Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Mars, 1929: Shpronësim, shpërngulje, shfarosje e shqiptarëve

Gjimnazi i Prishtinës, 1929

Gjimnazi i Prishtinës, 1929

“I vrasin ditën e diel dhe në mes të qyteteve. Vrasësit janë anëtarë të njohur të bandave fashiste që terrorizojnë këto krahina që prej luftërave ballkanike, nën mbështetjen e qeverisë së Beogradit. Disa të shtëna revolveri mjaftojnë për krerët. Sa për masat fshatare, ato shfarosen me breshëri mitralozi, ose detyrohen të emigrojnë për t’u lënë vend kolonëve fashistë serbë. Kështu “serbizohen” sistematikisht të gjitha krahinat shqiptare, sidomos ato që ndodhen pranë kufirit shqiptaro-jugosllav ose përgjatë hekurudhave”, shkruante Fan Noli në të përjavshmen franceze

Një diktaturë jugosllave rëndon rëndë mbi të gjithë popujt e nënshtruar nga militaristët serbë. Ajo është dërrmuese për shqiptarët e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës, të aneksuara njëra pas tjetrës në vitet 1880, 1912, 1919 e 1924 nga Serbia. Bëhet fjalë për afërsisht një milion fshatarë të privuar nga të drejtat më elementare. As edhe një shkollë e vetme shqipe për këtë popullsi kompakte, e cila e tejkalon në numër Shqipërinë e pavarur të gjymtuar nga traktatet. Asnjë shoqatë, madje as bamirësie, nuk u lejohet. Asnjë deputet nuk i përfaqësonte në Skupçinën e shpërndarë. Udhëheqësi i tyre, Ferhat Draga, u dënua me njëzet vjet burg për krimin se kishte paraqitur sërish kandidaturën e tij në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kolegu i tij, ish-deputeti Nazim Gafurri, u vra pabesisht më 1927 për të njëjtën arsye. Pasuesi i tyre, Jusuf Ahmeti, u vra krejt së fundi sepse guxoi të zgjidhej këshilltar bashkiak i qytetit të Prishtinës.

Kështu hiqen qafe udhëheqësit tepër të papërshtatshëm. I vrasin ditën e diel dhe në mes të qyteteve. Vrasësit janë anëtarë të njohur të bandave fashiste që terrorizojnë këto krahina që prej luftërave ballkanike, nën mbështetjen e qeverisë së Beogradit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Disa të shtëna revolveri mjaftojnë për krerët. Sa për masat fshatare, ato shfarosen me breshëri mitralozi, ose detyrohen të emigrojnë për t’u lënë vend kolonëve fashistë serbë. Kështu “serbizohen” sistematikisht të gjitha krahinat shqiptare, sidomos ato që ndodhen pranë kufirit shqiptaro-jugosllav ose përgjatë hekurudhave. Dhjetëra mijëra fatkëqij detyrohen të mërgojnë në këtë mënyrë çdo vit.

Ajo që është edhe më e keqe, asnjë shtet nuk do t’i pranojë këta refugjatë. Turqia është ngopur me ta, Shqipëria është tepër e varfër për t’u ofruar një strehë të re, ndërsa vendet e tjera janë të mbyllura për këtë lloj emigrimi masiv.

Kështu, fare së fundi, një grup prej tre mijë të shpërngulurish të tillë, pasi kishte endur nëpër Gadishullin Ballkanik, në tokë, për muaj e muaj të tërë, u detyrua ta bënte po ashtu edhe qarkullimin me det. Nuk u lejohej të zbarkonin në asnjë port. Disa të mbijetuar nga kjo odise u vendosën në Shqipëri. Të tjerët vdiqën nga uria, të ftohtit, rraskapitja dhe sëmundjet nëpër udhët e mëdha.

Fati i shqiptarëve të krahinës së Çamërisë (Epiri i Jugut), të aneksuar nga Greqia, nuk është i ndryshëm. Është vetëm një ripërsëritje e së njëjtës tragjedi me tri akte: shpronësim, shpërngulje, shfarosje.

Faksimile e faqes së 18-të të “Le Cri des peuples” ku është botuar teksti i Fan Nolit, më 4 mars 1929

Kam folur më sipër për një milion shqiptarë në Jugosllavi. Sipas jugosllavëve, tani nuk do të kishte më veçse 700.000! A janë hequr vallë qafe tashmë nga 300.000? Sa do të duhet ende për t’i zhdukur ata që mbeten? Por kësaj here do të veprohet shpejt dhe pa formalitete të panevojshme. Dhe kjo do të jetë një nga lavditë më të kulluara të Dorës së Bardhë pansllave!

Në zemër të Evropës po përsëritet një tragjedi po aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e Vogël. Por tragjedia armene ndodhi gjatë Luftës Botërore, kur ishte e vështirë të ishe njerëzor, ndërsa tragjedia shqiptare në Jugosllavi po zhvillohet para syve tanë në kohë paqeje, kur është e vështirë të imagjinohet se mund të jesh kaq mizor.

E megjithatë, kancelaritë evropiane nuk janë shqetësuar aspak për këtë çështje, ndonëse janë fare mirë në dijeni të saj. Siç duket, nuk është në modë të preken prej saj. Dhe me arsye.

Në Azinë e Vogël bëhej fjalë për të krishterë të shfarosur nga myslimanë turq. Në Jugosllavi dhe në Greqi bëhet fjalë për myslimanë shqiptarë të shfarosur nga serbë dhe grekë fort të krishterë. Ja ndryshimi. Dhe ja çka shpjegon deri diku zemërimin e djeshëm dhe apatinë e sotme. A jemi vallë ende në mesjetë?

Ka edhe një shpjegim tjetër po aq të vlefshëm sa i pari: masakruesit e armenëve ishin turqit, armiq të Luftës së Madhe; masakruesit e shqiptarëve janë serbët dhe grekët, aleatë të Luftës së Madhe.

Aleatëve fisnikë u lejohet gjithçka. Por atëherë, a jemi ende në luftë? Fatkeqësisht, po. Vetëm naivët besojnë se është bërë paqja e Versajës!

Botuar në të përjavshmen franceze “Le Cri des peuples”, me drejtor e kryeredaktor Bernard Lecache më 4 mars 1929