjë tjetër veçse preja e luftës.

Millosh Obiliqi ndër serbë e Millosh Kopiliqi ndër shqiptarë

Po cili është me të vërtetë ky “Miloesi” i përmendur nga Halkokondili duke qëmtuar burimet greke? Pse u dualizua në Millosh Obiliqi ndër serbë e Millosh Kopiliqi ndër shqiptarë? Shpesh rropatjet dashamirëse për të shpëtuar këtë bujar nga mitizimet kanë dështuar vajtueshëm duke krijuar lëvozhga të reja mitizimesh. Këtu duhet përmendur me theks të posaçëm trajtimi i historianit britanik, Noel Malcolm, i cili në mënyrë të çiltër e të zhveshur nga paragjykimet, ballafaqon versionin serb me atë shqiptar, duke nxjerrë në dritë të metat e secilës anë. Malcolm, së këndejmi, mbarështron idenë e tij, por gjithherë duke e shoqëruar me një pikëpyetje, që fatosi i 1389-s të ketë qenë me origjinë hungareze. Në mënyrë të përmbledhur, kuintesenca e hamendësimit të Malcolmit është ky: llagëpi i protagonistit në fjalë si “Kobiliq” që ka përftuar etimologjinë popullore si “bir i pelës” mund të ketë lidhje me kulturën shamane të hungarezëve, të cilët ruanin një nderim deri në përulje ndaj kuajve si remishencë e kulturës së tyre stepike. Po ashtu ekzistojnë dromca historike të pjesëmarrjes së kalorësve hungarezë të cilët bashkërenduan aleatët e tyre ballkanikë në përballjen e madhe me ushtrinë osmane në Fushën e Kosovës në vitin 1389. Megjithatë, këto pandehma të Malcolmit nuk shkojnë përtej një propozimi të bukur që lind pikëpyetje të reja, për shkak të argumentimit të ligshtë. Historiani britanik duket se i kalon në heshtje disa konsiderata, të cilat nëse qëmtohen në thellësinë e tyre, sjellin perspektiva premtuese sa i përket ndriçimit të identitetit etnik të “heroit me një mijë fytyra”.

Nga Knolles deri te Boue: Milush Kopili

Historianët e parë evropianë që nisën të gjurmojnë mbi historinë e Serbisë rishtare nuk japin të kuptojnë se serbët kishin ndonjë kujtim të mishëruar për “Miloesin”. Madje ky hero mesjetar, aq i panjohur për fshatarësinë e gjerë, do të trumbetohej me zell nga vetë qeveria serbe. Ndër të parët historianë anglezë që u mor me Betejën e Kosovës ishte Richard Knolles. Autor i veprës së parë kapitale për Perandorinë Osmane, ai i kushtoi një paragraf të tërë heroizmit të “Miloesit”, etninë e të cilit nuk e përmend. Knolles e quan vetëm “a Christian soldier”, ndërsa emrin e tij e shënon si “Miles Cobelitz”. Historianët e parë që prekën Betejën e Kosovës u bigëzuan qysh në fillim sa i përket identitetit të “Miloesit”. Kështu, historiani Edward Gibbon e cilësoi vrasësin e Muratit si “a Servian soldier”, ndërkaq italiani Filippo Angelico Beccheti shprehimisht e cilësoi si “un Albanese”. Edhe historiani francez, Vincent Mignot, që ishte nipi i Volterit, i mbahet pikëpamjes se vrasësi i Muratit ishte “a wounded Albanian”. Ky rravgim hetohet edhe te një historian tjetër si Samuel Jacob, i cili duke qenë në mëdyshje për etninë e heroit thotë në mënyrë ambivalente “a Servian or Albanian soldier”. Duke e kaluar këtë çështje jo me ndonjë interes, Jacob e gjen më të rëndësishme të theksojë se prej kësaj kohe (pas vrasjes së Muratit – shën.– S.M.) u bë zakon që të hiqeshin armët e ambasadorëve kur paraqiteshin para Sulltanit osman. Disa pohime me vlerë mund të shkëputen edhe tek orientalisti anglez, Edward Upham. Autor i një vepre dyvëllimëshe për Perandorinë Osmane, Upham në veprën e tij që u botua në vitin 1829, jep një përshkrim mjaft minucioz të Betejës së Kosovës. Orientalisti anglez, ashtu si autorë të tjerë, vrasësin e Sulltan Muratit do ta cilësonte shqiptar.

Përafërsisht në periudhën e njëjtë, të dhënat empirike të fituara nga terreni do të vërtiteshin rreth betejës e trashëgimisë së saj. Fjala vjen, përshtypje nga udhëtimi në pjesën e epërme të bazenit të Kosovës ka lënë edhe Ami Boue në vitet 1836-38, i cili kaloi nëpër këto tërthore që lageshin nga lumi i Sitnicës. Vëmendjen e tij e ngucën tyrbet afër Gazimestanit, në njërën prej të cilave besohej se mund të ishte edhe varri i heroit mbretvrasës. Me pretendimin për skicimin e një historie për serbët, Leopold Ranke do të përqendrohej kryesisht në vijëzimin kronologjik të ngjarjeve që bënë Serbinë moderne. Historiani gjerman nuk jep ndonjë dromcë për të dhënë të kuptohet nëse “Miloesi” njihej në këtë kohë nga serbët, me përjashtim të rretheve të ngushta savante. Ranke lavdëron punën e ministrit serb të arsimit, Stefan Radiçeviq, i cili propozoi hapjen e shkollave të reja, derisa të mësonte shkrim-lexim çdo serb. Me po atë vrull pasionant, ai do të krijonte edhe një shoqëri të njerëzve të kënduar, ndërkohë në Beograd përveç operave do të hapej edhe teatri i parë. Turqit, shpejt do të vramuzeshin, meqë aty luheshin shfaqje në kujtim të të bamave të “Kobiliqit”.

I paqeni Millosh Obiliq

Studiuesja e palodhur italiane, Ana Di Llellio, sipërfaqëson me të drejtë se “Millosh Obiliqi” është një shtojcë relativisht e re në mitin serb për Kosovën. I përhumbur deri në shpërfillje në letërsinë mesjetare serbe, ai do të përmendej vetëm në dy copëza të botuara nga poeti dhe folkloristi i njohur serb, Vuk Karaxhiq. Në të vërtetë, ky “hero” nuk është i pranishëm në ndonjërën prej këngëve kryesore të ciklit për Kosovën. Për më tepër, ai është i kudondodhur në epikën e Ballkanit Perëndimor, një personazh që përbën syzheun e dhjetëra këngëve e rapsodive shqiptare të prodhuara gojarisht nga laboratori i prodhimit të lëndës epike po të shfrytëzonim një shprehje nga Ismail Kadare. Ndryshe nga imazhi i princ Lazarit, e vërteta është se Millosh Kobiliqi nuk figuron shpesh në letërsinë e hershme kishtare serbe. Në fjalët e një autori serb: “Ndryshe nga Lazari, përreth personalitetit historik të të cilit u krijua kulti i një heroi dhe martiri, historia nuk njeh askënd me emrin Milosh Obiliq; nuk ka asnjë përmendje të veprave të tij heroike në burimet e hershme serbe dhe sllave për Betejën e Kosovës”. E tërë epika sllave, aq e komplimentuar nga Gëte, vëllezërit Grim e Herderi, është aq e boshtë me gjithçka rreth Kosovës dhe betejës së vitit 1389. Në një përsiatje të thuktë, studiuesi Enver Mehmeti shënon faktin se si folkloristi serb, Vuk Karaxhiq do të përçapej me përkushtim për të mbledhur çdo kokrrizë të lëndës orale nga Kosova që i quante këngët e vjetra (“stare pesme” apo “pesme od starine”), të cilat mendonte se do të ishin të fosilizuara në Kosovë. Për këtë qëllim, ai do t’i qëmtonte me zell zhbirues rapsodët serbë me origjinë nga Kosova të vendosur në Serbi apo gjetkë.

“Nga kjo përpjekje ai ndahet i zhgënjyer, sepse asnjëri prej rapsodëve të njohur epik me të cilët kishte punuar nuk dinte as edhe një këngë të vetme të periudhës së Nemanjiqëve, apo për Knjaz Lazarin dhe Betejën e Kosovës. Vuku, pasi nuk gjeti këngë të tilla nga këta rapsodë të njohur, do t'i kthehet konceptit mistifikues evropian të krijimit të të ashtuquajturave epe gojore”, shkruan Enver Mehmeti në artikullin “Morfologjia e mitit serb të Kosovës”.